Dueli i dy zëvendësve - Biden kundër Ryan
12 Tetor 2012Në duelin e tyre të vetëm në televizion në fushatën elektorale në SHBA, kandidatën për postin e zv/presidentit zhvilluan replika të ashpra. Veçanërisht në çështjet e politikës së jashtme pati debat të ashpër mes zv/presidentit në detyre Joe Biden dhe republikanit Paul Ryan. Ryan e akuzoi presidentin Obama për dobësi në drejtim. Sipas tij qeveria kishte dështuar paraprakisht në sulmin vdekjeprurës terrorist ndaj konsullatës së SHBA-së në Bengazi. Biden i cilësoi deklaratat e Ryan shprehimisht si "marrëzi". Zëvendësi i Obamës i akuzoi republikanët se zmadhojnë në mënyrë të tepruar kërcënimin nga programi bërthamor iranian. Irani është ende larg armëve bërthamore, tha Biden.
Sa i takon ekonomisë, republikani Ryan vuri në dukje se qeveria nuk ia ka dalë mbanë të krijojë kushte për rritje ekonomike në katër vite të mandatit të saj. Ndërsa Biden kritikoi planet për tatime të republikanëve. Për të ulur taksat e shumë të pasurve, merret peng shtresa e mesme, tha zv/presidenti Joe Biden.
Në një reagim të parë të dy kundërshtarët morën lëvdata nga shefat e tyre. "Jam shumë krenar për të", tha Obama për zëvendësin e tij dhe lëvdoi në veçanti angazhimin e Biden për shtresën e mesme. Edhe Romney u shpreh mjaft i kënaqur. Ai zhvilloi një debat "të shkëlqyer", tha Romney.
Dueli mes 69-vjeçarit Biden dhe kandidatit republikan vetëm 42 vjeçar Ryan pritej me shumë interes. Presidenti Obama në debatin e tij të parë televiziv me sfiduesin në zgjedhjet parlamentare, republikanin Romney, dha një paraqitje të papritur të dobët dhe si pasojë republikanët kanë fituar pikë në sondazhe.
Aktualisht mes kandidatëve zhvillohet një garë kokë më kokë. Në 16 dhe 22 tetor zhvillohen dy sondazhe të tjera në televizion mes Obamës dhe Romney-it. Zgjedhjet presidenciale në SHBA mbahen në 6 nëntor.