Bota punëtorisë po copëtohet në shumë copa të vogla
30 Prill 2007Për temën e Turqisë, në gazetën WESTDEUTSCHE ZEITUNG që del në Dysseldord ndër të tjera lexojmë:
"Nëse presidenca gjermane e BE u kërkon tani gjeneralëve, që të mos ushtrojnë presion të palejueshëm, dhe nëse komisari i zgjerimit të BE flet për një rast testues për të matur pjekurinë e anëtarësimit të Turqisë në BE, duhet mbajtur parasysh se të gjitha nuk janë gjë tjetër veçse kozmetikë diplomatike: presioni i palejueshëm tanimë është ushtruar; testi mund të konsiderohet se nuk është kaluar. Ajo që nevojitet është vetëm që Berlini dhe Brukseli ta shohin këtë qartë dhe t'i japin emrin që ka."
Ndërsa NORDBAYRISCHER KURIER është e mendimit:
"Pas tri grushteve të shtetit, në vitet 1960, 1971 dhe 1980 ushtria nuk duhej të zgjidhte më problemet e politikës. Turqia duhet ta vazhdojë me forcën e saj demokratike rrugën për në Evropë, të cilën ajo e ka ndjekur herë pas here me vendosmëri. Ne evropianët duhet ta mbështesim atë në këtë detyrë dhe të mos rrimë larg e të mbyllemi për shkak të motiveve kulturore-fetare."
Ndërsa në gazetën që botohet në Berlin DIE WELT lexojmë:
"Ushtria mbrohet me kërcënimin e saj jo vetëm ndaj një presidence me orientim islamik të Abdullah Gylit, por edhe ndaj depërtimit të islamistëve në radhët e saj. Ushtria turke megjithatë nuk u përgjigjet klisheve të zakonshme të gjeneralëve fashistoidë nga familje të privilegjuara dhe me tendenca totalitare. Ajo e kupton rolin e saj si një person i vëmendshëm që kujdeset në sfond, për ta bërë një shoqëri në fillesë as evropiane dhe as demokratike, një shoqëri evropiane dhe demokratike. As sot gjeneralët turq nuk kanë besim që populli mund të gjejë rrugën e duhur pa dorë drejtuese", konstaton DIE WELT dhe më tej kujton:
"Themeluesi i shtetit Kemal Atatürk identifikoi fenë islame dhe karakterin shumëkombësh të perandorisë osmane si shkaqe të katastrofës që ajo po përjetonte dhe sforcoi një revolucion antifetar, properëndimor, i cili nuk u ndal as para alfabetit dhe kodit të veshjes, pas fitoreve ushtarake ndaj anglezëve dhe grekëve. Janë këto disa nga shkaqet që e bëjnë jashtëzakonisht të dashur ushtrinë në Turqi. Ushtria shihet shpesh si garante e një shteti të kërcënuar edhe më tej nga bota e jashtme dhe si garante e një mase minimale demokracie dhe modernizmi. Nga ana sociale, ushtria nuk është "shtet i privilegjuar brenda shtetit", e cila të nxjerrë ndonjë elitë aristokratike ushtarake, por një lloj aparati qarkullues e nxehës për koka të afta nga familje me të ardhura modeste. Ithtarët e ushtrisë kanë fort nën kontroll burokracinë shtetërore dhe drejtësinë, administratën dhe prokurorinë, të cilat janë një nga mjetet më të fuqishme të ushtrimit të ndikimit nga ushtria. Edhe tani, do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të ndalojë ndoshta formalisht zgjedhjen e ministrit të jashtëm Abdullah Gyl si president të shtetit."
Ndërrojmë temë: dita e 1 majit, festës ndërkombëtare të punonjësve merret shkas edhe për të reflektuar për gjendjen e punëtorëve dhe të shoqërisë gjermane. Kështu, në gazetën MITTELDEUTSCHE ZEITUNG që del në Hale (Halle) ndër të tjera lexojmë:
"Bota punëtore po copëtohet në shumë copa të vogla. Ajo që më përpara ishte normale- raporti afatgjatë i punësimit- në Lindje me kthesën politike është bërë gjë e rrallë dhe tani në përgjithësi është në rrugën më të mirë për t'u shpallur si përjashtim. Karriera të paqeta dhe raporte të ardhurash që ndryshojnë janë pasoja. Ata që fitojnë shumë do të kenë edhe më shumë para në portofole vitet e ardhshme, ata që fitojnë pak nuk do të kenë shumë para shtesë në portofole. Që sot, rreth 1 milionë vetë nuk mund të jetojnë më vetëm me rrogën e tyre."
Dhe së fundi, mendimi i analistit të OSTTHÜRINGER -ZEITUNG që del në Gera:
"Në dhjetë, 15 vjet raporti normal klasik i punës ndoshta do të jetë përjashtim. Sipërmarrjet e shoqërisë informative do të punësojnë ndoshta shumë më tepër se sot me kontrata të përkohshme pune. Elitat e shoqërisë deri tani vërtet i kanë njohur prej kohësh problemet, por deri tani kanë bërë shumë pak për t'i përgatitur njerëzit për këto ndryshime."