Dënohen ashpër thirrjet antishqiptare në Maqedoni të Veriut
5 Gusht 2025Reagime gjithandej në Maqedoni të Veriut, Kosovë e Shqipëri u shënuan pas brohoritjeve antishqiptare të bëra nga një grup personash gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, që u zhvillua më 2 gusht në Kumanovë.
Prokuroria Themelore në Kumanovë ka nisur hetime lidhur me elementet e një vepre të mundshme penale, e cila lidhet me thirrjet e këtij grupi që përmbajnë gjuhë të urrejtjes dhe nxitje ndëretnike.
Sipas politikanëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, që ishte në kuadër të fazës së dytë parakualifikuese për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, u dëgjuan thirrje si: "shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, "dhoma gazi për shqiptarët”, dhe "Maqedoni e pastër”.
Të pranishëm edhe krerët e shtetit
Në këtë ndeshje basketbolli, si shikues ishin edhe pjesëmarrës edhe zyrtarë të lartë të qeverisë maqedonase, përfshirë edhe kryeministrin Hristijan Mickoski. Ky i fundit, pas reagimeve të ashpra që u bënë nga Kosova dhe Shqipëria, i dënoi, siç tha, "thirrjet nacionaliste dhe ksenofobe”, duke shtuar se ndonëse ishte në sallë gjatë ndeshjes, "nuk i kishte vënë re” thirrjet e tifozëve. Sipas tij, "bëhej fjalë për një grup të vogël njerëzish”.
"Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t'iu bashkuar dënimit të nacionalizmitdhe ksenofobisë, së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve, që ta mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, tha Mickoski.
Sipas tij, "thirrjet kundër shqiptarëve do të jenë objekt hetimi dhe sanksionesh, pa marrë parasysh nga vijnë”.
Ligji duhet të zbatohet
"Dua të përsëris edhe një herë: e dënoj në mënyrë absolute brohoritjen e pazakontë dhe të papranueshme të disa individëve, të cilët nuk hasën në mbështetje nga asnjë prej të pranishmëve në sallë”, tha Mickoski, duke njoftuar se Prokuroria maqedonase tashmë ka nisur hetimet për këtë ngjarje. Reagimi i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut erdhi pas reagimeve të ashpra që u bënë nga disa parti shqiptare në Maqedoni të Veriut dhe zyrtarë të lartë shtetërorë nga Kosova e Shqipëria.
Partia shqiptare në opozitë në Maqedoni të Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), tha në një deklaratë për media se në këtë ngjarje sportive "u dëgjuan kore antishqiptare, thirrje raciste dhe gjuhë e pastër e urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve”, ndonëse "qeveria dhe përfaqësuesit shtetërorë ishin të pranishëm në sallë dhe heshtën”.
Thirrjet raciste
"Nuk pati as reagim institucional, as dënim moral, as distancim politik. Vetëm miratim me heshtje”, thuhet në reagimin e BDI-së, e cila kërkoi "hetim urgjent për ngjarjen, sanksione ndaj organizatorëve, distancim publik nga Qeveria dhe përfshirjen e faktorit ndërkombëtar për monitorimin e përhapjes së gjuhës së urrejtjes”, duke tërhequr vërejtjen që "nuk do të lejojmë kthimin e vendit në arenë të urrejtjes etnike dhe nuk do të lejojmë që shqiptarët të bëhen shënjestër e thirrjeve fashiste”.
Reagimet nga Kosova e Shqipëria
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, tha se "thirrjet antishqiptare të dëgjuara në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”.
"Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër. U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes, mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE”, tha Presidentja.
Deri tani, kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti nuk ka reaguar, që ka shkaktuar reagime të shumta të opozitës ndaj tij, për heshtjen e kreut të ekzekutivit.
Ndërsa nga Shqipëria, ka reaguar kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila e cilësoi ktëë si një akt të papranueshëm dhe fyes ndaj shqiptarëve.
"Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit. Shqipëria dhe shqiptarët vazhdojnë të jenë të përkushtuar në promovimin e bashkëjetesës dhe qëndrojnë kundër ndasive të dala mode e boje”, tha Spiropali.
Reagimet e opozitës së deritanishme
Thirrjet antishqiptare që nxisin urrejtje ndëretnike të një grupi tifozësh në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, që u zhvillua më 2 gusht në Kumanovë, u dënuan edhe nga subjekte të tjera politike shqiptare opozitare dhe deputetë në Maqedoni të Veriut, Kosovë e Shqipëri.
Nga Kosova kanë reaguar PDK, LDK, AAK... Ato kanë denuar aktin e përhapjes së urretjes dhe i kanë bërë thirrje kryeministrit në detyrë që ta denojë këtë vepër.
Sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, nenit 319, për thirrjet raciste dhe gjuhën e urrejtjes parashihen dënime të ashpra për këdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje apo jotolerancë mbi baza racore, fetare, etnike apo kombëtare.
Dënimet shkojnë nga një deri në pesë vjet. Maqedonia e Veriut ka 1.8 milion banorë dhe sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, 24.3 përqind e numrit të përgjithshëm janë shqiptarë. Por jozyrtarisht mendohet se numri është edhe më i lartë.