Dhoma e Ulët e Kongresit amerikan voton pro marrëveshjes për të shmangur thellimin e borxhit
2 Gusht 2011Ligjvënësit amerikanë, të cilët janë pjesë e Dhomës së Ulët në Kongresin e SHBA-së, aprovuan një marrëveshje në orët e vona mbrëmjen e së hënës (01.08.2011), për të ngritur kufirin e borxhit federal, në një seancë maratonë, që zgjati 11 orë, u votua për të shmangur krizën. Dhoma e Përfaqësuesve kaloi kompromisin e diskutueshëm me 269 vota pro, dhe 161 kundër, edhe pse duhet që OK përfundimtar ta japë senati amerikan.
Demokratët madje ishin të ndarë edhe në qëndrimin e tyre për faturën duke u ndarë në 95 pro, dhe 95 kundër, ndërsa 174 Republikanët votuan pro masave financiare, kundrejt 66 që dolën kundër.
Dy hapa për të ngritur tavanin e borxhit
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner, një Republikan, tha se ky rezultat justifikon muaj të tërë negociatash. “Procesi është në rrugën e duhur. Ndoshta nuk është shumë adapt por po funksionon” tha ai për CNN.
Liderja e Demokratëve Nancy Pelosi shfaqi pakënaqësitë e saj për votimin por sërish ishte e dyzuar në mendim: “Nuk jam e kënaqur me këtë marrëveshje por duhet të mendojmë se çfarë do të ndodhte nëse ne do të kalonim në krizë” tha Pelosi.
Moment i rrallë uniteti
Një dështim i planit të masave nga ana e SHBA-së, mund të çojë në rënien e nivelit të Dollarit amerikan dhe rritjen e normave të interesit, dhe kjo nënkupton që Uashingtoni duhet të paguajë që të marrë hua, dhe të ketë kredi. Marrëveshja e aprovuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, e ngre kufirin e borxhit me 2.4 trilionë dollarë nga 14.3 trilionë që është aktualisht, duke bërë që të kursehen të paktën 2.1 trilionë dollarë në 10 vjet.
Në një moment të rrallë kur shihet uniteti në të gjithë sallën e Dhomës së Përfaqësuesve, delegatët duartrokitën në momentin kur hyri ligjvënësja demokrate Gabrielle Giffords. Ajo u rikthye për herë të parë në Dhomën e Përfaqësueve që prej incidentit në janar, kur u qëllua me plumb në kokë në shtëpinë e saj në Arizona.
Autor: Richard Connor /Aurel Borici
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora