"Bota e ftuar tek miqtë" - Gjermania në ethet e Botërorit 2006
9 Qershor 2006Ky eveniment zhvillohet për herë të dytë në Gjermani dhe kësaj here nën moton "bota e ftuar tek miqtë". Nga perspektiva e palës organizatore një moto e tillë presupozon gëzim, por edhe detyrime. Parë vetëm në aspektin sportiv shanset e ekipit kombëtar gjerman nën trainerin Jyrgen Klinsman janë të mira, kështu të paktën flitet nëpër medie si dhe në tyrezat e tifozëve. Kampionati hapet me ndeshjen Gjermani Kosta Rika që zhvillohet në Mynih.
Nëse i besojmë matematikës, atëherë ekipi i Jyrgen Klinsmanit do të marrë titullin kampion bote. Parë në aspektin statistikor Gjermania në Gjermani gjithmonë del kampion, të paktën kështu ka ndodhur në të vetmin kampionat të zhvilluar në Gjermani në vitin 1974. ... Por le t´i lëmë shakatë me një anë: në aspketin sportiv janë vendosur mirë piketat për një turne të sukseshëm. Përbërja e ekipit të kombëtares gjermane është një përzierje e peshuar mirë mes të rinjve dhe të vjetërve dhe me ndihmën e metodave amerikane të trainimit ekipi është stërvitur mirë. Ndaj vetëm me ndonjë përjashtim të vogël ky ekip mund të matet në nivelin ndërkombëtar.
Jyrgen Klinsman dhe shtabi trainues përreth tij pakompromis u kanë rezistuar rezervave duke marrë vendime, që s´mund të kontestohen as nga mediat dhe as nga funksionarët me influencë të federatave dhe shoqatave. Pozitivja është, sepse me guxim dhe në mënyrë jo konvencionale lojtarët po mbështeten.
Por e vërteta do të dalë në fushën e lojës, siç thonë futbollistët. Ose thënë ndryshe: në fund ka vlerë rezultati. Rezultati i ekipit gjerman tek e fundit do të vendosë, se si duhet vlerësuar puna e trainerit Klinsman.
Nuk duhet nënvleftësuar as avantazhi që ka ekipi gjerman që luan në vendin e vet. Tifozët do të jenë lojtari i dymbëdhjetë. Ata qëndrojnë pas ekipit, gjë që u dëshmua vitin e kaluar gjatë Kupës së Konfederatave dhe nga përgatitjet e ditëve të fundit. Kampion bote ka qenë edhe puna e komitetit organizativ nën drejtimin e Franc Bekenbauerit. Stadiumet janë gati, të sigurtë dhe me plot hapësirë për masën e spektatorëve. Gati 98% e biletave janë shitur, kjo i ka siguruar një fitim rekord organizatës botërore të futbollit, FIFA. As që mund të pritet që blloqe të tëra tifozësh të mbeten bosh, siç ndodhi gjatë Kampionatit Evropian në Portugali përpara dy vjetësh.
Frika prej tifozëve që ushtrojnë dhunë, neonazistëve dhe terroristëve megjithatë mbetet. Por edhe për këtë ata që janë përgjegjës janë kujdesur aq sa ka qenë e mundur. Forcat gjermane të rendit të përforcuara edhe prej 200 policëve nga jashtë, janë të përgatitura për të reaguar shpejt në rastin më ekstrem. Siguria për tifozët gjermanë dhe të huaj ka prioritet jo vetëm nëpër stadiume, por edhe në kuartieret e tifozëve. Çdo njeri, qoftë gjerman apo i huaj, duhet ta ndjejë veten të lirë dhe të lëvizë i shpenguar në Gjermani, pavarësisht nga rritja e numrit të sulmeve me sfond ksenofobinë. Motoja "bota e ftuar tek miqtë" s´duhet të tingëllojë si një formulë boshe, për këtë janë në unanimitet të gjithë ata që janë përgjegjës për botërorin. Por
është gjithashtu e qartë, se askush nuk mund të garantojë seriozisht siguri njëqind për qind.
Pra do të jetë Kampionati Botëror si një party gjigande katër javore e futbollit? Po, këtë mund ta thuash me plot gojën, pavarësisht nga disa rregulla për cikërrima e ndonjëherë edhe deprimuese të vendosura prej FIFA-s. Po, kampionati do të jetë si një pary, pavarësisht nga komercializimi deri në histeri i tij që po i tejkalon kufijtë. Po, pavarësisht nga sistemi i shitjes së biletave përmes internetit, që ndonëse në dukje transparent dhe i drejtë, shumë tifozëve s´u ka mundësuar pjesëmarrjen në asnjë ndeshje.
Rreth 30 miliardë telespektatorë gjatë katër javëve të ardhëshme do të ndjekin këtë festë të futbollit në Gjermani. Gjermanët natyrisht që do të luten që të vihet në jetë shprehja e profesionistit anglez Gary Lineker, që e ka përkufizuar futbollin si një lojë, "në të cilën 22 burra vrapojnë pas topit dhe në fund fiton Gjermania". Shanset janë të mira.