Forcohet koalicioni qeveritar i Berlinit
27 Mars 2006E diela (26.3.) ishte testi i parë për koalicionin e madh në Berlin. Në tre lande të Gjermanisë u zhvilluan njëkohësisht zgjedhjet parlamentare. Ishin këto zgjedhjet e para që kur qeveria kuq e zi e Merkelit mori në dorë pushtetin. Në landin jugperëndimor, Baden Vyrtemberg dhe në atë fqinjë të tij Rajnland Pfalc u konfirmua edhe një herë pushteti i mëparshëm: në të parin ai i CDU-së konservatore, ndërsa në të dytin ai i SPD-së. Në landin gjermanolindor Saksoni Anhalt duket se do të krijohet një koalicion i madh CDU-SPD.
Është bërë tashmë e zakonshme, që zgjedhjet në rang landesh të shihen edhe nga perspektiva e federatës e të konsiderohen si zgjedhje provë për qeverinë në Berlin. Kjo vlen sidomos kur zgjedhjet zhvillohen njëkohësisht në tre lande. Megjithëse SPD-ja në Baden-Vyertemberg dhe CDU-ja në Rajnland-Pfalc pësuan humbje të mëdha, si përfundim nuk mund të thuhet se zgjedhësit donin t’i thoshin "jo" koalicionit të madh. Madje ky model do të praktikohet mesa duket tani edhe në Saksioni-Anhalt.
Përveç kësaj, mund të thuhet se kandidatja socialdemokrate në Baden Vyrtemberg, Ute Fogt, dhe ai kristiandemokrat në Rajnland Pfalc, Kristof Bër, nuk rrezatuan atë forcë që mund të konkurronte as me popullaritetin e socialdemokratit, Kurt Bek në Rajnland Pfalc, e as me respektin që gëzon kolegu i tij kristdemokrat Gynter Ëtinger në Baden Vyrtemberg. Edhe simpatia që kanë qytetarët në Saksoni Anhalt për Volfgang Bëmer u pasqyrua në rezultatet e zgjedhjeve. Por kjo ka të bëjë edhe me faktin që fushatat zgjedhore ishin të vakëta, sepse partitë e mëdha ishin të detyruara ta mbronin respsektivisht partneren e tyre në kuadër federate.
Rezultati i zgjedhjeve do të lërë gjurmë tek liberalët. Partia e lirë demokratike (FDP) e Guido Vesterveles merrte pjesë në të trija qeveritë. Në Saksoni Anhalt me siguri që do të duhet të dalë në opozitë. Humbja e pjesëmarrjes në qoftë edhe njërën prej tyre, do t’u kushtojë liberalëve humbje të peshës së pushtetit politik. Koalicionit të madh do t’i mjaftonte në këto rrethana që të arrijë të ketë në dorë shumicën e dy të tretave, që i duhet për të ndryshuar kushtetutën, siç është reforma e sistemit e federal.
Nga pikëpamja demokratike ky zhvillim është me pikëpyetje. Por aktualisht do të rriten pretendimet ndaj koalicionit të madh në Berlin. Ai duhet të jetë sa më i vendosur në realizimin e planeve për reforma. Nuk është shumë e vetëkuptueshme, që zgjedhësit të tregohen kaq të durueshëm. Edhe në zgjedhjet e ardhshme të landeve, që do të zhvillohen së shpejti, sytë do të drejtohen nga Berlini.