"Dita pa emigrantë" në SHBA
4 Maj 2006"Dita pa emigrantë" u bë në SHBA ditë e emigrantëve. Që nga Los Angeles në Bregun Perëndimor deri në Uashington në Bregun Lindor, nga Florida në jug deri në Cikago në veri, njerëzit dolën në rrugë dhe mbizotëruan me flamurë amerikanë dhe me kërkesat e tyre lajmet televizive dhe ato radiofonike. Qindra mijëra vetë ndoqën thirrjen për bojkotim dhe nuk shkuan në punë ose në shkollë, por demonstruan kundër ashpërsimit të planifikuar të ligjeve të emigrimit.
Nxënësja Xhiovanni Gomez thotë në Los Angeles se me këtë protestë paqësore emigrantët kërkon të tregojnë se në ç'masë kontribuojmë ne për ekonominë e SHBA.
"Eshtë e rëndësishme, dhe këtë duhet t'ua tregojmë të gjithëve në vend."
Sigurisht, thirrja për bojkot është e diskutueshme- disa organizata emigrantësh nuk e mbështesin atë dhe jo kudo punëtorët qëndruan nëpër shtëpi. Në Uashington, tregon Ron Alvares, shef i një dyqani buke, bojkoti nuk e kishte prekur thuajse fare.
"Vetëm dy vetë thirrën dhe thanë se do të shkojnë në manifestim".
Në SHBA jetojnë rreth 11 milionë emigrantë ilegalë. Si duhet të veprohet me ta, diskutojnë prej muajsh politikanët në Uashington, pa përvijuar dot ndonjë zgjidhje. Nga njëra anë, Dhoma e Përfaqësuesve është shprehur për një kurs më të fortë të mbylljes ndaj emigrantëve, nga ana tjetër, demokratët dhe republikanët kërkojnë ndonjë kompromis në senat. Ai synohet t'u mundësojë emigrantëve që të qëndrojnë në SHBA, aq më tepër kur në thelb ata janë të pazëvendësueshëm për ekonominë amerikane.
Me një kuotë papunësie prej rreth 5 për qind, nuk zë vend argumenti se emigrantët po u marrin vendet e punës amerikanëve. Për më tepër, shumë prej tyre bëjnë punë, që nuk do t'i bënte asnjë amerikan, si përshembull në vjeljet në bujqësi ose në ndërtim. Megjithatë, paga e tyre shpesh është nën pagën minimale shtetërore. Presidenti Bush ngul këmbë prej shumë kohësh që emigrantët të trajtohen duke ua respektuar dinjitetin- edhe nëse nuk është shumë i entuziazmuar nga ideja për ta kënduar spanjisht himnin amerikan.