Divac dhe Petroviq
9 Qershor 201319 gushti i vitit 1990: kombëtarja në basketboll e Jugosllavisë është në epërsi në finalen e Kampionatit Botëror kundër BRSS. Në minutën e 5 rezultati është 18 me 9, por trajneri Dushan Ivkoviq nuk është i kënaqur. Me duar gjestikulon dhe kërkon një lojë më të shpejtë, më dinamike. Lojtarët e tij kryesor janë Drazhen Petroviq dhe Vllade Divac - si gjithmonë. Ata janë ndër lojtarët më të mirë që ka pasur Jugosllavia. Serbi Divac dhe kroati Drazhen Petroviq, të cilët filluan përafërsisht së bashku karrierën shpejt u bënë miq. Trajneri Dushan Ivkoviq kujton: "Ata kanë qenë miq të pandashëm. I ka lidhur sporti dhe janë rritur së bashku. Ka qenë kjo një gjeneratë shumë e talentuar, një gjeneratë e miqve të mëdhenj."
"Gjenerata e artë" është quajtur ekipi ku luanin së bashku Vllade Divac dhe Drazhen Petroviq. Në kombëtare kishte lojtarë nga të gjitha anët e ish-Jugosllavisë. Dallimet fetare dhe etnike në atë kohë nuk luanin ndonjë rol të rëndësishëm në sport.
Ja shikoni, ky ishte ekipi ynë - ka pasur serbë, kroatë, sllovenë, boshnjakë. Kjo ishte në vitin 1989, kur fituam titullin e kampionit evropian. Pak muaj më vonë Drazheni dhe kaluam në ligën më të fuqishme në botë, në NBA", shpjegon Vllade Divac.
Kujtimet e Vllade Divacit
Divac nuk i largon sytë nga kjo foto për një kohë të gjatë - pa thënë asnjë fjalë. Kujtimet kthehen në kohën e Jugosllavisë pa kufi të brendshëm. Në fund të viteve 80-të, Vllade Divac kaloi në njërin prej ekipeve më të njohura të NBA, Los Angeles Lakers. Ndërsa miku i tij Drazhen Petroviq shkoi në Portland Blazers. NBA ishte për ta një ëndërr e kahershme. Por shumë shpejt nga vendlindja arritën lajme të cilat ndikuan edhe rrugët e tyre, miqësinë e tyre.
"Në fund të viteve 80 askush nuk llogariste me mundësinë e luftërave. Ne kurrë nuk kemi pyetur se kush nga cila republikë vjen. Thjesht kemi luajtur basketboll së bashku - për ne, për Jugosllavinë. Por në fillim të viteve 90-të edhe na na ka përfshirë vala e nacionalizmit në Ballkan. Ne u detyruam të identifikohemi me një nacionalitet", shpjegon ai.
Kujtimet e nënës së Drazhenit
"Drazheni dhe Vllade kane qenë në fillim të karrierës në NBA në kontakt të përhershëm. Ata e kanë ndihmuar dhe e kanë qetësuar njëri-tjetrin në kohërat e vështira. Por dikur erdhi lufta në ish - Jugosllavi dhe e shkatërroi këtë miqësi. Ata më nuk ishin aq të afërt, e përshëndesnin formalisht njëri - tjetrin, por nuk bisedonin më shumë. Kështu u shkatërrua miqësia e tyre, si që u shkatërruan edhe shumë gjëra të tjera. Për këtë nuk kanë qenë fajtorë as Drazheni dhe as Vllade", kujton nëna e Drazhen Petroviqit, Biserka Petroviq, e cila jeton në Zagreb dhe drejton qendrën memoriale të të birit të saj, të vdekur në fatkeqësi komunikacioni. Vllade është kthyer pas karrierës së tij në NBA në Serbi. Tani nuk kërkon përgjigje për të kaluarën, por dikur ishte i interesuar shumë për shpjegime.
"Pas shpërthimit të konfliktit, secili prej nesh ka kërkukar një shpjegim të gjërave që po ndodhnin. Unë e kam ditur se çfarë po ndodhte në Serbi. Më ka interesuar edhe për ngjarjet në Kroaci, por Drazheni dhe kroatët e tjerë në NBA nuk kanë dashur të flasin për këtë. Gjithmonë më kanë thënë: 'Ne do të flasim kur të përfundojnë të gjithat, por jo tani'", thotë Divac.
Ekipi i dikurshëm u shkatërrua. Politika e mundi sportin. Miqtë Drazhen Petroviq dhe Vllade Divac kanë mbetur të ndarë përgjithmonë. Një shpjegim për kohën e kaluar nuk do të ketë kurrë, sepse fati e deshi që Drazhen Petroviq, me 7 qershor 1993, të përjetojë një aksident tragjik në Gjermani, të cilin nuk e mbijetoi.