Bota e sportit mysafire në Londër
27 Korrik 2012Në praninë e më shumë se 100 krerëve të shteteve dhe qeverive nga e gjithë bota, ndër to edhe presidenti i Gjermanisë Joachim Gauck dhe zonja e parë e SHBA-së Michelle Obama, Mbretëresha e Britanisë Elisabet II, hap këtë të premte Lojërat Olimpike të Verës 2012 në Londër.
Rreth 10.500 atletë nga 204 vendet e botës do të luftojnë deri më 12 gusht për të fituar në gara të ndryshme medaljet e arta, të argjendta dhe të bronzta. Janë gjithësej 4700 të tilla të përgatitura me tetë ton ar, argjend dhe bronz, nxjerrë nga minierat e Mongolisë dhe Jutah të SHBA-së. Këto medalje që peshojnë secila mbi 400 gram do t'i varen në qafë fituesve në Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike. Sipas parashikimeve, Kina do të renditet e para në marrjen e medlajeve, në vedn të dytë SHBA dhe në vend të tretë Rusia.
Gjermania përfaqësohet me 392 sportistë në këtë aktivitet botëror. Londra është për herë të tretë mikpritëse e Lojërave Olimpike pas atyre të zhvilluara në 1908 dhe 1948. Për këtë ngjarje të madhe sportive priten 11 milionë vizitorë. Shpenzimet për këtë eviniment vlerësohen në nëntë miliardë paund. Nga frika e ndonjë sulmi terrorist, qeveria britanike ka ashpërsuar masat e sigurisë. Gjatë zhvillimit të Lojërave qeveria ka angazhuar mbi 17.000 policë, ushtarë dhe forca private të sigurisë.
Të pranishëm në këtë ngjarje sportive do të jenë edhe liderët shqiptarë dhe ata kosovarë. Kryeministri Sali Berisha është ftuar së bashku me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes. Ndërkohë bëhet e ditur se peshëngritësi shqiptar, Hysen Pulaku, i cili konkurron në peshën 77 kg, pjesë e delegacionit shqiptar në Lojërat Olimpike "Londër 2012", ka rezultuar pozitiv pas një testi të bërë nga IOC në bashkëpunim me WADA. Ndërsa kosovarja xhudiste Majlinda Kelmendi do të përfaqësojë në Londër Shqipërinë.