Berlini zyrtar kundër thirrjeve për eurobonde të përbashkëta
15 Gusht 2011Në një kohë që vendet e Eurozonës po vuajnë për t'i dalë zot krizës financiare që po përhapet si një “virus” i keq, anëtarët e qeverisë gjermane, po dalin gjithmonë e më shumë kundër thirrjeve që vijnë për emetimin e eurobondeve të përbashkëta të qeverive europiane.
Duke folur për mediat gjermane, ministri i Financave Wolfgang Schäuble tha se nuk do të ketë “ndarje” të kredisë në BE, dhe se liderët duhet të përpiqen të ruajnë nga rreziqet monedhën e përbashkët, që tashmë është 12 vjeç.
Eurobondet dhe takimi Merkel-Sarkozy
Do ta “joshë” politikisht kancelaren gjermane Angela Merkel presidenti francez Nicolas Sarkozy me qëllim që të krijohen të ashtuquajturit “Eurobonde të përbashkët” kur ata të takohen në Paris këtë të martë? Mediat gjermane duke iu referuar zëdhënësit të kancelares, Steffen Seibert shkruajnë se eurobondet nuk do të jenë temë bisedimi mes dy presidentëve.
Megjithatët liderët e ekonomive më të forta të eurozonës do të diskutojnë këtë javë për shpëtimin e vendeve të rrezikuara si Greqia, apo Italia, ndërsa po rritet gjithnjë e më shumë frika që Franca dhe Gjermania mund të humbin vlerësimin më të lartë “AAA” të Agjencive të Vlerësimit, për shkak të luhatjeve financiare.
Pasi shpenzoi të gjithë vitin 2010 dhe gjysmën e parë të këtij viti për shpëtimin e Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë, tashmë Eurozona ka të tjera sfida më të mëdha: Ekonomitë madhore të Spanjës, Italisë, madje edhe Francës janë nën presion nga tregjet ndërkombëtare. Ministri Italian i Financave, Giulio Tremonti ka fajësuar mungesën e Eurobondeve për problemet ekonomike të Italisë. “Nëse ne do të kishim eurobonde, nuk do të ishim këtu sot” tha ai.
Euro doli në dritë pa përkrahje politike në BE
Ndërkohë po rriten gjithnjë e më shumë raportimet se Berlini nuk do të mbështesë pambarimisht borxhet e të tjerëve. Ministri Schäuble që quhet shpesh si “Europiani” i fundit në kabinetin e Merkelit, u duk se do të pranonte idenë për eurobonde, por ishte skeptik në implementimin në të ardhmen.
"Kur ne e krijuam monedhën Euro, nuk ishim të aftë që në të njëjtën kohë të krijonim një union politik për ta mbështetur këtë. Njerëzit nuk ishin gati” tha ministri gjerman i Financave.
Më shumë kosto për Gjermaninë
Por zëra të tjerë brenda koalicionit qeveritar të Merkelit, kanë lëshuar paralajmërime të forta kundër reformimit të strukturës së bllokut të BE, duke nënkuptuar se eurobondet e përbashkëta do kishin dhe interesa më të lartë për Gjermaninë. Ministri i Ekonomisë, Philipp Rössler tha për gazetën gjermane Handelsblatt, që eurobondet do të shpërblenin vende me probleme në buxhet dhe do të përkeqësonin vendet që kanë një buxhet dhe ekonomi të qëndrueshme.
"Në Europë, ku çdo shtet anëtar presupozohet që të ketë përgjegjësi për veten, unë mendoj se një eurobond i përbashkët do të ishte zgjidhja e gabuar” tha Rössler. Aktualisht 17 vendet që përdorin Euron në BE shesin eurobondet e tyre në mënyrë të pavarur. Vendet me ekonomi të qëndrueshme ofrojnë kredi me norma më të ulëta interesi sesa vendet me rrezik investimesh.
Autor: David Levitz/Aurel Boriçi
Redaktoi: Lindita Arapi