Bota nuk vuan aq prej mungesës së ujit, sesa prej manaxhimit të keq të tij
24 Gusht 2006Çmimi për ujin me vlerë 150.000 USD shpërndahet në kuadër të javës botërore të ujit. Në argumentimin e Institutit Botëror të Ujit me qendër të Stokholm, thuhet se shkencëtari me origjinë nga India, prof. Asit Biswas nderohet me këtë çmim për punimet e tij për përmirësimin e furnizimit me ujë, pastrimit dhe filtrimit të ujërave të ndotura si dhe manaxhimin e burimeve të ujit në botë.
Asit Biswas dallohet për fjalët e tij provokuese. "Budallallëqe" thotë ai kur dëgjon që njerëzit flasin për një krizë botërore për ujë, ose që luftrat e ardhshme do të zhvillohen për shkak të mungesës së ujit.
"Unë nuk u besoj atyre që thonë kolegët dhe njoftojnë me aq qejf mediat, kur është fjala për ujin. Ata nuk kanë të drejtë. Shikoni faktet dhe shifrat. Në botë ka ujë të mjaftueshëm, dhe ky do të mjaftojë edhe në vitin 2050, kur në botë do të ketë 10 milionë njerëz. Në të gjitha zonat e botës, ku uji shpenzohet në mënyrë të arsyeshme, kemi mjaft ujë."
Problemi kyç është sipas Asit Biswas manaxhimi i ujit. Ekspertët vrasin mendjen dhe ngatërrohen nëpër diskutime, nëse furnizimi me ujë duhet të bëhet prej ndërmarrjeve publike apo private. Debate krejt pa vlerë, mendin ai, po të nisemi prej faktit që vetëm 8% e botës furnizohen me ujë prej firmave private. Ndërkohë që në Afrikë p.sh. rreth 40-60% e ujit të pishëm nuk i arrin konsumatorët për shkak të rrjeteve të vjetëruara të furnizimit dhe kanalizimeve.
Asit Biswas mendon se uji i pishëm shpërdorohet dhe ndotet, sepse çmimi i për ujin është shumë i ulët, megjithë vlerën e tij të pamatshme.
"Në rast se pyesni familjen time në Indi, se sa u vjen fatura e ujit, ata do të ngrenë supat, se nuk e dinë. Eshtë pra kaq pak, sa askush nuk e vret mendjen për këtë. Ndryshe prej kësaj të gjithë e dinë se sa të larta u vijnë faturat për rrymën elektrike dhe përpiqen ta kursejnë energjinë. Në rastin e ujit kjo nuk luan asnjë rol dhe të gjithë e shpërdorojnë atë pa kriter."
Drejtori i Institutit për manaxhimin e ujit në Botën e tretë me qendër në Meksikë merret rreth 12 orë në ditë me çështjen e ujit. Unë jam tepër i dhënë pas punës, një workaholic, thotë prof. Asit Biswas. Tetë muaj të vitit i kalojë në udhëtime. Bashkëshortja e tij punon në të njëjtin sektor, dhe vajza e tyre është e rritur, pra ata janë shpesh së bashkë në udhëtim.
Asit Biswas interesohet për artin dhe ka blerë edhe disa nga veprat e Chagallit dhe Mirós në kohën kur ishin të pagueshme. Në udhëtimet e tij të shumta nëpër botë ai viziton shpesh muzeume. Por koha e tij është aq e pakët sa edhe uji në disa vende të botës, dhe për këtë ai nuk lodhet së sqaruari, se idetë për zgjidhjen teknike të problemit të ujit ekzistojnë, por ajo që mungon është zbatimi i tyre në praktikë.
"Sistemi është thjesht i gabuar! Por ai mund të ndryshohet, në rast se duam. Pasi ulem dhe diskutoj me përfaqësuesit e x-ndërmarrjeje uji në Indi apo Afrikë, ne përgatisim edhe një plan se si mund të kursejmë ujin përmes teknologjive moderne. Problemi qëndron në nivelin politik. Çdo politikan i ri që vjen në pushtet fillon t'u ndajë poste atyre që e kanë mbështetur. Dhe ç'poste janë këto? Poste në administratën publike, pra edhe në ndërmarrjet e furnizimit me ujë."
Prof. Biswas nuk rresht së theksuari tezat e tij, madje edhe atëhere kur të tjerët nuk duan t'i dëgjojnë ato. Sipas mendimit të tij konferencat e mëdha ndërkombëtare për problemet e ujit janë joefektive dhe të tepërta. Këto konferenca ai i quan SOS - same old stuff - sepse në to thuhen gjithmonë po të njëjtat gjëra që ai i dëgjon që prej 20 vjetësh.