Energjia atomike në botë- Model që i ka kaluar koha?
12 Mars 2012Presidenti amerikan Barack Obama është një idhtar i njohur i energjisë atomike. 30 vjet me radhë në SHBA nuk u lejua ndërtimi i asnjë reaktori të ri bërthamor, por me qeverinë e Obamës kjo ndryshoi: Centralit atomik ekzistues "Vogtle" në shtetin federal të Xhorxhias do t' i bashkangjiten dy reaktorë të rinj. Kostot janë vlerësuar në 14 miliardë dollarë, reaktorët do të hyjnë në rrjet brenda katër pesë vitesh. Qeveria ka në duar kërkesa të tjera për ndërtimin e centraleve atomikë.
Por projekte për centrale të rinj atomikë nuk ka vetëm në SHBA. Azia është shumë e interesuar për teknologjinë. Në Indi dhe në Kinë janë duke i ngritur disa centrale atomikë. Edhe pas katastrofës së Fukushimës, shumica e vendeve aziatike nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për energjinë atomike.
Energji atomike polake në dhjetë vjet?
Vende të tjera që nuk kanë ndërtuar deri tani centralë të tillë atomikë, janë duke e bërë tani. Polonia e cila deri tani ka prodhuar energjinë kryesisht nga qymyri kërkon të ndërtojë centralin e parë atomik polak. Kryeministri Donald Tusk, e komentoi vendimin e Gjermanisë për largim nga energjia atomike me këto fjalë: "Nëse dikush nuk dëshiron të ndërtojë central atomik, atëherë ky është problemi i tij. Ne jemi të bindur se energjia atomike është një alternativë e mirë për prodhimin e energjisë."
Kur do të ketë Polonia centralin atomik nuk dihet ende. Lobi polak i energjisë atomike thotë se në dhjetë vjetë edhe Polonia do të ketë të paktën një central atomik. Shkencëtari nga Berlini, Lutz Mez dyshon për këtë. Ai mendon se Polonia ndodhet para detyrave shumë të mëdha për përgatitjen e personelit të specializuar dhe krijimi i një autoriteti të caktuar që të merret me këtë çështje kërkon zakonisht 15 vjet.
"Numri i centraleve atomikë do të bjerë"
Shumë vende vazhdojnë si dhe më parë të prodhojnë energji nga centralet atomike dhe do ta bëjnë këtë edhe në të ardhmen. Por ekspertja për politikën atomike Rebecca Harms, mendon se numri i centraleve në përgjithësi do të bjerë. "Procesi i largimit nga energjia atomike ka filluar. Në vitet e ardhshme do të ketë edhe disa ndërtime të reja. Por deri në vitin 2030 ose 2035 numri i centraleve atomikë do të bjerë."
Njëjtë mendon edhe eksperti për politikën e ambientit Lutz Mez. Edhe në vetë Francën, që ka numrin më të madh të centraleve atomikë në Evropë, po fillon ndryshimi i qëndrimit. Për të plotësuar lëkundjet e mëdha energjetike, janë të nevojshme tipe të tjera fleksible centralesh. Sepse centralet atomike nuk mund të ndizen dhe të fiken sipas nevojës."
Pas pak javësh në Francë zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Në sondazhe kandidati socialist François Hollande ndodhet para Nicolas Sarkozisë. Ndërkohë që Sarkozi kërkon të vazhdohet me energjinë atoike, Hollande kërkon që pjesa e energjisë që prodhohet nga centralet atomikë të ulet nga 75 në 50 përqind.
Uria e Kinës dhe Indisë për energji
Kurse vendet në ekspansion ekonomik kanë prioritete të tjera. Vetëm Kina duhet të fusë në rrjet 60 mijë megawatt, për të prodhuar energjinë që i duhet për zhvillimin ekonomik. Për këtë Kina përdor kryesisht centrale qymyri. Pjesa e prodhuar nga energjia atomike në Kinë është 2 përqind. Po kështu edhe në Indi.
Krahas sigurisë shumë të diskutueshme të centraleve atomike kur flitet për ndërtimin e centraleve të rinj shtohen edhe arsyet ekonomike. Në centralet me gaz duhet investuar dhjetë herë më pak se në ato me energji atomike. Një central i ri atomik kushton rreth 7 miliardë euro.
Zyra ndërkombëtare për kontrollin e energjisë atomike (IAEA) pati parashikuar në vitin 1974 se në vitin 2000 nga centralet atomike do të prodhoheshin 4500 gigawatt. Por në fakt ajo arriti deri tek 375 gigawatt. Furnizimi me energji në të ardhmen do të mbështetet pak në energjinë atomike.
Autor: Klaus Jansen
Redaktoi: Aida Cama