Ditët e kulturës hebreje në Berlin
3 Shtator 2007Në lagjen berlineze Prenzlauer Berg u rihap të premten pas shumë vitesh restaurim sinagoga më e madhe gjermane. Ajo është një prej sinagogave të pakta, të cilave nuk iu vu zjarri në Natën e Pogromit të vitit 1938. Mjedisi që zë 1.200 vetë për lutje dhe koncerte karakterizohet nga ditare të mëdha me xhama me ngjyrë dhe nga zbukurime madhëshote. Rihapja e sinagogës është njëkohësisht fillimi zyrtar i sezonit të 21-të të ditëve të kulturës hebreje në Berlin. Programi i tyre është sa modern aq edhe tradicional: yje izraelite të muzikës pop, muzikë e ndaluar, muzikë reggae, rap dhe ekspozita: të gjitha këto; të gjitha këto dhe shumë më tepër mund të përjetojnë gjatë dhjetë ditëve të veprimtarisë berlinezët dhe vizitorët. Silke Bartlick informon.
Diçka të tillë nuk ka pasur ndonjëherë: për të parën herë në historinë e tyre 21 vjeçare ditët e kulturës hebreje filluan me një shërbesë fetare: në sinagogën në Rykestraße, e cila u përurua sërish publikisht pas rinovimit trevjeçar dhe sjelljes solemne të rrotullave të torës.
'Ne jemi rikthyer vërtet nga vdekja në jetë. Kjo ishte dhe është një dhuratë e pakonceptueshme e zotit për të gjithë ne.'
Prandaj tha në fund të predikimit të tij rabini Chaim Rozwaski: 'Sot festojmë të ardhmen.' Të ardhmen e bashkësisë hebreje të Berlinit, e cila falë imigrantëve të shumtë para së gjithash nga Evropa Lindore po përjeton një lulëzim të ri, megjithëse jo pa konflikte; dhe të ardhmen e sinagogës më të madhe gjermane, e cila u përdhos në Natën e Pogromit të vitit 1938, por nuk u shkatërrua.
'Dëgjojmë shpesh argumentin se sinagoga është tepër e madhe. Nuk e di: askush nuk mund ta parashikojë të ardhmen dhe ne kemi shansin për të ardhme. E ardhmja është gjithnjë e hapur. Askush nuk e di se çfarë sjell ajo, por pa shpresë dhe pa besim nuk bëhet.'
Hermann Simon, drejtori i 'Centrum Judaicum' në Berlin, ka një marrëdhënie shumë personale me sinagogën në Rykestraße. Sepse për shumë vite, derisa u rrëzua Muri i Berlinit, shtëpi a e zotit në pjesën lindore të qytetit ishte sinagoga e tij. Ajo ishte e vetmja në gjithë Republikën Demokratike Gjermane. Në të ardhmen ndërtesa e rinovuar në mënyrë madhështore, e ndërtuar me forma neoromano-orientale, dhe që nxë 1.200 njerëz nuk do të jetë vetëm vend lutjeje, por edhe forum takimi dhe tribunë e artit.
Paraqitjen e parë e ka superstari i muzikës izraelite Davis Broza, muzika folk-pop e të cilit karakterizohet nga ndikimet kulturore të Izraelit, nga shkëmbimet me artistët e rajonit dhe nga konflikti i Lindjes së Afërme. Një artist i radhës së parë në lëvizjen e paqes, për të cilin është e vetëkuptueshme që një yll izraelit duhet të ndëmarrë edhe nisma politike. Jo më kot e ka ftuar atë në festival Peter Sauerbaum-i, drejtuesi artistik i ditëve të kulturës hebreje.
'Ditët e kulturës hebreje janë gjithnjë edhe një akt vetësigurimi për bashkësinë hebreje. Por jo vetëm për bashkësinë hebreje, ato merren edhe me historinë, traditën dhe me perspektivën. Nga ky këndvështrim në to kanë vend edhe qytetarët johebrenj dhe ata ftohen përzemërsisht në këtë veprimtari; ajo është ideuar për këtë qëllim.'
Para Luftës II Botërore bashkësia hebreje në Berlin kishte midis 270.000 dhe 280.000 anëtarëve, sot ata janë pak më shumë se 12.000. Shumica numërohet si pjesë e krahut liberal. Hebrenjtë ortodoksë janë pakicë në Berlin. Nga ana tjetër sfida paraqet integrimi i imigrantëve evropianolindorë, sepse shumë prej tyre i kanë humbur rrënjët kulturore gjatë regjimeve socialiste.
Historinë e tyre e skicon gjatë ditëve të kulturës hebreje ekspozita për qytetin Lviv, i cili gjendet sot në Ukrainë, ka qenë më parë sovjetik dhe në fillim të shekullit XX ka qenë herë pjesë e perandorisë së Habsburgëve dhe herë pjesë e Polonisë. Lvivi ka qenë dikur një qytet shumëetnik në qendër të hebraizmit.
'Përbërja e popullsisë në Lviv pas Luftës II Botërore ka qenë krejt e ndryshme nga ajo e vitit 1939. Pothuajse nuk kishte më hebrenj, as polakë, ishte një pjesë e ukrainasve që nuk u deportuan apo nuk u vranë në luftë, por pjesa tjetër e popullsisë ishin njerëz të ardhur në Lviv.'