270109 Davos Weltwirtschaftsgipfel
28 Janar 2009Megjithë shifrën rekord të pjesëmarrësve Forumi botëror i Ekonomisë në Davos, gjendet përpara një detyre të vështirë. Si duhet organizuar në kushte të tilla një forum i tillë, i cili përveç debateve te thella është po aq i njohur edhe për pritjet dhe party-t që zhvillohen gjatë ditëve të tij.
Përgjigja: Duke iu përshtatur gjendjes së re
Sipas mediave zvicerane për party-t do të bëhen kursime. Në vend të kaviarit dhe të langustave do të ketë vetëm proshutë dhe djathë dhe nëpër pritjet eksluzive, do të ofrohet vetëm shampanjë e zakonshme në vend të Dom Perignon. Nëpër pritjet e zakonshme në vend të shampanjës do të shërbehet vetëm verë e bardhë.
Forumi bazohet te serioziteti
Në vend të shkëlqimit dhe madhështisë Forumi botëror i Ekonomisë po bazohet te serioziteti. Serioze dhe ambicioze është edhe tema zyrtare e takimit. Presidentët, kryeministrat dhe shefat e koncerneve pritet të skicojnë zgjidhje për botën pas krizës. Por megjithë këto qëllime të larta, reagimet për ato që priten prej takimit janë të përziera. Alexis Passadakis, i grupit anti-globalizim attac thotë: "Në rast se vërejmë se si është zhvilluar kriza botërore, atëhere shohim se pikërisht ata që takohen atje janë bashkëpërgjegjës për krizën. Ata do të përpiqen të gjejnë atje zgjidhje, prej së cilave shpenzimet do të bien sërish në kurriz të atyre grupeve të popullsisë që kanë vuajtur prej sistemit aktual ekonomik edhe në vitet e bumit."
Reagimet janë të përziera
Po jo të gjithë ekspertët janë kaq kritikë ndaj forumit të Davosit. Sipas Hans-Werner Sinn, drejtor i institutit Ifo në Mynih, ky takim duhet dhe mund të ofrojë ide të rëndësishme: "Përgjigje për zgjidhjen e krizës financiare, kjo pritet nga ky forum, ku marrin pjesë persona të rëndësishëm. Ky forum dallon nga takimi i G20-ës apo G8-ës, është më i madh dhe në parim relativisht i hapur për përfaqësues shtetesh nga vende të ndryshme të botës. Pra natyrisht që ia vlen të dëgjosh se ç'mendojnë ata."
Forumi i Davosit do të shoqërohet me shumë ide
Në 57 raundet e diskutimeve pjesëmarrësit do të trajtojnë një spektër të gjerë temash: që nga ndryshimet e klimës e deri tek modele të reja biznesi apo zhvillimi i qëndrueshëm. Mjaft premtuese tingëllojnë dy raude diskutimesh: Njëra me titull "Ç'po ndodh me ekonominë botërore në vitin 2009?", dhe tjetra "Vlerat e ekonomisë së tregut".
Vetëm në rast se për këto tema do të jepen përgjigje të mira, atëhere mund të thuhet nëse Forumi botëror i Ekonomisë mund të japë këtë vit impulse për zgjidhjen e krizës financiare.
(PP/ACA)