Bilanci i bisedimeve të tregtisë BE-SHBA
13 Korrik 2013Ndërkohë që delegacionet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u takuan në Uashington në raundin e parë të negociatave për një hapësirë të përbashkët ekonomike, ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich vetëm disa qindra metra më larg, në Shtëpinë e Bardhë, po diskutonte në lidhje me programet e diskutueshme të përgjimit të amerikanëve.
Për të ardhur në të njëjtin nivel me partnerët amerikanë dhe për të mos shmangur thjesht nga rendi i ditës këtë temë që ishte shkak i debateve të ashpra në javët e fundit, ai me sa duket i kishte borxh vetes më tepër vetë-respekt.
Negociata në nivel të njëjtë
Për Jacob Kirkegaard nga Instituti i njohur Peterson në Uashington, ky diskutim ka pasur pak ndikim në bisedimet e tregtisë: "Natyrisht, çështja e programeve të përgjimit nuk ka luajtur ndonjë rol të madh. Delegacionet shumë shpejt kanë filluar të diskutojnë për çështjet konkrete". Dhe Kirkegaard është i bindur madje se të dyja delegacionet kanë krijuar një masë të besimit themelor për njëri-tjetrin, gjë që i lehtëson negociatat e ardhshme.
Marjory Chorlins nga Dhoma Amerikane e Tregtisë sheh megjithatë pasoja konkrete pas programeve amerikane të përgjimit: "Disa çështje, të tilla si tregtia dixhitale, e cila tani do të negociohet, janë të lidhura direkt me raportet që janë duke u diskutuar. Por unë kam përshtypjen se kjo nuk do të ndryshojë fundin e negociatave dhe rezultatet përfundimtare të tyre."
Programet e përgjimit dhe të dhënat e tregtisë
Sidoqoftë, trajtimi i të dhënave private është padyshim një nga çështjet më të vështira dhe të ndërlikuara të negociimit. Të dy kontinentet janë shumë larg njëri-tjetrit në këtë pikë. Në Evropë, për shembull, konsumatori duhet të bjerë dakord në mënyrë eksplicite, nëse të dhënat e tij mund të përdoren nga personat e tretë. Në SHBA kjo ndodh automatikisht dhe pa pasur nevojë që të pyetet konsumatori.
Gjithashtu edhe jashtë diskutimeve aktuale rreth spinuzahit të Agjensisë Kombëtare të Sigurimit disa vëzhgues politik dhe operatorë të ekonomisë e shohim me mosbesim partneritetin e propozuar të tregtisë dhe investimeve (TTIP) - dhe atë në të dyja anët e Atlantikut.
"Proces i hapur dhe transparent negocimi"
Daniel Mullaney, kryenegociatori i palës amerikane donte të takonte ata që në raundin e parë të bisedimeve. Për dy ditë, delegacionet negociatore diskutuan me palët e interesuara dhe pranuan gjithsej 370 kërkesa me shkrim. Në fund Mullaney premtoi në një konferencë të përbashkët shtypi me kryenegociatorin e BE-së, Bercero Ignacio Garcia se: "Ne jemi duke punuar shumë për të zhvilluar një proces të hapur dhe transparent negociator, ne kemi marrë shumë sugjerime të dobishme për këtë dhe do të shqyrtojmë ato me shumë kujdes .."
Për dobitë e një zone të përbashkët ekonomike dhe tregtare është thënë dhe shkruar shumë. Ato u përsëriten sërish këtu në Uashington: miliona vende të reja pune, impulse të fuqishme ekonomike dhe më tepër efikasitet do të sillte zona e re ekonomike transatlantike, thuhet në qarqet e delegacioneve.
Çështje të diskutueshme, negociata të vështira
Në javën e parë të bisedimeve tregtare, bëhej fjalë për miratimin e një afati kohor sa do të zgjasin bisedimet midis ekipeve negociuese. Me tema të tilla si bujqësia, rregullimi bankar, të dhënat e tregtisë dhe krijimi i standardeve të përbashkëta të cilësisë dhe sigurisë, ekipet negociuese kanë para vetes shumë sfida të ndryshme.
18 muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë për ekipet negociuese. Në fund të vitit 2014 duhet të jetë gati për nënshkrim një marrëveshje. Jacob Kirkegaard nga Institutiti Peterson i Uashingtonit e konsideron këtë periudhë si shumë të shkurtër. Por ndoshta arti i këtyre negociatave është që të përqëndrohen në fushat kyçe dhe çështjet anësore të delegohen.