Deutsche Bank e SHBA
22 Shkurt 2012Rreth një milionë shtëpi administron Deutsche Bank në SHBA, shumë prej tyre kanë dalë në ankand. Lagje të tëra janë mbushur me shtëpi të zbrazura, që janë duke u rrënuar. Komunat dhe të prekurit duan të mbrohen dhe përpiqen të padisin bankat. Kështu edhe kundër Deutsche Bank-ës janë duke zhvilluar hetime shumë prokurorë. Lawrence White është profesor i financave në Universitetin e Nju Jork-ut.
"Fondet e pensioneve që kanë bërë investime kanë ngritur padi kundër shumë agjencive të vlerësimit, kunder agjencive të shërbimit. Por këto procese zgjasin shumë kohë, edhe nëse nuk do të vinin më padi të tjera, për zgjidhjen e çështjeve të vjetra duhen dy deri tre vjet."
Paketa financiare pa vlerë edhe nga Deutsche Bank
Tani, autoritetet amerikane për kontrollin e bursës SEC, janë fokusuar mbi bankën gjermane. Edhe Deutsche Bank ka nxjerrë me dijeninë e saj paketa letrash me vlerë për hipoteka pa vlerë dhe ua ka shitur investorëve të paditur. Një rast i tillë i kushtoi bankës së investimeve Goldman Sachs dy vjet më parë rreth 550 milionë dollarë pagesa dëmshpërblimesh.
"Ata kishin krijuar një produkt financiar, në të cilin ishin ndërthurur letrat me vlerë të hipotekave, për të cilat kishte punuar një palë e tretë, menaxheri i fondit Hedge John Paulson, në mënyrë që të vinte bast kundër tyre. Investorët nuk dinin asgjë nga këto."
Produkti financiar doli në treg nën emrin Abacus. Sipas thashethemeve edhe Deutsche Bank duhet të ketë bërë të njëjtën gjë. Autoritetet për kontrollin e bursës nuk kanë folur ende zyrtarisht për këtë. Yves Smith është eksperte bankash në firmën këshilluese Aurora Advisors në Nju Jork dhe autore e blogut financiar “naked capitalism” – kapitalizëm lakuriq.
"Ata morën 55 milionë për shkak të Abacus-it. Deutsche Bank ka nxjerrë një produkt gati identik, me emrin "Start". Pse nuk u morën ata menjëherë me Deutsche Bank-ën?"
Shpresa për dëshmi
Me „Abacus“-in u kapën "Goldman-ët", sepse në shesh dolën emaile, që kishin këmbyer bankierët, të cilat tregonin se ata kishin dijeni për kualitetin e keq të produktit. Tek Deutsche Bank përgjegjës për këtë produkt ishte tregtari Greg Lippman, i njohur ndërkohë për këto produkte investimi të bankave. Yves Smith mendon se SEC do të gjejë edhe këtu dëshmi.
"Greg Lippmann është llafazan. Shanset që ai të ketë këmbyer emaile ose të këtë folur nëpër takime gjëra që e rëndojnë janë të mëdha. Kurse tek Goldman, unë kam punuar shumë kohë atje, tregohet shumë kujdes kur flitet. Kur kapën Goldman-in, ata po të duan e kapin edhe Deutsche Bank."
Smith-i, nuk është e çuditur pse fillohet vetëm tani kërkimi tek Deutsche Bank. Në shtypin gjerman lexohet se Deutsche Bank ka qenë më e zonja se bankat konkuruese amerikane. Kjo nuk është e vërtetë thotë Smith:
"E gjitha ka ndodhur vetëm për shkak të Robert Khuzami-t! Deutsche Bank ka pasur fat, sepse hetuesi më i lartë i Autoriteteve amerikane për kontrollin e bursës, ka punuar në vitet kritite 2004 deri 2009 në sektorin juridik të Deutsche Bank. Përndryshe Deutsche Bank do të kishte qenë banka e parë e huaj që do të ishte hetuar me bankat e para."
Autor: Miriam Braun/ Aida Cama
Redaktoi: Auron Dodi