Festivali i filmave kundër dukurive të globalizimit
5 Nëntor 2011„Ne duam që filmin, respektivisht kinemanë ta përdorim si hapësirë politike. Duam që në rend dite të jenë temat politike, të cilat nuk gjejnë vend sa duhet në media. Ne nuk duam kinema të rëndomtë, por duam që njerëzit kur të dalin nga kinemaja të kenë përshtypjen se ende mund të ndryshojnë diçka në këtë botë.“
Në vitin 2003, "Globale" ka nisur me idenë që të nxisë debate shoqërore, të flasë për politikën dhe të tematizojë padrejtësitë. Është ky ndoshta festivali i vetëm i filmit, ku bëhet fjalë për tema politike dhe diskutohet për to. Kjo në veçanti vlen për filmin dokumentar "Revolucioni i 4-të – autonomia në energji" i Carl Fechner-it, ku bëhet fjalë për mundësinë e furnizimin të plotë nga energjia e ripërtëritshme.
„Ne gjendemi para ndryshimit më të madh strukturor ekonomik, që nga fillimi i periudhës së industrializimit... Në vend që të kemi më pak pronarë, ne kemi tani me miliona pronarë. Furnizimi me energji po demokratizohet“, tha ai.
Gjermania ka mjaft energji
Filmi, tregon se cilat mund të jenë pasojat e përdorimit të uraniumit dhe ndryshimet që po bëhen drejt përdorimit të energjisë diellore në Los Anxheles dhe Kajro. Carl Fechner nuk i kupton aspak ata që thonë se Gjermania nuk duhet të heqë dorë nga energjia atomike.
„Kjo vetëm dëshmon se se gënjehet në mënyrë të pacipë, vetëm për të zvarritur këtë proces. Me futjen e sistemit të furnizimit me energji të ripëtëritshme, do të ketë edhe humbës. Fjala është për sipërmarrjet e fuqishme në botë. Gjermania ka një potencial të madh energjish, ka detin, erëra të fuqishme dhe mesatarisht mbi 1.000 orë diell në vit... nuk ka asnjë shkak teknik që të mos futet energjia e ripërtëritshme - përveç shkaqeve politike", pohon ai.
Shkaqet politike kanë bërë që në "Nosovice" të Çekisë të ndërtohet reparti më i madh për ndërtimin e veturave Hyundai, jashtë Koresë. Ata që kundërshtojnë ndërtimin e këtyre veturave përballen me presionet e qevetiarëve. Regjisori Vit Klusak, në filmin "All for the good of the world and Nosovice" tregon se si Nosovice, nga një vend me orientim drejt bujqësisë është kthyer në një zonë industriale.
Pranvera arabe
Shumë vend në këtë festival zë edhe pranvera arabe. Ndonëse në "Globale" prezantohen vetëm filma që flasin për luftën personale të njerëzve. Ndër ta është edhe "Waiting for Abu Zaid", i Mohammad Ali Atassit. Ai portreton shkrimtarin dhe shkencëtarin islam nga Egjipti Abu Zaid, i cili ka vdekur pak pas xhirimit të filmit. Abu Zaid është sulmuar ashpër prej islamistëve për shkak të pohimit, se Kurani nuk mund të jetë autoritet për të gjitha gjërat e jetës.
„Nuk dua të relativizojë të gjitha, por dua të respektojë të vërtetën e të tjerëve. Unë besoj në gjërat që për mua janë të vërteta. Por ka dhe njerëz të cilët jetojnë në të njëjtin vend dhe besojnë në gjëra dhe të vërteta të tjera. A duhet t'i vras unë ata vetëm pse mendoj se e vërteta ime është e drejtë ndërsa e tyre gabim?“, pohonte Abu Zaid.
Islamistët në Kajro kanë kritikuar atë dhe e kanë shpallur si jomysliman për shkak të kontestimit të themeleve të Koranit. Ata e kanë hedhur edhe në gjyq dhe e kanë detyruar të ndahet nga bashkëshortja. Në fund ai është detyruar të ikë në Holandë në ekzil. "Globale 2011" do t'i kushtohet në tërësi angazhimeve në luftën kundër shtypjeve shoqërore.
Pas mbylljes në Berlin, "Globale" do të niset në një lloj turi në Këln dhe Lajpcig, në Poloni, Rio de Janeiro dhe Montevideo.
Autor: Bernd Sobolla/Bahri Cani
Redaktoi: Aida Cama