Ekonomitë e SHBA dhe të Kinës janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën
28 Korrik 2009'Marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA - ndikim më të madh në çështjet ndërkombëtare, sesa çdo lloj marrëdhënieje tjetër.'
Në fillim të prillit u zhvillua në Londër në kuadër të takimit të G20-ës, takimi i parë mes presidentit kinez Hu Jintao dhe atij amerikan Barack Obama. Tema më e rëndësishme e takimit, kriza ekonomike dhe financiare. Në Londër u ra dakord edhe për një raund të ardhshëm të dialogut ekonomik strategjik. Në mars 2009, "Center for Strategic and International Studies" publikoi një studim në lidhje me marrëdhëniet mes SHBA dhe Kinës. Që në fjalinë e parë të këtij studimi theksohet se marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA mund të kenë ndikim më të madh në çështjet ndërkombëtare, sesa çdo lloj marrëdhënieje tjetër. Në paragrafin e fundit të studimit, thuhet se asnjë sfidë globale nuk mund të përballohet pa bashkëpunimin mes SHBA dhe Kinës.
Geithner: Kërkohen ndryshime substanciale të politikës ekonomike dhe rregullimi i ekonomisë dhe financave.
Vendin e parë në këto sfida e zë kriza ekonomike dhe financire mbarëbotërore. Për këtë Ministri amerikan i Financave, Timothy Geithner, i cili ka studiuar në Kinë dhe e flet edhe gjuhën kineze, theksoi me të drejtë gjatë vizitës së tij të qershorit në Pekin:
“Transformimi i suksesshëm drejt një ekonomie të balancuar dhe të qëndrueshme kërkon ndryshime substanciale të politikës ekonomike dhe rregullimin e ekonomisë dhe të financave. Disa prej këtyre ndryshimeve të rëndësishme duhet të vijnë prej SHBA dhe Kinës. Fakti nëse Uashingtoni dhe Pekini do të jenë të sukseshëm, do të jetë vendimtar për ekonominë e pjesës tjetër të botës. Dhe efektiviteti i politikës së SHBA do të jetë pjesërisht i varur prej asaj kineze dhe efektiviteti i politikës kineze prej sonës.“
Besimi i kinezëve te dollari ka filluar të lëkundet
Ekonomitë e të dyja vendeve janë të lidhura ngushtë me njera-tjetrën. Kina e furnizon tregun amerikan me produkte të lira konsumi. Ajo e ka të domosdoshëm këtë treg për të siguruara rritje ekonomike të qëndrueshme, punësim dhe në fund të fundit stabilitet social. Në vitin 2008 vëllimi tregtar bilateral ishte rreth 400 miliardë US-Dollarë. Ndërkohë që SHBA ka në këtë mes një deficit prej 266 miliardë dollarësh. Prej vitesh Uashingtoni është i zemëruar për deficitin tregtar në rritje me Kinën. Por fitimet shtesë nga tregtia e Kinës me SHBA dhe me BE rrjedhin sërish nga Kina për në SHBA, sepse mendohet se rreth 70% e thesarit kinez të devizave është në dollarë. Në fund të qershorit kjo shumë ishte mbi 2 bilionë dollarë.
Por besimi i kinezëve te dollari ka filluar të lëkundet. Kryeministri Wen Zhiabao deklaroi me 13 mars, se është i shqetësuar për sigurinë e depozitave kineze në dollarë. Norbert Walter, Drejtor i Deutsche Bank Research, mendon se shqetësimi i Pekinit është me vend:
„Duket hapur se në lidhje me investimet e tyre financiare kinezët kanë bërë një veprim shumë, shumë të njëanshëm. Thënë shkurt, kinezët nuk janë treguar të zgjuar dhe i kanë vënë të gjitha vezët e tyre financiare në një çerdhe, gjë që zakonisht nuk bëhet. Për këtë shqetësimet e kinezëve janë tani me mjaft bazë."
Por megjithë këto shqetësime, kinezët do të vazhdojnë t'i kthejnë tepricat e tyre në depozita në dollarë, gjë që i gëzon amerikanët.
Autor: Matias fon Hajn/Pandeli Pani
Redaktoi: Auron Dodi