"Dashuria e re mesdhetare"
7 Mars 2008Ylli Pango vërtitet në hapësirën e pavionit shqiptar me pak nervozizëm. Anija ajrore e tipit Zeppelin ku është shkruar me ngjyra të ndryshme në anglisht "Shqipëria një dashuri e re mesdhetare" ndodhet tepër lart, dhe vizitori rrezikon ta ngatërrojë stendën shqiptare me atë të Azerbajzhanit. Por Pango nuk e lë ashtu. Brenda gjysmë ore gjithçka është në rregull: Zeppelini është ulur dhe fiksuar, dhe muret e pavionit janë zbukuruar me mbishkrimin: ALBANIA. Stenda tani është ashtu siç e ka konceptuar ministri i turizmit Ylli Pango dhe Robert Dumi nga Agjencia Kombëtare e Turizmit:
Dumi: "Kjo lloj stende është si një Shqipëri e vogël në miniaturë. Në njërin krah është amfiteatri i Butrintit, në mes është improvizuar Deti Adriatik dhe në krah të detit është Shqipëria, harta e Shqipërisë në relief. Në hyrje është Mali i Jezercës dhe gjithçka është bërë me dorë. Nuk ka asgjë të parafabrikuar ose të industrializuar, si të themi."
Pango donte të theksonte kryesisht larminë turistike të Shqipërisë.
Pango: Ne kemi një logo të re, të cilën e kemi quajtur: "Shqipëria, një dashuri e re mesdhetare", sepse tashmë Shqipëria me dymilionë vizitorët e vitit të kaluar nuk është më e pazbuluar, por është e zbuluar në sensin e vizitueshmërisë, në atë çka ne duam, pra të jetë gjithnjë e më e njohur edhe në detajet e saj."
Prandaj edhe me ndihmën e GTZ-së dhe Entit të Ekonomisë Gjermane për vendet e lindjes (Ostausschuss der Deutschen Wirtschaft) ministria e shoqëroi prezantimin e saj me një konferencë për shtyp dhe një simpozium për potencialet dhe sfidat e turizmit në Shqipëri.
Ambasadori i Shqipërisë në Berlin Gazmend Turdiu shfleton i kënaqur prospektin me 10 ture të mundshme turistike që ofron Shqipëria.
Turdiu: "Ajo që mua më bën të ndiehem i kënaqur është që konstatoj që vit pas viti në këtë periudhë prej pesë vitesh që shërbej në Gjermani një përmirësim vërtet cilësor të mënyrës se si ne prezantojmë pasuritë tona natyrore dhe kulturore dhe informacionin që ne vëmë në dispozicion të shteteve dhe kompanive gjermane për të vizituar Shqipërinë."
Disa holle më tej, në atë 25, është Aeroporti i Tiranës Nënë Tereza, që u tregon vizitorëve mundësitë e udhëtimit në Shqipëri. Andrea Gebbeken, menaxherja e aeroportit u këshillon turistëve potencialë të vizitojnë Shqipërinë, sepse do të përjetojnë një surprizë të bukur:
Gebbeken: "Ne ketu kemi dhe prospektet e Shqipërisë dhe mund t'u tregojmë njerëzve se sa interesant është ky vend. Nga ana tjetër vetë Tirana është një qytet që po zhvillohet me shpejtësi të madhe, infrastruktura, jeta e natës. Pra ne përpiqemi ta bëjmë Shqipërinë intersante dhe të tërheqim sa më shumë klientë. "
Në pavionin shqiptar, në hollin 3.2., janë ulur ndërkohë dy muzikantë, të cilët kanë ardhur enkas nga Shqipëria për t'i tërhequr vizitorët jo vetëm nga ana pamore por edhe ajo akustike. Dy të rinj të veshur me veshje popullore shpërndajnë guidat, dhe mundohen t'i joshin të huajt me specialitete shqiptare, si konjaku Skënderbeu dhe djathi kaçkavall. Operatorët turistikë janë të rreshtuar në dy kolona tendash prej druri dhe furnizojnë vizitorët me informacione dhe guida turistike.
80 mijë Euro ka kushtuar prezantimi i pavionit shqiptar, thotë Dumi. Por jo të gjithë janë të kënaqur me të. Armand Ferra, nga Albania Holidays:
Ferra: "Duhet të ishte menduar më tepër për hapësirat që duhet të kishte biznesi. Është një stendë e konceptuar në mënyrë të veçantë, por nuk i janë lënë hapësirat e duhura biznesit."
Ai thotë se për të dalë nga banaku i duhet të bëjë ndonjë salto ose nga pas ose nga para, por nuk është keq sepse jam marrë me gjimanstikë në vegjëli, shton ai dhe buzëqesh.