Deri tani Kina ka qeshur kur i kanë bërë presion publik
28 Gusht 2007Për temën e parë, zjarret në Greqi dhe dëmet që kanë shkaktuar ato, në gazetën FRANKFURTER RUNDSCHAU lexojmë:
"Katastrofa nxjerr në pah edhe gabime të rënda, për të cilat mbajnë përgjegjësi të gjitha qeveritë e dekadave të fundit. Tradicionalisht, tregohet kujdes për një numër shumë të vogël pyjesh. Administratave të pyjeve u mungojnë paratë, aparaturat dhe personeli. Prandaj vënësit e zjarreve e kanë të lehtë, që me një fitil ta shndërrojnë një pyll të pavlerë për ta në tokë ndërtimi fitimprurëse. Edhe fakti që Greqia është vendi i vetëm i BE, e cila nuk ka një kadastër, një libër themeltar nacional, ua lehtëson spekullantëve të tokës biznesin e tyre. Përvojat e mëparshme e tregojnë: pas një afati prej disa vjetësh, toka e djegur pyjore shpesh shpallet tokë ndërtimi, para së gjithash, nëse edhe vetë jep një soj "ndihme" në këtë drejtim me një zarf me para te zyra e autoriteteve të ndërtimit."
FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG pyet:
"Po pse nuk mbjellin (në Greqi)- si në Bullgari- akacie si barriera zjarri midis pyjeve halorë? Përse nuk rimodelohet në mënyrë radikale pylli, si në Brandenburg, në landin gjerman që ka më shumë djegie pyjesh, duke i zëvëndësuar pishat e bredhat që digjen lehtë me pemë me gjethe, më të vështira për t'u djegur? Pse nuk veprohet në mënyrë të vendosur kundër depove ilegale të plehrave? Pse nuk sqarohet më mirë populli për pasojat që ka djegia e tokave bujqësore? BE, i cili ka ngritur agjenci për shumë probleme, në kohët e ndryshimit klimaterik duhet ta pajisë më mirë zyrën e tij për mbrojtjen nga katastrofat. Sepse disa shtete anëtare nuk dinë ta ndihmojnë veten"
Ndërrojmë temë: vizita në Kinë e kancelares gjermane Angela Merkel komentohet në disa gazeta gjermane. Kështu në gazetën NEUE WESTFÄLISCHE ndër të tjera lexojmë:
"Që dy shtete janë të varura nga njëra-tjetra, ky nuk duhet të jetë patjetër një parakusht i keq për marrëdhënie të mira. Një politikane e cila kalkulon në mënyrë të ftohtë si shkencëtarja e shkencave të natyrës, Merkel e ka marrë parasysh këtë në llogaritë e saj. Ajo e di se çfarë duhet të thotë dhe në ç'masë ta thotë. Vecanërisht në temën e mbrojtjes së klimës, qëndrimi i qeverisë kineze mund të parashikohet më lehtë. Mund të jetë e vërtetë që Pekini nuk ka dëshirë t'u hyjë detyrimeve për një reduktim të gazrave të efektit serë. Por edhe oligarkëve të udhëheqjes së shtetit dhe të partisë në Kinë po u mbarohet ajri. Instinkti i mbrojtjes sw vetes do të shërbejë si rregullator."
Ja edhe mendimi i gazetës ABENDZEITUNG që del në Mynih (München):
"Te presidenti amerikan Bush, Merkeli nuk e kurseu temën e Guantanamos, presidentin e Rusisë, Putin, ajo e konfrontoi me mënyrën e tij të veprimit në Ceceni. Dhe tani në Kinë, ajo përmendi fjalën "e keqe"(për kinezët), të drejtat e njeriut. Shtrohet pyetja: sa sukses do të ketë Merkeli? Deri tani Kina ka qeshur kur i kanë bërë presion publik. Nga ana ekomike, ky vend sidoqoftë ka në duar pjesën më të gjatë të litarit. Por për shkak të Olimpiadës së Vitit 2008 Kina është e interesuar që të ketë edhe reklamë pozitive. Ndoshta është ky shansi për ta nxitur Pekinin për t'u hapur. Por në plan afatgjatë kjo mund të ketë sukses vetëm nëse Perëndimi flet me një zë. Për aq kohë sa Merkeli mbetet e vetmja që gjen fjalë të drejtpërdrejta me Pekinin, ajo mund të arrijë pak."
Dhe së fundi gazeta NORDBAYERISCHER KURIER që botohet në Bajrojt (Bayereuth):
"Marshimi i gjatë i Kinës në krye të botës bëhet me precizionin e një ore zvicerane. Prej 20 vjetësh perandoria gjigante ka rritje ekonomike prej rreth 10 përqind dhe pas SHBA, Japonisë dhe Gjermanisë është fuqia e katërt ekonomike në botë...Kur lulëzon tregtia, politika e ka të lehtë. Ndërthurja e dy fuqive ekonomike e nxit zhvillimin social dhe politik të Kinës. Prandaj kancelarja duhet të gjejë herë pas herë guxim që me butësi, por me këmbëngulje të kërkojë demokraci dhe mbrojtje të klimës. Nuk ka rrugë tjetër. As për perëndimin, as për Kinën."