Festohet në Tiranë Dita e Evropës
9 Maj 2007“Java Europiane 2007” u zhvillua për herë të tretë në Tiranë. Synimi i saj: sensibilizimi i opinionit publik dhe i institucioneve për nevojën e thellimit të reformave shumëplanëshe për plotësimin e të gjitha kushteve dhe detyrimeve që ka vendi në bazë të Marrëveshjen së Stabilizim -Asociimit me BE-në.
Në këtë kuadër ditën e mërkurë u bë hapja për herë të parë në Shqipëri e Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, me mbështetjen e drejtëpërdrejtë të Këshillit të Europës. Sipas themeluesve dhe mbështesve të kësaj iniciative, misioni i shkolles do të jetë forcimi i një kulture moderne politike, bazuar në vlerat e përbashkëta të pluralizmit, tolerancës dhe dialogut të hapur, duke inkurajuar kështu zhvillimin e një komuniteti të politikanëve të rinj dhe liderëve qytetarë të përkushtuar për zbatimin e modelit demokratik bashkëkohor të qeverisjes.
Në përurimin e Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike morën pjesë përfaqësues të lartë të autoriteteve, të trupit diplomatik, politikanë nga partitë parlamentare, nga orgnizatat jofitimprurese, media etj.
Finalja e “Javës Europiane 2007” që u zhvillua në Tiranë ishte një veprimtari për 9 Majin, Ditën e Europës. Shefi i zyrës së Komisionit Europian në Tiranë, ambasadori Helmut Lohan, ka vlerësuar hapat që ka bërë Shqipëria në procesin integrues. “Një proces që kam besim se do të intesifikohet edhe më në të ardhmen dhe do ta afrojë edhe më vendin me qëllimin tonë të përbashkët: integrimin europian”, tha Lohan.
Nga ambasadat europiane të akredituara në Tiranë, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe Ministrinë e Integrimit të Shqipërisë nga data 5 – 9 maj u zhvilluan një sërë veprimtarish të larmishme me karakter kulturor, historik dhe diplomatik, ku në qendër ishin vlerat më të mira të Europës dhe raportet mes Shqipërisë dhe BE-së.
Arben Muka