Bisedimet transatlantike për tregtinë e lirë
12 Nëntor 2013Bëhet fjalë për një projekt gjigand - krijimin e zonës së tregtisë së lirë, më të madhen në botë. Dhe akuzat për përgjime nga Uashingtoni vijnë në një moment të pafavorshëm. Në Bruksel ka filluar raundi i dytë i bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për krijimin e zonës së tregtisë së lirë, bisedime që priten të vazhdojnë deri të premten. Raundi i dytë ishte planifikuar për në muajin tetor, por për shkak të bllokimit të administratës publike në SHBA (shutdown) për shkak të konfliktit mes demokratëve dhe republikanëve, ato filluan me vonësë ditën e hënë.
Raundi tjetër është planifikuar në dhjetor në Uashington. Zona transatlantike e tregtisë së lirë planifikohet të jetë më e madhja në botë, ku do të jetojnë 800 milionë banorë. Por bisedimet që ende janë në një fazë fillestare errësohen nga akuzat e përgjimeve nga ana e shërbimeve sekrete të Shteteve të Bashkuara. Por akuzat për spinuazh nuk do të jenë pjesë e bisedimeve teknike, janë shprehur diplomatët. Megjithatë agjencitë e ndryshme të lajmeve njoftojnë se mirëbesimi dypalësh është cënuar, dhe për bisedime të tilla besimi është mjaft i nevojshëm.
Bisedimet kanë filluar që në verë dhe partnerët duhet të gjejnë përgjigje për shumë pyetje që lidhen me energjinë, investimet, shërbimet, lëndën e parë. Ekspertët madje shpresojnë për krijimin e më shumë se dy milionë vendeve të punës. Megjithatë nuk pritet një rezultat konkret nga këto bisedime deri në vitin 2014.
Reagime pozitive dhe kritika
Vazhdimin e raundit të dytë të bisedimeve transatlantike për marrëveshjen e tregtisë së lirë e ka përshëndetur edhe edhe Shoqata Federale e Industrisë gjermane, BDI. "Kalimi në një raund të ri të bisedimeve është një sinjal i rëndësishëm, pas shtyrjes së tij për shkak të krizës buxhetore në SHBA", u shpreh Stefan Mair, anëtar i bordit drejtues të hënën në Berlin. Marrëdhëniet transatlantike ndodhen në një fazë të vështirë, "prandaj bisedimet konstruktive në këtë kontekst do të luajnë rol pozitiv në forcimin e besimit mes partnerëve transatlantikë."
Aktivistët e mbrojtjes së mjedisit paralajmërojnë nga dobësimi i standarteve europiane. "Lehtësimet e nevojshme për tregtinë transatlantike nuk duhet të bëhen në kurriz të konsumatorëve europianë dhe amerikanë", ka bërë të ditur Qendra Federale për Mbrojtjen e Konsumatorit në Gjermani. Ndërsa kreu i Shoqatës për mjedisin dhe Mbrojtjen e Natyrës (BUND), Hubert Weiger është shprehur se "tek kjo marrëveshje e tregtisë së lirë bëhet fjalë për përhapjen e mundshme të bimëve të ndryshuara gjenetikisht në fushat tona, për zbutjen e masave për mbrojtjen e klimës dhe për rreziqet e kimikateve të rrezikshme. BUND së bashku me organizata të tjera ambientaliste kritikon aksesin e privilegjuar të lobiistëve të industrisë në këto bisedime.