230309 USA Todesstrafe
27 Mars 2009Uashington, Vermont Avenue, në kryqëzim me rrugën e 11-të. Këtu ndodhet qendra për informimin për dënimin me vdekje. Një zyrë në katin e 7-të të një ndërtese që nuk bie në sy. Richard Dieter është që prej 17 vjetësh drejtor ekzekutiv i kësaj organizate. Juristi mbledh në zyrën e tij të gjitha informacionet, që kanë të bëjnë me dënimet me vdekje dhe me ekzekutimin e tyre në SHBA. Së fundi mediat amerikane botuan një lajm, i cili mund të konsiderohet edhe si sukses i punës së tij: "Që prej një dekade në SHBA nuk ka pasur më pak ekzekutimeve me vdekje, se sa vitin e kaluar," thotë spikeri i lajmeve. Në vitin 2008 u ekzekutuan 37 vetë, para dhjetë vjetësh ky numër ishte dyfish më i lartë. Këtij lajmi iu shtua edhe një lajm tjetër i mirë: guvernatori i New Mexico-s, Bill Richardson, pritet të nënshkruajë së shpejti ligjin për heqjen nga legjislacioni të dënimit me vdekje. Në këtë mënyrë dënimi me vdekje hiqet nga legjislacioni i 15 nga 50 shtete të SHBA-së.
Nga ana tjetër iniciativa ligjore e senatorit Russ Feingold, pritet të dështojë. Para disa ditësh ai paraqiti në Kongres një ligj, për heqjen e dënimit me vdekje në nivel federal. Për një gjë të tillë në kongres nuk pritet të ketë ndonjë shumicë, sepse sikurse thotë Richard Dieter:´"Dënimi me vdekje përdoret këtu për qëllime politike. Duke u shprehur pro ekzekutimeve politikanët duan të dëshmojnë se i kundërvihen me forcë kriminalitetit. Kjo pritet mirë në opinion. Gjithësesi duhet thënë se përqindja e kriminalitetit dhe e vrasjeve në SHBA është më e lartë se në Evropë apo Kanada.“
Kjo do të thotë, se dënimi kapital nuk i pengon vrasësit potencialë që ta kryejnë veprën e tyre. Por shumica e politikanëve amerikanë e injorojnë këtë fakt. Edhe presidenti Barack Obama u shpreh gjatë fushatës së tij elektorale pro dënimit me vdekje: "Në rrethana të caktuara unë e konsideroj dënimin me vdekje si të pranueshëm. Ka krime të tmerrshme si p.sh. terrorizmi apo shpërdorimi i fëmijëve, në të cilat dënimi me vdekje mund të jetë i justifikueshëm."
Por, ndërsa Barack Obama është një pasues i moderuar i dënimit me vdekje, në kampin republikan gjendja paraqitet ndryshe. Mbi 90 përqind e dënimeve me vdekje janë dhënë në shtetet jugore të SHBA-së, aty ku në pushtet janë shumica republikane. Gjysma e ekzekutimeve në të gjitha SHBA janë kryer në Teksas. Një përkrahës i fortë i dënimit me vdekje është Mike Huckabee, i cili ka nënshkruar në postin e tij të dikurshëm si guvernator i Arkansas-it një sërë vendimesh me vdekje. Së fundi ai u shpreh: "Unë besoj se në juridiksionin tonë duhet të ketë vend për dënimin me vdekje. Disa krime janë aq të tmerrshme dhe të ulta sa që kjo është e vetmja përgjigje e drejtë, që mund të kemi ne si shoqëri e civilizuar, për t'iu kundërvënë kësaj sjelljeje absolutisht të pacivilizuar.
Megjithë këto deklarata Richard Dieter, i zyrës së informimit për dënimin me vdekje nuk beson se ekzekutimet me vdekje do të kenë jetë të gjatë në SHBA, sepse: "Në rast se tentenca aktuale do të vazhdojë, pra që çdo vit nga një shtet federal ta shfuqizojë dënimin me vdekje, atëhere për 10 vjet në rreth gjysmën e shteteve federale nuk do të kemi dënim me vdekje. Në këtë rast mund t'i drejtohemi Gjykatës së Lartë dhe t'i themi se në parlamentet e landeve ka një shumicë që është kundër dënimit me vdekje. Dhe në këtë mënyrë kjo gjykatë mund ta shfuqizojë këtë gjë, për të gjithë vendin."
Autor: Klaus Kastan / Dr.Pandeli Pani
Redaktoi: Aida Cama