Direktiva për një politikë feministe.
1 Mars 2023Ministritë e Punëve të Jashtme dhe të Zhvillimit do të aplikojnë në të ardhmen koncepte për një politikë që synon forcimin e të drejtave të barabarta të grave. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock dhe Ministrja e Zhvillimit Svenja Schulze paraqitën së bashku direktivat e tyre në Kabinetin Federal.
"Ne nuk po shpallim një revolucion, ne po bëjmë diçka të vetëkuptueshme," tha Baerbock pas takimit. Eshtë zbatuar ajo që parashikohet në Ligjin Themelor dhe në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut. Politika feministe e jashtme dhe e zhvillimit duhet të shtrihet "në të ardhmen në të gjitha fushat" e veprimit të politikës së jashtme, tha Baerbock.
Ajo foli edhe për një "feminizëm të vërtetë”. Është një qasje pragmatike. Nëse gjysma e shoqërisë botërore përbëhet nga gra, ato duhet të merren parasysh. Strategjia duhet të ketë gjithashtu një ndikim të brendshëm.
Schulze: Mos hiqni dorë nga potenciali
"Ne duam t'i bëjmë shoqëritë më të drejta. Dhe për këtë, bga gjysma e potencialit, domethënë gratë, nuk mund të hiqet dorë, por ato duhet të merren parasysh," shtoi Ministrja e Zhvillimit Schulze.
Nëse gratë mund të vendosin vetë kur dhe me kë duan të kenë fëmijë, kjo do të thotë se vajzat e reja mund të përfundojnë shkollimin e tyre, tha Schulze. Ata do të kenë mundësinë të kenë një punë dhe të jenë në gjendje të mbajnë veten.
Barazia si kusht
Ministria e Zhvillimit e kishte paraqitur planin e saj që në mëngjes. Koncepti duhet të jetë i rrënjosur në bashkëpunimin me vendet partnere. Deri në vitin 2025, më shumë se 90 për qind e fondeve të reja të alokuara për projekte nga Ministria e Zhvillimit pritet të shpenzohen për projekte që avancojnë barazinë gjinore. Në vitin 2021, kjo shifër ishte rreth 64 për qind.
Të paktën 50 për qind e pozitave drejtuese në Ministrinë e Zhvillimit duhet të mbahen nga gratë. Në organizatat ndërkombëtare si OKB, Banka Botërore dhe BE, ministria dëshiron të vendosë në rendin e ditës politikën feministe të zhvillimit.
Kritika ndaj këtyre koncepteve vjen nga opozita CDU/CSU dhe grupi parlamentar I Majtë – por edhe nga radhët e partnerit të koalicionit, FDP. Zëvendësshefi i kësaj të fundit, Wolfgang Kubicki, tha për median dixhitale "Table.Media": "Unë nuk mendoj shumë për konceptin e politikës së jashtme feministe, sepse ka të bëjë më pak me arritjen e përmirësimeve diplomatike dhe më shumë për të kënaqur emocionalisht njerëzit aktorë të brendshëm politikë”.
"Konceptet shkruhen më lehtë"
Eksperti i Çështjeve të Jashtme të CDU-së, Jürgen Hardt kritikoi Baerbock-un se ishte shumë hezituese në lidhje me Iranin përballë direktivave të saj të reja. "Duke u pozicionuar menjëherë dhe pa mëdyshje përkrah grave që protestojnë në Iran, qeveria federale mund të kishte treguar se çfarë do të thotë një politikë e jashtme feministe në praktikë”, tha ai për agjencinë e lajmeve dpa. "Është më e lehtë të shkruash koncepte sesa të kesh guximin apo edhe kapitalin politik për të mbështetur aktivisht gratë."
Liderja e Partisë E Majta Janine Wissler tha për gazetat e grupit mediatik Funke se eksportet e armëve në Arabinë Saudite ose marrëveshjet e gazit të lëngshëm me Katarin nuk janë një shprehje e një politike të jashtme feministe ose të bazuar në vlera. "Kushdo që lejon eksportimin e armëve në vendet ku shkelen të drejtat e grave dhe të drejtat e njeriut, nuk mund ta përmbushë me besueshmëri këtë kërkesë”.
aud (tgsch, dpa)