Berlin, atje ku mund të blihet verë në një autoshkollë
4 Nëntor 2013Në rrugën Grünbergerstrasse në lagjen Friedrichshain të Berlinit do të gjeni një kombinim biznesesh që nuk do ta gjeni në asnjë qytet tjetër në botë: një dyqan vere dhe autoshkollë. Ideja ishte e Andreas Wittwer, inxhinierit mekanik, i cili drejton atuoshkollën sëbashku me gruan e tij. Vëllai i tij Matthias merret me rrushin. Që prej vitit 2002 ky biznes familjar ka tërhequr vëmendjen e shumë kalimtarëve të rastit. Por ne duam të dimë nëse ka klientë që vijnë për të marrë mësime makine dhe për verën njëkohësisht. “Jo”, thotë miqësisht instruktorja Diana. “Klientela jonë ëshë e ndarë, sepse janë dy gjëra tërësisht të ndryshme.”
Në autoshkollë nuk shitet verë dhe mësimet e makinës nuk mbahen tek dyqani i verës, ky ishte edhe një nga kushtet krysore kur biznesi mori licensën. Kur e pyesim se pse biznese të tilla janë duke lulëzuar në Berlin, ajo përgjigjet: “Thjesht është kthyer në modë. Ndoshta është arsyeja se kështu tërheq edhe më shumë vëmendje. Mbi të gjitha ju erdhët këtu”, thotë ajo
Birrë dhe muzikë
Në zonën e Kreuzberg në një dyqan disqesh xhazi shitet verë e klasit të lartë. Disa rrugë më tej është Wowsville, një dyqan muzike rroku, që kthehet edhe në një bar. Pronari Alberto, një 40 vjeçar spanjoll, i cili kishte më parë një dyqan të tillë në New York erdhi në Berlin në vitin 2006. “Qëllimi ynë është që njerëzit të vijnë për një birrë dhe të blenë një disk”, thotë Alberto.
Ndoshta nuk është vendi perfekt, por Wowsville është një vend fin ku mund të kalosh disa momente të këndshme në shoqërinë e tingujve të bukur. Mbrapa banakaut qendron një vajze e quajtur Freya nga Zelanda e re dhe ne e kemi të pamundur të ikim pa rrëkëllyer disa birra duke biseduar me të. Freya na tha se një javë më parë kishte marrë me qira një makinë në një dyqan bastesh.
Bashkimi bën fuqinë
Fuqia ekonomike luan rol edhe në kombinimin e këtyre bizneseve. Përshembull në zonën familjare Winstrasse në Prenzlauer Berg, në dyqanet ku shiten produkte natyrale, takohen njerëz të moshuar për të pirë kafe apo çaj, ose birrë dhe verë. Enten und Katzen (Rosa dhe Mace), quhet dyqani mjaft i frekuentuar. Ndërsa në pjesën lindore të Kreuzberg do të gjeni Hazel, një dizajner mobiljesh që ofron edhe shërbimin e parukerisë. Biznesi funksionon që prej vitit 2011 dhe drejtohet nga tre femra.
“Unë erdha në Berlin pasi kisha qenë më parë në Mynih dhe Hamburg”, thotë Suzi një nga parukieret. “Por edhe këtu po ngrihen qiratë, prandaj ne kemi bashkuar forcat të treja për ta përballuar.”