"Duhet të hyj në rolin e artistit" - Muzeu i falsifikuesve të veprave të artit në Berlin
6 Mars 2007Një atelje plot kthesa në një kopësht disi të fshehur në Neukölln në Berlin. Tre burra në moshë me mjekër dhe flokë të gjatë të dredhur qëndrojnë përpara një kanavaci. Ndërkohë që njëri prej tyre përzien nuanca të ndryshme ngjyrash në paletën e bojrave, dy të tjerët i hedhin ato në pëlhurë herë fare lehtë me ndihmën e disa furçave me qime të holla dhish e herë trashë me spatula.
Vetëm kur ecën disa hapa mbrapa arrin të njohësh veprën e artit mbi të cilën tre vëllezërit punojnë prej mëse gjashtë muajsh. Fjala është për një kopje të veprës së Rembrandt-it "Roja e natës" e cila i ngjan në mënyrë të pabesueshme origjinalit. Michael, Evgeni dhe Semjon Posin janë disa nga fallsifikuesit më të mirë të artit në Gjermani. Dürer, Renoir apo van Gogh - në ateljenë e tyre në Berlin gjen kryevepra të pesë shekujve të kaluar. Riprodhimi nuk është art mendon Evgeni Posin. Art është t'u japësh veprave shpirt:
"Të kopjosh një pikturë nuk do të thotë të riprodhosh. Piktura duhet të ketë të njëjtin efekt si origjinali. Kjo do të thotë të ndjekësh të njëjtat hapa si artisti. Për këtë duhet njohur teknika e tij, kushtet e jetës dhe duhet ta përdor furçën njëlloj si ai. Unë duhet pra t'a vendos veten në rolin e artistit."
Para së gjithash kjo do të thotë të pikturohet me të njëjtën shpejtësi ai artisti. Kështu një pikturë e Rafaelit apo Rubensit mund të zgjasë disa muaj. Përkundrazi një pikturë impresioniste duhet të lindë në vrull e sipër brenda pak orësh. Zanatin e nevojshëm vëllezërit Posin e kanë mësuar në akademinë e arteve në Shën Petërburg. Të tre janë piktorë dhe historianë arti të formuar. Njëri pas tjetrit ata u larguan nga Rusia në vitet '80. Arsyeja - ata nuk dëshëronin të kufizoheshin me realizmin socialist dhe artin propagandistik, përkundrazi dëshëronin të ishin të hapur për të gjitha epokat dhe shkollat e artit. Në Gjermani ata nisën fillimisht për arsye financiare të kopjonin vepra të shquara. Ndërkohë ata janë nga më të mirët në zanatin që ushtrojnë.
"Gjithçka bëhet në mënyrë krejt të ligjshme dhe ne nuk përpiqemi t'i shesim veprat tona si origjinalë, ne nuk mashtrojmë. Duhen patur parasysh vetëm këto rregulla: piktura duhet të jetë pak më e vogël ose më e madhe, të ndryshojë pak centimetra nga origjinali. Dhe artisti duhet të ketë vdekur prej të paktën 70 vjetësh."
Të domosdoshme për punën e vëllezërve janë hulumtimet mbi origjinalin. Në vend që të shfletojnë katallogët e pikturave ata i shohin vetë origjinalët në muzeume. Vetëm për kopjen e Mona Lisa-s së Da Vinci-t ata kaluan një vit në Louvre. Një punë kaq e kujdesshme ka çmimin e vet. Një kopje e vërtetë Posin kushton nga 400 deri 20.000 euro. Klientët e tyre janë nga Japonia, SHBA dhe Australia - arkitektë të rinj që porosisin vepra abstrakte nga Malevitsch apo pensionistë që duan të kenë në dhomën e ndënjes "Lepurin" e Dürer-it. Sipërmarrësi Gerold Schellstede ka blerë 50 kopje të dala nga duart e vëllezërve Posin. Në verë ai dëshëron të hapë në Brandenburg një muze fallsifikimesh me veprat.
"Përse e bëjmë këtë? Sepse shumë njerëz nuk janë aspak në gjendje të shohin këto piktura në muzeumet Louvre në Paris apo Prado në Madrid. Atyre u mungojnë paratë dhe nganjëherë u mungon pak edhe aftësia për të kuptuar artin. Ne duam t'ua heqim njerëzve frikën e kontaktit. Ndoshta përmes vizitës tek ne zgjojmë tek njerëzit interesin për të parë origjinalët për të bërë kështu krahasimin."
Deri në hapjen e muzeut vëllezërit Posin kopjojnë sa kanë mundësi dhe çfarë dëshiron klienti. Një pikturë në stilin e Monet me një motiv që artisti nuk e pikturuar kurrë? Asnjë problem! Apo në 50 vjetorin e gruas një potret të saj në stilin e pikturave të Vermeer-it? Edhe kjo është e mundur!
Pikturat e vëllezërve Posin duken aq të vërteta sa dikush është përpjekur madje të shesë si origjinalë dy kopje të tyre nga William Turner. Por për vëllezërit tregu kriminal i artit është tabu. Ata e konsiderojnë veten më shumë "piktorë dedektivë" dhe "artizanë" në gjurmët e artistëve të mëdhenj. Por edhe për kopjues të stërvitur si ata ka ende sfida dhe shkallë vështirësie.
"Teknika më e thjeshtë është vaji. Piktorët që kanë pikturuar me tempera, p.sh. nga Rilindja e hershme kur nuk kishte ende bojëra në vaj janë shumë të komplikuar për t'u riprodhuar. Tempera është një bojë e fortë dhe shumë e vështirë për t'u korrigjuar. Kur thahet ajo bëhet e fortë gur."
Për këtë arsye vëllezërit Posin duhet të punojnë me shumë kujdes me "Rojen e natës" të Rembrandt-it. Nëse shtresa e bojës hidhet gabim në pëlhurë efekti e thellësisë së pikturës zhduket dhe loja e dritës dhe hijes nuk funksionon më. Por pikërisht në këto detaje qëndron e veçanta e kryeveprave thonë vëllezërit Posin. Kjo gjë i mungon pikturës bashkëkohore. I fundit që ka nxjerrë nga duart piktura të përsosura dhe të harmonizuara ka qenë sipas tyre Picasso. Për të kopjuar zyrtarisht pikturat e tij vëllezërve u duhet të presin edhe disa vjet. 70 vjetori i vdekjes së piktorit të famshëm është në vitin 2043 dhe vetëm atëherë vepra e tij mund të kopjohet nga fallsifikuesit e ndershëm.