Buxheti i SHBA-së - Kërcënim shumëdrejtimësh
28 Shkurt 2013Për shëndoshjen e financave shtetërore nuk dallohet gatishmëri për kompromis as te demokratët dhe tas e republikanët, pavarësisht shkurtimeve masive automatike që i kërcënohen buxhetit të SHBA-së nga 1 marsi. Në këtë raund të fundit të 18 muajve me ngjarje tronditëse në botën fiskale partitë qëndrojnë përballë njëra-tjetrës si sherrxhinj.
Me të ashtuquajturin "sequestering" duhet të kursehen deri në fund të vitit buxhetor 2013 85 miliardë dollarë. Kjo përbën një reduktim të madh në buxhetin e mbrojtjes dhe atë social. Në 10 vitet e ardhshme parashikohen më tej shkurtime prej 1,2 miliardë dollarësh. Në fakt këto masa ishin planifikuar si strategji, në mënyrë që demokratët dhe republikanët të merreshin vesh për një plan të balancuar për uljen e deficitit buxhetor. Sekuestrimi nuk duhet të hynte kurrë në fuqi.
Mirëpo tani po shuhen shpresat për marrëveshje. Kampet politike ia hedhin fajin njëra-tjetrës dhe Uashingtoni gjendet në prag të të hequrit vetes mjetet e jetesës.
Paralajmërim për pasojat
Partitë nuk janë të gatshme të merren vesh për shkurtime, sepse zgjedhësit e tyre do t'i bënin përgjegjëse për pasojat ekonomike, mendon Ron Haskins, ekspert për çështje të buxhetit në Institutin Brookings në Uashington. Ato janë sa vjen e më shumë të gatshme që të lejojnë hyrjen në fuqi të sekuestrimit, në mënyrë që të tregojnë respektivisht me gisht palën tjetër."Nuk besoj që ato i kanë menduar në mënyrë racionale deri në fund pasojat", shpjegon Haskins në bisedë për Deutsche Welle-n. "Me gjasa ato mendojnë para së gjithash, se më pas mund t'i ngarkohet faji kampit tjetër (së paku kështu shpresojnë)."
Lojë force
Zhvillimet aktuale tronditëse në planin fiskal nisën në korrik 2011, kur Kongresi deshi të ngrinte kufirin e sipërm të borxheve. Në të kaluarën kjo nuk paraqiste gjë të jashtëzakonshme e kryhej në mënyrë që qeveria të mund të paguante faturat e papaguara.
Por republikanët, të forcuar nga suksesi i tyre në zgjedhjet e 2010-s për Kongresin, këmbëngulën për shkurtime në shpenzimet shtetërore pas 10 vjetësh rritjeje galopante të shpenzimeve nën udhëheqjen e George W. Bushit e më vonë të Barack Obamës.
Për herë të parë në histori, gjatë grindjes për limitin e sipërm të borxheve u ul besueshmëria financiare e SHBA-së. I frymëzuar prej një ujdie gjatë presidencës Reagan për uljen e deficitit buxhetor, presidenti Obama propozoi sekuestrimin, për t'i dhënë fund situatës pat. Gjykimi ishte ky: Në qoftë se Kongresi nuk do të bjerë dakord vullnetarisht për shkurtime të arsyeshme, atëherë do të ketë shkurtime automatike për një periudhë prej 10 vjetësh.